Festë mbi varre masive

Për pjesëmarrjen në fshehjen e krimeve mbi shqiptarët e Kosovës nuk ka dhënë askush përgjegjësi jo vetëm para drejtësisë vendore, por në Batajnicë, në vendin ku janë zbuluar qindra e qindra kufoma, mes tyre edhe familje të tëra, fëmijë, gra shtatzëna, të rinj të paarmatosur, pleq dhe plaka, kurrë nuk është vendosur një pllakë përkujtimore. Në vend të kësaj – toka është rrafshuar dhe bërë gati për trajnim të policëve specialë dhe në të një skenë prej së cilës flet ministri i policisë i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, në ceremoninë e rastit në 39 vjetorin e ekzistimit të Njësisë Speciale Antiterroriste.

Ministri i Brendshëm serb Stefanoviq në vendin e krimit në Batajnicë, ku u fshehën mbi 700 kufoma të shqiptarëve të Kosovës. Foto: N1



Me kalimin e kohës krenaria e heshtur bëhet gjithnjë e më e zëshme. Pas lavdërimit të Korpusit «legjendar» të Prishtinë dhe Armatës së Tretë «heroike» të Ushtrisë Jugosllave, të cilat më 1999 në Kosovë kanë zbatuar në vepër qëllimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale për të frikësuar dhe dëbuar përgjithmonë popullsinë shqiptare me krime, nuk kishte arsye se një nderim i tillë të mos i bëhej edhe Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), po ashtu të përzier në konfliktin e Kosovës.

Në ceremoninë e rastit në 39 vjetorin e ekzistimit të Njësisë Speciale Antiterroriste të ministrisë së Brendshme të Serbisë, ministri i policisë Nebojsha Stefanoviq kujtoi se «këta njerëz kanë kaluar nëpër gjithçka» dhe përherë kanë qenë atje «ku i ka thirrur Serbia dhe ku i ka dërguar Serbia». Në emër të kësaj të kujtojmë disa nga çastet «e lavdishme» të kësaj njësie.

Shpesh harrohet (ose qëllimisht heshtet) se pjesëtarët e «Skorpionëve» më 28 mars 1999 në Podujevë vranë 14 gra dhe fëmijë të familjeve Bogujevci, Llugaliu dhe Duriqi dhe se atë krim e kanë kryer si pjesëtarë të pjesës rezervë të SAJ-it me libreza dhe uniforma të asaj njësie, duke marrë rroga nga ministria e Brendshme e Serbisë. E vërtetë është se anëtarët e rregullt të njësisë nuk kanë marrë pjesë në ekzekutime, dhe gjatë proceseve gjyqësore në Serbi dhe në Hagë kanë theksuar se u kanë ndihmuar fëmijëve të mbijetuar të arrijnë deri në spital (mes tyre është edhe komandanti i njësisë Spasoje Vuleviq), por po ashtu është e vërtetë se pjesëtarët e angazhuar të SAJ, të cilët kryen vrasje në atë kohë nuk u morën në përgjegjësi. Pas krimit të kryer u kthyen në Serbi (si për dënim), por pastaj sërish u dërguan në Kosovë që edhe njëherë t’i bashkohen luftës «legjendare» dhe «heroike».

Pjesëtarët e SAJ (domethënë jo «Skorpionët», por policët e rregullt) morën pjesë në aksione të tjera, të ashtuquajtura antiterroriste në Kosovë gjatë së cilave janë kryer krime mbi popullsinë shqiptare. E vërtetë është se nuk janë shquar në kryerjen e krimeve si njësitë e veçanta policore, por kanë qenë pjesë e operacioneve të gjera të drejtuara kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Për shembull ë 17 korrik 1998 në sulmin ndaj Rahovecit, bashkë me ushtrinë dhe me njësitë e veçanta policore. Atëherë, sipas aktgjykimit kundër Vlastimir Gjorgjeviqit (paragrafi 312) u vranë së paku 30 të rinj dhe një grua dhe së paku një vrasje e kreu një pjesëtar i SAJ. Edhe në situata të tjera ata janë të pranishëm aty ku kryhen krime, ndonëse nuk ka shumë dëshmi për pjesëmarrjen e tyre në vrasje dhe vepra të tjera penale.

