Filmi kosovaro-britanik «Home» fiton në BAFTA

«Home», një dramë e xhiruar në Kosovë për një familje britanike e detyruar nga lufta të bëhen refugjatë, fitoi çmimin si filmi më i mirë i shkurtër në BAFTA.

Një skenë nga filmi «Home».



Filmi 20-minutësh i Daniel Mulloy «Home», i cili synon të thellojë kuptimin e publikut të gjendjes së njerëzve që largoheshin nga zonat e konfliktit në mes të krizës së tanishme të refugjatëve, fitoi çmimin BAFTA si filmi më i mirë I shkurtër të dielën.

Filmi, me pjesëmarrjen e Jack O’Connell dhe Holliday Grainger, është xhiruar kryesisht në fshatrat e Janjevës dhe Graçanicës në Kosovë.

Mulloy ka thënë se ai ishte i frymëzuar pjesërisht nga përvojat e partnerit të tij, i cili iu largua luftës në Kosovës si refugjat.

Ai u frymëzua gjithashtu edhe nga takimi me një familje refugjatësh që ishte kthyer në Kosovë pasi ishte përpjekur të mbërrinte në BE.

«Më pas u ktheva në Britaninë e Madhe. Kudo nëpër rrugë kishte postera që ishin shumë raciste dhe politikanët tanë po i dehumanizonin ato zona ku njerëzit i largoheshin luftës, duke iu referuar atyre si ‚mizëri‘ dhe se jetojnë në ‚xhungla‘. Filmi lindi nga fakti që unë doja të përgjigjesha,» tha Mulloy në një intervistë vitin e kaluar.

Disa shqiptarë nga Kosova punuan për filmin «Home», përfshirë edhe aktoren e njohur Arta Dobroshi, e njohur për rolin e saj në filmin e vitit 2009 «Heshtja e Lornës», Shpat Deda, Eroll Bilibani, Mrine Godanci dhe Elmedina Morina.

Pasi filmit iu dha ky çmim, Shpat Deda shkroi në Twitter: «Përtej fjalëve! Ky çmim po mbërrin në #SHTEPI#.»

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Citaku, gjithashtu e mirëpriti çmimin.

«Janë arti dhe sportet që po sjellin gëzim dhe shpresë në Republikën tonë të re. Ambasadorët më të mirë që mund të kishim ëndërruar ndonjëherë. Jam shumë krenare», shkroi Citaku në Facebook.

Kjo është hera e dytë që një bashkëpunim kinematografik midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar rezulton në një sukses të madh, pas filmit «Shok», me regji të një regjisori britanik, producent dhe një kast aktorësh shqiptarë të Kosovës, ishte kandidat për një çmim Oskar vitin e kaluar.

(https://www.reporter.al/filmi-kosovaro-britanik-home-fiton-ne-bafta/)