«Fëmijët shqiptarë duhet të jenë krenarë me gjuhën amtare»

Naxhi Selimi është udhëheqës i Katedrës së Gjuhës Gjermane në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Schwyz. Ai flet për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare, atë të arsimit në përgjithësi; për punën që duhet të bëjnë prindërit me fëmijët etj. Selimi është autor i shumë punimeve lidhur me vështirësitë e fëmijëve të emigrantëve në Zvicër.




Cila është gjendja e shqiptarëve në Zvicër sa i përket arsimit?

Në aspektin arsimor, shqiptarët janë në gjendje shumë më të mirë se para disa viteve. Tani shumë shqiptarë janë të suksesshëm në shkollim, ata kanë pozita të rëndësishme në profesione të ndryshme, si juristë, mjekë, inxhinierë etj. Por, gjendja arsimore e shqiptarëve nuk është ende ajo që do të duhej të ishte. Numri i nxënësve shqiptarë në gjimnaze është edhe më tutje shumë i vogël. Kjo tregon se shqiptarët në Zvicër duhet të angazhohen më shumë për t’ua ofruar fëmijëve të tyre ndihmën e domosdoshme për të qenë të suksesshëm në shkollim.

Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre në shkollim, konkretisht?

Fëmijët e elitës zvicerane që shkojnë në gjimnaz dhe shumë prej tyre pastaj i vazhdojnë studimet në universitet, ndihmohen nga persona eksternë. Ato zvicerane dhe ata zviceranë investojnë për fëmijët e tyre shumë, si financiarisht, ashtu edhe kohë. Fëmijët e tyre nuk janë më inteligjentë se fëmijët e punëtorëve, apo të emigrantëve, qofshin shqiptarë apo të tjerë. Janë kushtet, rrethanat, përkrahja e prindërve, e rrethit, ato që ua mundësojnë këtyre që të hyjnë në sistem, të shkojnë në gjimnaze prestigjioze. Unë njoh shumë familje aty ku banoj. Shumë fëmijë të tyre e vijojnë gjimnazin dhe studiojnë. Ata ndihmohen me mësim plotësues, që nga shkolla fillore, në mënyrë të vazhdueshme. Për të qenë i sinqertë, dëshiroj të theksoj se edhe fëmijët e mi bëjnë rregullisht mësim plotësues, përndryshe është e pamundur që në këtë sistem kaq kompleks të arrihet ajo çka kërkohet nga fëmijët. Jo vetëm ndihma interne, por me çdo kusht atyre duhet t’u ofrojmë edhe ndihmë eksterne për ta arritur suksesin e dëshiruar.

Sa janë të informuar prindërit për rëndësinë e vendosjes së drejtë të prioriteteve në raport me fëmijët e tyre?

Shqiptarët duhet të sensibilizohen se arsimimi duhet të jetë prioriteti më i lartë dhe të investohet sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është mjaft ta përsëris edhe njëmijë herë: Investimi më i mirë për ne do të ishte ai në shkollimin e fëmijëve tanë dhe jam i sigurt që ky investim një ditë do t’u kthehet prindërve shumëfish, kur t’i shohin fëmijët e tyre si mjekë, avokatë, mësues etj. Nëse punojmë më shumë në këtë drejtim, shpresoj që për një periudhë 10-15 a 20 vjet do ta arrinim vendin e merituar në shoqërinë zvicerane.

Dëshiroj të theksoj patjetër që suksesi në shkollë nuk duhet në asnjë mënyre të jetë shkaktar që fëmijët të mos e shijojnë fëmijërinë e tyre. Ata duhet të kenë hapësirë të luajnë dhe të zhvillojnë aktivitete tjera të lira. Me një planifikim të mirë, fëmijët kanë kohë për mësim, por edhe për aktivitete tjera të lira, siç është loja në ndonjë instrument muzikor, apo në ndonjë shoqatë sportive.

Si e përshkruani qasjen e mësuesve kundrejt fëmijëve nëpër shkolla, me sfond migracioni?

Është një tendencë që mësuesit në Zvicër nisen nga biografia e prindërve të nxënësve dhe krijojnë perceptimin se nxënës të caktuar nuk mund ta vazhdojnë shkollimin në gjimnaze, sepse babai i tyre është punëtor dhe ai duhet të mbetet i tillë. Këtë e mundëson edhe sistemi seleksionues, pasi pas klasës së gjashtë ndahen nxënësit se kush shkon në gjimnaze të mira, e kush jo.

Ka raste që mësuesit, me apo pa vetëdije, me naivitetin e tyre se kjo do t’i ndihmojë fëmijët e emigrantëve, nuk kërkojnë prej tyre sa duhet. Këto gjëra gjithsesi janë të dëmshme për suksesin e një fëmije. Edhe njohja jo e mirë e gjuhës gjermane nga fëmijët emigrantë mund jetë faktor që mësuesit t’i klasifikojnë më ulët.

