Festë me armë në Cyrih pas fitores së Shqipërisë në futboll

Pas kualifikimit të kombëtares të Shqipërisë për në Kampionatin Europian të Futbollit, mbrëmë është festuar me të madhe rrugëve të Cyrihut. Një tifoz ka nxjerrë pushkën.

Foto: Shutterstock.com



Nuk ka vonuar aspak pas fishkëllimës së referit për përfundimin e lojës Armeni-Shqipëri dhe përsëri në Oerlikon të Cyrihut janë grumbulluar tifozë shqiptarë për të festuar fitoren kualifikuese të Shqipërisë 0:3. Pasi manifestuesit ishin nisur në mënyrë provokative drejt një klubi fansash serb, ka ndërhyrë policia duke e shmangur një konfrontim midis grupeve, njofton agjencia zvicerane e lajmeve «sda».

Policia në aksionin e saj fillimisht është penguar nga një pikë laserike, ka njoftuar institucioni në një kumtesë të tij. Nuk flitet për të lënduar. Një eskalim të tipit të atij pas lojës Shqipëri – Serbi është shmangur. Ndonëse është dashur një ndërhyrje e sërishme e policisë pas një njoftimi se në një veturë, përveç flamurit shqiptarë, është nxjerrë edhe një kalashnikov.

Policia e kishte ndaluar veturën dhe kishte gjetur vërtetë një armë – jo një kalashnikov, por një pushkë automatike 90. Arma nuk ka qenë e mbushur. Përveç kësaj, në veturë nuk është gjetur as municion. Policia e ka siguruar armën dhe e ka paditur pronarin e saj – siç theksohet në raport – një zviceran 26-vjeçar.

Brenda natës në qarkun 4 të Cyrihut ishte festuar me vargje veturash, ku ishin përfshirë deri në 500 automjete. Është festuar edhe me mjete piroteknike. Mirëpo, përveç pengesave në trafik dhe zhurmës, nuk janë regjistruar incidente të tjera. ks