Fitore historike e Kroacisë: Spanja gjunjëzohet dhe turpërohet

Reprezentacioni kroat ka mposhtur Spanjën në Kampionatin Europian në Francë.

Euforia në Kroaci nuk ka fund. Kombëtarja e këtij vendi ka fituar në ndeshjen kundër Spanjës me rezultat 2:1. Me fitoren kundër kampionëve të Europës kroatët kanë dëshmuar se janë një ndër ekipet më të mira në këtë Kampionat Europian.

Gazeta «Jutarnji list» konstaton se me fitoren e sontme në Bordeaux kroatët kanë siguruar vendin e parë në grupin e tyre dhe ka gjasë që në të tetën e finales të përballen me sllovakët. Spanjollët, ndërkaq, do të ballafaqohen me Italinë. Një finale para finales – ashtu si para 4 vitesh në finalen e vërtetë. Humbja e spanjollëve ndaj kroatëve është e para në Kampionatin Europian në 12 vitet e fundit.

Në ndeshjen kundër Kroacisë spanjollët shënuan pas shtatë minutash lojë, por kjo s’i dëshpëroi kroatët. Me vetëbesim dhe përkushtim si asnjëherë më parë në ndeshjet e këtij Kampionati, ata shtuan presionin.

Disa sekonda pra përfundimit të pjesës së parë Nikola Kaliniq, sulmuesi i Fiorentinës, barazoi (1:1), ndërsa në minutën e ’87 një kundërsulm solli fitoren me golin e shënuar nga Ivan Perishiq.

Spanjollët dominuan pjesën më të madhe të ndeshjes dhe prapëseprapë fati ishte në anën e kroatëve, kur në minutën e ’72 Sergio Ramos dështoi të shënojë penalltinë, e cila s’ishte penallti, sipas mendimi të ekspertëve të futbollit. (-lli)