Ferizaj sfidon nivelin qendror rreth planeve rregulluese

Pak kohë pasi që Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar që Kuvendi Komunal i Ferizajt ta kthente në rishqyrtim vendimin për revidimin e Planit rregullues për zonën I dhe VIII dhe vendimin për inicimin e procesit për revidimin e Planit Rregullues për këto zona, Komuna e Ferizajt po bëhet gati për ta sfiduar vendimin.




Drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Faik Grainca, duke e quajtur absurd vendimin e Ministrisë…, përkatësisht të Inspektoratit, ka thënë se Komuna është gati të hapë konfliktin administrativ për këtë punë. Ai ka thënë po ashtu se neni 81 i qeverisjes lokale parasheh që çdo vendim që e merr Kuvendi dorëzohet në MAPL për t’u shqyrtuar ligjshmëria, kurse Kuvendi pret 15 ditë dhe nëse brenda kësaj kohe MAPL-ja nuk thotë se ky vendim është i jashtëligjshëm, atëherë sipas Graincës ai konsiderohet se është miratuar, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Urbanizimit… ka pasur jo pak akuza për falsifikim dhe shkelje ligjore në kohën sa revidohej plani urbanistik. Madje, nga shoqëria civile, përkatësisht INPO-ja, edhe është deponuar kallëzim penal ndaj tij për shantazh dhe shkelje ligjore.

Ndërkohë që, nga Ministria e Mjedisit… thonë se ky hap i Komunës së Ferizajt nuk çon askund, pasi që janë të detyruar të respektojnë vendimin e nivelit qendror.