Filloi shpërndarja e shujtave në shkollat fillore të Prishtinës

Sot ka filluar shpërndarja e shujtave për nxënësit e shkollave fillore në Komunën e Prishtinës, ka njoftuar zyra për marrëdhënie me media e Komunës së Prishtinës.




Rreth 20 mijë nxënës të klasave I – V do të përfitojnë nga kiflet që kanë nisur të shpërndahen në 43 shkolla fillore të Prishtinës, transmeton Koha.net. Shujtat do të jenë të ambalazhuara, ndërsa së shpejti do të fillojë të bëhet edhe shpërndarja e qumështit për nxënës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci vizituan shkollën «Naim Frashëri» për t’u informuar nga afër lidhur me realizmin e këtij projekti.

«Jemi duke i shikuar mundësitë që ta zgjerojmë projektin e shujtave gjatë vitit të ardhshëm për të gjitha klasat. Sivjet së shpejti do të fillojmë edhe me shpërndarjen e qumështit, 250 ml, me kalcium të shtuar që është i domosdoshëm për rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Sivjet është përmirësuar cilësia e kifleve dhe është kërkuar që të jenë të ambalazhuara për arsye higjienike. Kiflet do të jenë të mbyllura në mënyrë hermetike nga fabrika e cila i prodhon», ka thënë Shpend Ahmeti.

Përfitues të shujtave do të jenë edhe nxënësit e tri shkollave që janë përzgjedhur për mësimin tërëditor. Projekti i shujtave mundësohet nga buxheti i kursyer i Komunës së Prishtinës nga shpenzimet e panevojshme. Shpërndarja do të bëhet nga fituesi i këtij projekti, OE «Premium Bakery».

Çmimi i shujtës javore është 0.78 euro.