Filloi mësimi tërëditorë në tri shkolla të Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur mësimi tërëditor në tri shkollat e kryeqytetit «Faik Konica», «Afrim Gashi» dhe shkolla «Model».




Përmes mësimit tërëditor nxënësit do të kenë mundësi që t’i plotësojnë njohuritë e tyre në fusha të ndryshme, si gjuhë shqipe dhe gjuhë të huaja, edukatë fizike, si dhe shkenca ekzakte, shoqërore dhe natyrore, thuhet në njoftimin e komunës.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbëri Nagavci u njoftuan për së afërmi me realizimin e këtij procesi mësimor. Me këtë rast Ahmeti tha se synimi i realizimit të projektit të mësimit tërëditor është që nxënësit të tregojnë rezultate sa më të mira në mësime me metoda kreative bashkëkohore. Ai njëkohësisht, theksoi se përmes mësimit tërëditor të gjithë nxënësve do t’iu krijohen mundësi të barabarta që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre pa qenë të detyruar që të ndjekin kurse të ndryshme me pagesë.

Gjithashtu, Ahmeti bëri të ditur se për të gjithë nxënësit e përfshirë në mësimin tërëditor do të shpërndahen edhe shujtat nga Komuna e Prishtinës, ndërsa janë punësuar edhe mësimdhënësit për gjuhë gjermane që do të punojnë gjatë mësimit shtesë.

Nagavci bëri të ditur se janë krijuar të gjitha parakushtet për fillimin e fazës së parë të mësimit tërëditor, duke përfshirë literaturën përkatëse dhe parapërgatitjet e tjera teknike.

«Sot gjithçka ka shkuar mirë dhe sipas planifikimit, ndërsa të gjithë nxënësit e përfshirë në këtë pilot projekt ishin të gëzuar. Veçanërisht në shkollën «Faik Konica» mjaft prindër janë angazhuar në punë bashkë me fëmijët që është tregues se e kanë përkrahur këtë iniciative duke e konsideruar si shumë të rëndësishme për të kontribuuar në zhvillimin e fëmijëve të tyre», tha Nagavci, raporton koha.net.

Në të tri shkollat pos materialit didaktik, një herë në javë do të jenë të pranishëm edhe stafi mjekësor, si dhe do të angazhohen edhe psikologët. Gjithashtu, tashmë është përcaktuar bashkëpunimi edhe me institucione tjera si Fakulteti i Edukimit, teatri «Dodona», etj.