Firma austriake kërcënon me sekuestrim të pasurisë së Kosovës

Ndërmarrja «Österreichische Staatsdruckerei» ka bërë të ditur se Kosova po refuzon të paguajë 5 milionë euro kompensim për ndërprerjen e kontratës për shtypjen e pasaportave biometrike. Një menaxher i kësaj firme ka thënë se Kosova nuk po sillet si shtet i civilizuar.

Pamje nga procesi i prodhimit të pasaportave biometrike nga firma «Österreichische Staatsdruckerei».

Ndonëse Gjykata e Arbitrazhit e Odës Ndërkombëtare të Tregtisë me seli në Paris ka vendosur që Republika e Kosovës duhet t’ia paguajë një kompensim prej 5 milionë euro ndërmarrjes «Österreichische Staatsdruckerei», e cila ka shtypur pasaportat biometrike të Kosovës, qeveria kosovare ka refuzuar të kryejë pagesën, njofton agjencia austriake e lajmeve APA. Gjykata e Arbitrazhit kishte pranuar argumentet e palës austriake se Kosova padrejtësisht kishte ndërprerë kontratën me firmën austriake dhe ishte vonuar të kryejë pagesat. «Österreichische Staatsdruckerei» (Shtypshkronja Shtetërore Austriake), e cila përkundër emrit është firmë private, ka paralajmëruar të premten se do të sekuestrojë pasurinë e Kosovës. Në Konventën e New Yorkut gati të gjitha vendet janë obliguar të pranojnë vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit, ka deklaruar shefi i financave i «Österreichische Staatsdruckerei», Helmut Lackner. «Kjo domethënë se ne mund të veprojmë në ato vende ku ne supozojmë se Kosova ka pasuri. Këto janë të gjitha vendet e BE-së, por edhe Kosova». Për këtë në Vjenë është kompetent Gjykata Tregtare, tha Lackner. «Kosova na ka njoftuar se nuk e ka ndërmend të paguajë vullnetarisht, siç është e zakonshme në vendet e civilizuara – vendet e Europës perëndimore paguajnë pas një vendimi të tillë të arbitrazhit. Kosova ka vendosur të mos paguajë vullnetarisht, andaj duhet të zgjedhim rrugën e padisë».

Në vitin 2013 firma austriake kishte dorëzuar padi kundër Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për shkak të pagesave të pakryera dhe ndërprerjes së padrejtë të kontratës për shtypjen e pasaportave biometrike. Tenderi për shtypjen e pasaportave biometrike të Kosovës është shoqëruar me shumë skandale. Drejtësia në Kosovë ka dënuar me burg një grup personash të involvuar në manipulime të ndryshme financiare rreth këtij tenderi. Duket se në këtë konflikt edhe krerët e ndërmarrjes «Österreichische Staatsdruckerei» nuk i kanë duart e pastra.