Ferizaj vazhdon të ketë probleme me shpronësimet

Përderisa Drejtoria e Infrastrukturës e Ferizajt ka prezantuar punët në fushën e saj brenda periudhës nëntëmujore të këtij viti, ka folur edhe për sfidat nëpër të cilat po kalon ky dikaster.




Drejtori Gafurr Ilazi ka konfirmuar se Ferizaj ka problem me shpronësimet, ndërsa, sipas tij, ky telash nganjëherë po ndikon edhe në dinamikën e projekteve, shkruan sot «Koha Ditore».

«Ne kemi këso problemesh sidomos të pronave dhe shpronësimit të tyre, faktikisht mungesës së mjeteve, por edhe mospajtime të palëve me vlerësimin e pronave të tyre», ka thënë Ilazi.

Megjithatë, ai ka thënë se gjatë këtij viti kjo drejtori ka pasur në dispozicion një buxhet të paraparë prej 6 milionë e 700 mijë eurosh, ndërsa si mjete të alokuara nga kjo shumë kanë qenë 5 milionë e 540 mijë euro.

Sipas drejtorit të Infrastrukturës, nga kjo shumë 82 për qind e mjeteve janë alokuar, ndërsa nga këto mjete të alokuara, të shpenzuara janë 61 për qind e tyre.

«Për 19 projekte është iniciuar procedura e prokurimit për vitin 2015, 14 projekte janë përfunduar, kurse 14 janë duke u zhvilluar. Mjete të alokuara në buxhetin e 2015-s janë 4 milionë e 745 mijë, të shpenzuara 2 milionë e 900 mijë euro, apo 61 për qind e buxhetit të vitit 2015», ka thënë Ilazi.