Festo 1 Qershorin me projektin «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur»

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi «KISCOMS», në bashkëpunim me Komitetin ndërministror të programit «Shkollat Promovuese të Shëndetit», sot, me datën 1 qershor, nga ora 10:30-12:00, shënon Ditën ndërkombëtare të fëmijëve.




Kjo ditë shënohet edhe në kuadër të projektit «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», projekt që ka për qëllim informimin e fëmijëve – nxënësve, mbi rëndësinë e shëndetit të dhëmbëve dhe të gojës.

Me këtë rast, lepuroshi dhe ambasadorët e projektit «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», bashkërisht edhe me studentët dhe profesionistët e rinj të shkencave mjekësore, do të shpërndajnë brusha të dhëmbëve me pastë, për fëmijët që lëvizin përgjatë sheshit «Zahir Pajaziti», «Nënë Tereza» dhe «Skënderbeu» në Prishtinë, afër Ministrisë së Kulturës.

Në kuadër të aktiviteteve, do të këndohet kënga «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», do të ketë recitime të poezive për shëndetin e dhëmbëve dhe të gojës, e po ashtu edhe vizatime të imazhit të projektit -LEPUROSHIT.

Po ashtu, disa nga ambasadorët e projektit «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», Lira Sejdiu, Edrin Gashi, Aida Hangjiu dhe Olisa Lipoveci, të cilët janë aktiv me projektet e tyre muzikore, për fëmijët e pranishëm, do të këndojnë LIVE nga dy këngë.

Ky është viti i katërt shkollor i realizimit të projektit «Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur», projekt që monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit «Shkollat Promovuese të Shëndetit» nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).