Ferizaj shënon Ditën e Rinisë

Ferizaj me një sërë aktivitetesh ka shënuar 20 shtatorin – Ditën e Rinisë.




Drejtori i Drejtorisë komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, Naim Ferati, ka theksuar se kjo ditë është e veçantë pasi promovon vlerat e rinisë, shkruan sot Koha Ditore.

«Këto aktivitete kanë moton e tyre, qëllimin e tyre që të jemi pranë rinisë dhe t’i krijojmë kushte rinisë sonë për të qenë sa më aktive në jetën kulturore dhe sportive, rinore dhe veçmas në atë edukative», ka thënë Ferati, duke e vënë theksin në fillimin e punimeve për ndërtimin e një qendre rinore, të cilën e ka quajtur të jetë shtëpia e gjithë të rinjve të Ferizajt. Ai ka thënën se këtyre ditëve pritet të nisin punimet.

«Ferizaj po bën shumë që rinia të ketë hapësira dhe mundësi e financa për zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe e them me plot gojën se rinisë së Ferizajt po i vijnë ditë më të mira», ka thënë drejtori Ferati.

Në anën tjetër, Xhevat Bajrami, zyrtar nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe Sporteve, ka thënë se Ministria në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale është duke punuar në organizimin e këtyre ditëve me rëndësi për rininë, ditë me shumë rëndësi, teksa ka folur për projektin e MKRS-së për Qendrën Rinore, një investim kapital, e cila qendër, siç ka thënë, do të jetë shtëpi e të rinjve, të cilët do t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre. Fatmir Hoxha nga Muzeu i Kosovës ka folur për një frymë të re bashkëpunimi mes Ministrisë dhe Muzeut, duke përplotësuar agjendën e këtij manifestimi, ndërsa Ylber Lekaj nga shoqëria civile ka falënderuar aktivistët e përfshirë në këtë ditë, duke thënë se me aktivitetet e tyre ata kanë madhëruar këtë ditë me rëndësi për rininë ferizajase.