Fëmijët shqiptarë renditen të fundit në Ballkan për standardin e fëmijërisë

Një raport i publikuar nga Save the Children tregoi se fëmijët në Ballkan hasen me fëmijëri të vështirë, norma të larta vdekshmërie, kequshqim dhe pasoja të konflikteve, ndërsa Shqipëria u rendit në pozicionin më të keq.

Foto: Shuterstock



Një raport i ri ndërkombëtar i Save the Children i publikuar të mërkurën, titulluar «Fëmijëritë e vjedhura», tregon për boshllëqet e mëdha në standardet e jetës së fëmijëve në vendet më të pasura dhe më të varfra në Ballkan.

Indeksi Fundi i Fëmijërisë fokusohet te disa ngjarje të ndryshimit të jetës të cilat sinjalizojnë ndërprerjen e fëmijërisë dhe rendit 172 vende nga vendet ku fëmijëria është më e paprekur deri te ato ku është më e penguar.

Kriteret sipas të cilave renditen vendet janë shkalla e vdekshmërisë foshnjore, përqindja e fëmijëve të kequshqyer dhe përqindja e fëmijëve jashtë shkolle, të cilët kanë filluar të punojnë, të martohen, të kenë një fëmijë ose që kanë përfunduar si viktima të dhunës ekstreme.

Raporti tregon një hendek të madh midis vendeve të Ballkanit të renditura më mirë dhe më keq. Krocia doli më e mira në rajon, në vendin e 25-të, ndërsa Shqipëria ishte e fundit në vendit e 71. Pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit u renditën midis këtyre dy skajeve.

Save the Children raportoi se 23 për qind e fëmijëve deri në pesë vjeç nuk kanë zhvillim trupor për shkak të kequshqimit në Shqipëri, duke iu referuar të dhënave më të fundit gjatë periudhës 2005 deri në 2010. Shqipëria është gjithashtu vendi më i keqrenditur në Ballkan për vdekshmërinë e fëmijëve, ku humbin jetën 14 nga 1000 fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Bosnja renditet në vendin e 35, ku 4.6 për qind e fëmijëve janë zhvendosur me forcë nga konflikti sipas raportit.

Serbia u rendit në vendin e 41, pasi raporti vlerësoi se 3.3 për qind e fëmijëve janë të zhvendosur nga konflikti. Megjithatë, ky numër përfshin edhe Kosovën, e cila nuk është monitoruar në mënyrë të pavarur mes 172 vendeve.

Mali i Zi renditet në vendin e 44 dhe Bullgaria, ku rreth 37 në 1000 vajza të moshës 15-19 vjeç kanë lindur fëmijë, është në vendin e 49-të.

Rumania gjithashtu ka një normë të lartë lindjeje në adoleshencë, 34 në 1000 fëmijë, gjë që e rendit atë në vendin e 52-të. Maqedonia është në vendin e 56-të.

Save the Children raportoi se fëmijëria ka përfunduar para kohe për të paktën 700 milionë fëmijë në mbarë botën – shifër kjo edhe më e lartë – për shkak të shëndetit të keq, konflikteve, dhunës ekstreme, martesës në fëmijëri, shtatzënisë së hershme, kequshqyerjes, përjashtimit nga arsimi dhe punës së fëmijëve.

(https://www.reporter.al/femijet-shqiptare-renditen-te-fundit-ne-ballkan-per-standardin-e-femijerise/)