«Fiesta Mexicana» dhe debakël, dramë, tragjedi, kiamet, mynxyrë për Gjermaninë

Mediat gjermane pas disfatës së kombëtares kundër Meksikës.

Portieri gjerman Manuel Neuer. Foto: Matthias Hangst/Getty Images



«Ka arsye për t’u merakosur», shkruan «Süddeutsche Zeitung». Kampionati Botëror i Futbollit për kombëtaren gjermane filloi me një paraqitje shumë të dobët kundër Meksikës. Mesfusha pothuaj nuk funksionoi, por edhe në mbrojtje mungon siguria. Mund të besohet se ekipi e ka kaluar fazën më të mirë të tij. Kështu e sheh gazeta nga Mynihu situatën pas ndeshjes kundër Meksikës.

«Fiesta Mexicana» – kështu shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung»: «Meksika zbuloi dobësitë e kombëtares gjermane. Kampioni botëror fillon me disfatë në një Kampionat Botëror për herë të parë që nga viti 1982. Në pjesën e dytë gjermanët humbën shumë shanse». Në një koment të «Frankfurter Allgemeine Zeitung» thuhet: «Gjatë disfatës kundër Meksikës në Kampionatin Botëror Gjermanisë i mungoi shumëçka nga ajo që e karakterizon një kampion botëror. Nëse kjo s’ndryshon shumë shpejt, kërcënon kthimi i hershëm në shtëpi».

Gazeta bulevardeske «Bild» e intonon tekstin me titull dramatik: «Ky debakël na frikëson». Më 1982 Gjermania kishte humbur 2:1 kundër Algjerisë. Jérôme Boetang u pa në fushë me flokë të lyera me ngjyrë hiri – kjo nga «Bild» u interpretua si shenjë se «Mannschaft», ekipi gjerman, po mplaket, nuk është më ai që ishte, ai që fitonte ndeshje pas ndeshjeje. Për «Spiegel Online» ndeshja në Moskë ishte një dështim. Humbja – e merituar! Shkurt: Fiesta Mexicana dhe debakël, dramë, tragjedi, kiamet, mynxyrë për Gjermaninë. Shansi tjetër vjen të shtunën e ardhshme kundër Suedisë. (dp)