Fëmijët zviceranë kampionë të leximit

Përkundër vërshimit të telefonave mobil dhe kompjuterëve në përditshmërinë shtëpiake, fëmijët zviceranë lexojnë gjithnjë e më shumë në kohën e lirë. 37 për qind e tyre madje çdo ditë apo çdo të dytën ditë lexojnë prej një libri. Këtë e tregon një studim i ri, për të cilin raporton gazeta «Neue Zürcher Zeitung am Sonntag».

Foto: Shutterstock



Një studim të Shkollës së Lartë për Shkenca Aplikative (ZHAW) të Zürichut ka konstatuar se 70 për qind e fëmijëve zviceranë së paku njëherë në javë gjatë kohës së lirë lexojnë prej një libri. 37 për qind madje këtë e bëjnë çdo ditë apo çdo të dytën ditë. Një ekip hulumtuesish kanë anketuar 1000 fëmijë dhe 600 prindër. Njëri nga hulumtuesit ka deklaruar se është habitur kur ka zbuluar se 70 për qind e fëmijëve lexojnë gjatë kohës së lirë. Kjo shifër është e lartë. Në Gjermani në vitin 1999 55 për qind e fëmijëve së paku një herë në javë kanë marrë në dorë një libër, më 2014 ishin 50 për qind. Në Zvicër në listën e aktiviteteve të fëmijëve në kohën e lirë leximi gjendet në vendin e tretë, pas dëgjimit të muzikës dhe shikimit të televizorit. Pas leximit vijnë lojërat në kompjuter dhe përdorimi i telefonit mobil. Përkundër konkurrencës digjitale libri mbetet ende i popullarizuar te fëmijët.
Popullaritetin e ka rritur oferta e madhe e librave të ilustruar për fëmijë. Ekspertët theksojnë se të rriturit duhet ta kuptojnë se nuk është me rëndësi çfarë lexojnë fëmijët, por së paku të lexojnë diçka. Aktualisht në Zvicër 20 për qind e librave të shitur janë libra për fëmijë. Po ashtu ka gjithnjë e më shumë projekte shkollore për nxitjen e leximit dhe oferta atraktive në biblioteka. Por rolin kryesor në nxitjen e fëmijëve për të lexuar e luajnë prindërit. Ata mund t’i orientojnë fëmijët nga leximi. Bie në sy se rëndësia e leximit bie pasi fëmijët kryejnë shkollën fillore: kuota javore e leximit mes moshës dhjetë dhe dymbëdhjetë vjeçare bie nga 78 në 64 për qind. Për këtë «fajtor» është: puberteti!