Megjithatë, ekziston një situatë në të cilën janë dëshmuar veçanërisht – kur Serbia «i ka thirrur dhe dërguar» të mbulojnë krimet. Pjesëtarët e SAJ kanë pasur, në fakt, rol kyç në groposjen e trupave në varrezat masive të Batajnicës në pranverë të vitit 1999. Varrezat u hapën në qendrën e tyre të trajnimit «13 maji», po aty ku tani u shënua përvjetori. Dy pjesëtarë të njësisë me identitet të mbrojtur kanë dëshmuar në Hagë mbi atë se si i kanë pritur kamionët me trupat e civilëve shqiptarë të vrarë dhe kanë organizuar groposjen e tyre. «Ata arrijnë, dhe siç do të thoshte Spasoje, ne jemi si neurokirurgë, vijmë, një prerje dhe fund», tha ministri Stefanoviq duke përshkruar disponimin e lavdishëm të pjesëtarëve të SAJ. Kështu pak a shumë ka qenë edhe në pranverë 1999 – prere pas prerjeje, kamion pas kamioni, gjithsejtë 744 trupa.

Operacioni i zhvendosjes së trupave nga Kosova në Serbi me qëllim të fshehjes së vrasjeve të civilëve shqiptarë e ka menduar dhe urdhëruar Sllobodan Millosheviqi në mars të vitit 1999 në një takim me zyrtarët më të lartë policorë (me ministrin e policisë Vlajko Stojilkoviq, shefat e sigurisë shtetërore dhe publike Rade Markoviqin dhe Vlastimir Gjorgjeviqin). Operacionin e ka drejtuar gjenerali Gjorgjeviq dhe në të kanë marrë pjesë qindra njerëz, kryesisht policë, prej të cilëve 110 janë identifikuar me emër e mbiemër në njërin nga dosjet e Fondit për të Drejtën Humanitare. Përveç varrit masiv në Batajnicë më 2001 u zbuluan edhe dy varreza masive (në qendrën policore në Petrovo Selo me 61 trupa dhe te liqeni Peruçac me 84 trupa), pastaj në fund të vitit 2013 varreza te Rudnica me 53 kufoma, për fatin e të cilëve përgjegjëse është ushtria.

Mes pjesëmarrësve janë edhe pjesëtarët e SAJ, me dijen dhe miratimin e komandantit të njësisë. Në një shënim zyrtar të Grupit Punues të ministrisë së Brendshme të Serbisë të qershorit 2001 njëri nga dëshmitarët mbrojtës nga SAJ thotë: «Komandantët Simoviq dhe Trajkoviq i kam dërguar në lokacionin ku është bërë varrimi i kufomave dhe ju tregova në mënyrë që të jenë të njoftuar mbi pasojat eventuale rreth kryerjes së punëve të caktuara në lokalitetin konkret».

Në kohën e groposjes së këtyre trupave Zhivko Trajkoviq ka qenë komandant i SAJ dhe në dëshminë para Tribunalit të Hagës ka pranuar se ka pasur njohuri për operacionin sepse «shefi i qendrës» i kishte thënë se disa herë kufomat ishin sjellë në Batajnicë dhe atje ishin groposur. Zoran Simoviq në atë kohë ishte komandant i njësisë së SAJ në Beograd dhe gjatë dhënies së dëshmisë në Hagë po ashtu nuk e fshehu se ka qenë i informuar mbi sjelljen e kufomave në Batajnicë. Pas hetimit të Grupit Punues varrezat u zbuluan në pranverë të vitit 2001. Pas përfundimit të zhgroposjes gropat prej të cilave u nxorën trupat u mbuluan me dhe, pastaj mbi to vazhduan «aktivitetet e përditshme që kanë të bëjnë me trajnimin e Njësisë Speciale Antiterroriste.

Për pjesëmarrjen në fshehjen e krimeve nuk ka dhënë askush përgjegjësi jo vetëm para drejtësisë vendore, por në vendin ku janë zbuluar qindra e qindra kufoma, mes tyre edhe familje të tëra, fëmijë, gra shtatzëna, të rinj të paarmatosur, pleq dhe plaka, kurrë nuk është vendosur një pllakë përkujtimore. Një pllakë me emrat e viktimave, një dhomë përkujtimore, një gur me shënimin se çfarë ka ndodhur aty në pranverë të vitit 1999, çfarëdo qoftë. Në vend të kësaj – toka e rrafshuar, e bërë gati për trajnim të policëve specialë dhe në të një skenë prej së cilës flet ministri i policisë.

Botuar nga Peshçanik. Autori është bashkëpunëtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd. Përktheu: E.R.