Fëmijët në dorën e një vrasëseje dhe një trafikanti

Luljeta Tahiri ka lindur tetë fëmijë. Pesë i ka të gjallë. Një e ka mbytur vetë. Dy i kanë vdekur. Shtatë vjet të jetës prej 32 vjetësh i ka kaluar në burg për vrasje të vajzës së vet një vjeçe. Sapo është liruar me kusht nga burgu, shkruan sot Koha Ditore.




Luljeta, prej se ka fituar lirinë, shpesh ka mbetur pa bashkëshortin e saj, Besim Halili (1978). Javën e kaluar është arrestuar ai, pasi e ka rrahur fort bashkëshorten, larg së cilës ka jetuar shtatë vjet.

«Patëm do probleme», thotë Luljeta duke qeshur.

Pa bashkëshortin, Besimin, ka gjasa të mëdha të mbetet edhe për disa vjet të tjera nëse vërtetohet se ai ka trafikuar një fëmijë 12 vjeç. Shteti e akuzon atë se ka detyruar M.B. të dalë dhe të kërkojë lëmoshë në Prishtinë i cili ka arritur të nxjerrë nga lypja nga 25 deri në 200 euro në ditë. Kur fitimi nuk ka qenë e mirë, duke mos fituar më shumë se dhjetë euro, e ka rrahur dhe torturuar. E ka futur edhe në rrymë.

Besim Halili, 37 vjeç, jeton në banesat sociale në Plemetin të Obiliqit në katin e gjashtë të ndërtesës së bashku me gruan dhe fëmijët. Është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Javën e kaluar për rrahjen e gruas.

Halili, që është i nacionalitetit ashkali është i akuzuar nga Prokuroria për veprën penale të trafikimit më qenie njerëzore. Akuzohet se e ka trafikuar një fëmijë që e kishte marrë për ta rritur.