Fishkëllimat e turpshme nga Baseli

Pas fishkëllimave kundër futbollistit Haris Seferoviq në opinionin zviceran po diskutohet - sërish - mbi sjelljen e keqe të fansave.

Haris Seferoviq gjatë ndeshjes kundër Irlandës së Veriut.



Të dielën në mbrëmje përfaqësuesja e futbollit e Zvicrës është kualifikuar për herë të katërt radhazi në Kampionatin Botëror të Futbollit. Kjo është një arsye për të festuar. Ekipi i Zvicrës përfundoi ndeshjen kundër Irlandës së Veriut me rezultat 0:0, por pasi që helvetikët fituan në Belfast javën që shkoi, rezultati në Basel mjaftoi për kualifikim. Fakti që gjatë ndeshjes lojtari Haris Seferoviq, i lindur në Zvicër, por me origjinë nga Bosnja, humbi disa shanse për të shënuar gol, me sa duket i zemëroi aq shumë disa fansa, të cilët të dielën në mbrëmje e fishkëlluan Seferoviqin në çastin kur trajneri Vladimir Petkoviq e nxori atë nga loja pak para se të përfundojë ndeshja.

Fishkëllimat kundër Seferoviqit turbulluan dukshëm atmosferën festive. Gazeta Tages Anzeiger shkruan se Seferroviq nuk mund të akuzohet për mungesë vullneti dhe shpirt luftarak, ndonëse gjatë ndeshjes së fundit ka mundur të shënojë një, dy apo edhe tre gola. Gazeta Basler Zeitung shkon një hap më tutje: «Që disa idiotë i fishkëlluan tani Seferoviqit është e turpshme për Baselin, kryeqytetin e futbollit të Zvicrës». Për këtë sjellja, shkruan jo gazetë, fansat kanë merituar kartonin e verdhë. Edhe për gazetën bulevardeske Blick sjellja e fansave është e papranueshme. Sipas gazetës Neue Zürcher Zeitung fishkëllimat qenë një gjest kolektiv, i cili shkakoi iritim pas debateve të mëhershme mbi origjinën e huaj dhe përbërjen e ekipit. Që nga viti 2004 Zvicra është kualifikuar në të gjitha kampionatet botërore dhe europiane të futbollit. Kjo është, sipas Balser Zeitung, një vazhdimësi grandioze në nivel të lartë, të cilën e arrijinë vetëm kombe të mëdha si Gjermania dhe Spanja. Holandezët, për shembull, kanë dështuar të kualifikohen në dy kampionatet e fundit. (dp)