Filmi «Bisedë për jetën» garon në festivale ndërkombëtare

Një film i metrazhit të shkurtër që debutoi në Shkup, garon në festivale ndërkombëtare. «Bisedë për jetën» titullohet filmi ku në rolin kryesor e luan Dibran Tahiri, ndërsa është prodhuar nga produksioni «Galaktika Pictures» nga Shkupi. Premiera është mbajtur para gjashtë muajve, tani ka konfirmuar pjesëmarrjen në pesë festivale dhe presin ftesa nga festivale të tjera.




I realizuar gjashtë muaj më parë, tani ftohet dhe pret çmime nga festivale ndërkombëtare në katër kontinente. Filmi i metrazhit të shkurtër «Bisedë për jetën», prodhim i produksionit Galaktika Pictures nga Shkupi, me regji të Agim Abdulla dhe në rol kryesor Dibran Tahirin, ka konfirmuar ftesa në pesë festivale, në Amerikë, Evropë, Azi dhe Afrikë. Në shumë festivale të tjera pret publikimin e listave të pjesëmarrësve me shumë shpresa për të shtuar numrin e ftesave.

Katër ftesat e para për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat janë për festivalet në Kajro, në Maiami, në Teheran, si dhe në Maroko. Për një festival tjetër nga produksioni thonë që kanë marrë konfirmim, por pritet që ftesa të zyrtarizohet dhe nuk e tregojnë emrin për shkak të rregullave të vendosura nga drejtoria e festivalit, çka do të dihet për disa ditë. Në dy nga pesë festivalet e lartëpërmendura, filmi i produksionit nga Shkupi është kualifikuar drejtëpërdrejt në gjysmëfinale dhe është vetëm një hap drejt rrëmbimit të çmimeve të mëdha.

Përveç këtyre pesë festivaleve, produksioni është në pritje të përgjigjes nga shumë festivale të tjera; në konsideratë është marrë edhe nga një festival në Tokio, ku poashtu pritet konfirmi i ftesës.

Ky film pritet të bëjë bujë edhe në arenën ndërkombëtare pas interesimit të madh që zgjoi në Maqedoni dhe rajon, pas premierave të mbajtura vetëm para gjashtë muajve. Në suksesin e filmit «Bisedë për jetën», përveç produksionit Galaktika Pictures me producent Bunjamin Kurtishin dhe regjisorit Agim Abdullahu, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe autorët e skenarit Agim Morina dhe Tomislav Aleksov, si dhe kasta e aktorëve Dibran Tahiri, Burhan Amiti, Qëndresa Loki, Besfort Idrizi, Elmir Sejfullai, Agan Abdulla.

Producenti Bunjamin Kurtishi, thotë për «dialogplus» se deri te një sukses i këtillë nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur, por dëshira dhe entuziazmi i madh i gjithë stafit ka kompensuar të gjitha mungesat e tjera. «Kjo nuk është e lehtë në një vend si Maqedonia, që shumë shpejt ka filluar të punojë në kinematografi dhe është ende shumë larg niveleve botërore. Ndjehet ende mungesa e kuadrove për shumë segmente të kinematografisë, ku sidomos e vështirë ka qenë postproduksioni. Por, këtu ka shumë artistë dhe punonjës të përkushtuar, të cilët besojnë në punën që bëjnë dhe japin maksimumin nga vetja. Kjo u vërejt edhe në filmin tonë», thotë Kurtishi. Ai njofton se së shpejti do të fillojë edhe filmin e dytë të metrazhit të shkurtër që do të titullohet «Ndërgjegjja» me regji të Agim Abdulla.

Produksioni Galaktika Pictures planifikon të debutojë edhe me filmin e parë të metrazhit të gjatë. «Filmi ‹Ndërgjegja› si projekt do të jetë më i vështirë për realizim shkaku i lokacioneve, pasi do të jetë në dy shtete – Maqedoni dhe Kosovë. Poashtu edhe numri i personave që do të angazhohen, duke përfshirë edhe statistët, do të jetë shumë më i madh. Pas dy filmave të shkurtër, brenda dy vjetëve mendoj të filloj si debutant me film të metrazhit të gjatë, të po të njëjtit zhanër», deklaroi producenti Bunjamin Kurtishi.

Arritjet e produksionit dhe të filmit të tij që janë ende në fillim të karrierës, janë pjesë e sukseseve të mëdha që po shënon kinematografia shqiptare në Maqedoni, ku kohëve të fundit vërehet një angazhim i shtuar i regjisorëve dhe aktorëve shqiptarë si nga Maqedonia, ashtu dhe nga trojet e tjera shqiptare. Shumë prej tyre kanë arritur të prekin skenat e festivaleve ndërkombëtare dhe bashkë me filmin «Bisedë për jetën» pritet si asnjëherë më parë të sjellin çmime të mëdha dhe të vlefshme.