Çfarë duhet bërë që të rritet interesimi për mësimin plotësues shqip?

Ne kemi shumë fëmijë që flasin shqip dhe jam i bindur që ata do ta vijonin mësimin në gjuhën amtare sikur t’u ofroheshin disa kushte elementare. Interesimi, fatkeqësisht, mungon edhe për faktin që vendet nga vijnë shqiptarët deri më tani nuk kanë bërë asgjë për ta avancuar mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër.

Ai interesim që ekziston është falë LAPSH-it, apo disa veteranëve të arsimit, të cilët vite me radhë angazhohen për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për një pagë simbolike dhe qesharake për standardin zviceran. Arsye të tjera për mungesën e entuziazmit për mësimin plotësues shqip mund të jenë edhe të ardhurat e ulëta të prindërve, informimi jo i duhur për rëndësinë mësimit të gjuhës amtare etj.

A mendoni që mësimi i gjuhës shqipe i lidh shqiptarët më shumë me vendet e prejardhjes?

Gjithsesi, qeveritë e vendeve nga vijnë shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshme se sa më shumë që mërgimtarët e mësojnë gjuhën amtare, aq më të lidhur do të jenë me ato vende. Kjo lidhje u sjell dobi të shumëfishtë atyre vendeve; përveç investimeve ekonomike. Me një shkollim kualitativ, mërgimtarët mund t’i ndihmojnë vendet e prejardhjes edhe me dijen e tyre. Si turistë, emigrantët shqiptarë e ndihmojnë me konsumin e tyre ekonominë e vendit të prejardhjes.

Prandaj, të gjithë duhet të punojnë për ruajtjen e gjuhës shqipe në Diasporë, në veçanti institucionet e Kosovës. Ato duhet të investojnë sa më shpejt dhe sa më shumë që të jetë e mundur. Italia investon 15 milionë euro në vit këtu për kurse të gjuhës italiane. Shqiptarët në Zvicër numerikisht janë pothuajse sa italianët dhe nuk investojnë as edhe një lek.

Si mund t’i motivojnë prindërit fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën shqipe që herët?

Ne kemi shumë përralla, gjëegjëza e gjëra tjera të vlefshme që mund t’u transmetohen fëmijëve. Ata janë shumë kureshtarë – ashtu u zhvillohet edhe truri. Nëse ua tregon në mbrëmje një përrallë, ata e duan edhe një tjetër. Edhe nëse u rrëfen 100 të tilla, ata nuk ngopen. Ata janë të përqendruar dhe kjo ndikon në fjalorin e tyre, në zhvillimin e inteligjencës. Këtë mundësi e kanë të gjithë prindërit, pavarësisht nivelit të tyre shkollor.

Mendoj që kur fëmija fillon të kyçet në sistem – çerdhe, kopsht…, prindërit duhet t’u blejnë atyre libra me lojëra etj. Kur fëmija është në shkollë, ai duhet ta këtë kohën e caktuar për detyra, për të fjetur, për gjithçka që ka nevojë. Megjithatë, zhvillimi i mbarë i një fëmije nuk varet vetëm nga fjalori, nga pasuria leksikore, apo nga sistemi i mirë shkollor, por nga një sërë faktorësh. Ka fëmijë që janë të zellshëm, ka fëmijë që janë shumë inteligjentë, por shkolla nuk i magjeps; janë kreativë, por ne nuk e hetojmë një gjë të tillë, nuk e shohim se ku kënaqen ata. Mendoj se me fëmijët duhet të punohet me sistem, jo sipërfaqësisht, por me përgjegjësi.

Prindërit duhet t’i inkurajojnë fëmijët e tyre, t’ua tregojnë gjërat pozitive të të folurit të gjuhës së parë dhe përparësitë e shumëgjuhësisë. Ata nuk duhet të ndihen të hendikepuar dhe të mendojnë se gjuha shqipe nuk ka emër të mirë këtu në Zvicër. Unë kam njohur fëmijë që u është dashur tetë muaj për të treguar se janë shqiptarë. Ne duhet të bëjmë që ata të mburren me atë që janë dhe që e flasin gjuhën shqipe. Duke njohur përparësitë e gjuhëve, fëmijët janë të çiltër ndaj gjuhëve të tjera, të cilat njëkohësisht i përdorin dhe i respektojnë.

Për fund…?

Si konkluzion, i inkurajoj të gjithë fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë në Zvicër që të krenohen me gjuhën dhe kulturën e vet, të cilën e pasurojnë me gjuhë dhe kultura të vendit ku rriten dhe shkollohen. Kurse prindërit e tyre i inkurajoj t’i përkrahin fëmijët e tyre, sepse nuk ka investim më të vlefshëm se investimi në shkollim.