Fëmijët e veshur me «Gucci» e «Prada» lozin pranë përroskës që bart ujërat e zeza të Prishtinës

Çfarë të ndërmarrin prindërit me fëmijët e tyre në fundjavë? Kërkojnë hapësira të gjelbërta, ku më të vegjlit mund të lozin pa qenë të mbikëqyrur pandërprerë nga fëmijët. Por, edhe aty ku ka hapësirë të mbyt duhma e rëndë e kanalizimit si në një lokal të njohur në një lagje të Prishtinës. Ndërkohë me rastin e ditës së fëmijëve politikanët e nivelit më të lartë sërish thanë se fëmijët janë ardhmëria jonë. Këtë e thanë po ata politikanë që shkatërrojnë si jetën tonë, ashtu edhe atë të fëmijëve.

Fëmijë të lumtur në një shtet tjetër europian. Fotoja është vetëm ilustrim për të krahasuar ambientin shpeshherë mbytës në të cilin rriten fëmijët kosovarë.



Fëmijët në Kosovë, veçanërisht ata në Prishtinë, në përgjithësi vishen bukur dhe për lakmi. E kam fjalën për ata fëmijë nën moshën 7-vjeçare, për pamjen e të cilëve ende, detyrimisht, kujdesen të tjerët. Kjo do të thotë se prindërit shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të hyrave të tyre për garderobën e fëmijëve. Për ta kuptuar këtë gjë, mjafton t’i vizitosh për disa ditë ato pak parqe dhe kënde lodrash në Prishtinë.

Mbishkrimet Adidas apo Nike në rrobat trupit janë pothuajse uniformë, ndërsa ngadalë, por tek shumica e fëmijëve po dëpërtojnë edhe marka të tjera, natyrisht me çmime më të larta, siç janë Gucci apo Prada. Por, edhe në këtë rast, medalja i ka dy anë dhe pamja e jashtme dhe mënyra se si vishen fëmijët përbën vetëm njërën anë të saj. E trishtë dhe për keqardhje është ana tjetër; një pasqyrë e ambientit ku rriten dhe ëndërrojnë fëmijët tanë.

Në një hapësirë gati një-hektarëshe shtrihet një restoran i njohur në Prishtinë. Famën e ka marrë më shumë për hapësirën e gjelbëruar dhe këndin për fëmijë, se sa për cilësinë në shërbime apo menynë e ushqimit. Në një vend si Prishtina ku mungojnë hapësirat e gjelbëruara dhe këndet e lodrave për fëmijë, u themi faleminderit restoraneve që kujdesen ta mbulojnë këtë boshllëk. Ne – prindërit – i vizitojmë edhe kur ato i kapë ndryshku dhe amortizohen pothuajse në tërësi. Fare pranë restoranit të famshëm, të mbushur me fëmijë që shkëlqejnë, kalon lumi i dikurshëm i Prishtinës Prishtevka, sot vetëm një përroskë, i shndërruar në një lloj kanalizimi ku duket se e gjithë Prishtina bashkë me restoranin hedhin mbetjet. Duhma që lëshon kjo përroskë ia humbin shijen edhe kafesë – dhe pavemëndshem mysafirët shtojnë presionin ndaj kamarierit, i cili nuk ka fare faj per ambientin në të cilin fëmijët detyrohen të kalojnë kohën.

Para disa vitesh nënkryetari i komunës së Prishtinës Avdullah Hoti pati thënë se me rregullimin e infrastrukturës rrugore në lagjen Kalabria, problemet që ka shkaktuar lumi i Prishtinës i takojnë të kaluarës. Sigurisht këtë deklaratë e merr si të besueshme edhe udhëheqja aktuale e cila prej vitesh që është në pushtet nuk e ka ndryshuar situatën.

Parku «Gërmia» është adresa numër një për shumë familje nga kryeqyteti dhe rrethina për të kaluar fundjavën. Ditëve të pranverës, kur numri i vizitorëve në parqe natyrshëm rritet, qytetarët janë bombarduar me lajme për shfaqjen e gjarpërinjëve në Gërmi, thua se nuk është pranvera koha kur gjarpërinjët shfaqen më shumë! «Një prej gjarpërinjve më të rrezikshëm në Europë gjendet në Gërmi» – ky është titulli i një artikulli në portalin «Telegrafi». Burimi kryesor dhe i vetëm është postimi i një aktivisti të shoqërisë civile, siç e konsideron «Telegrafi», por i cili, gjithashtu, i referohet një qytetari të panjohur që ka postuar një fotografi të gjarpërit në parkun e Prishtinës. Ndonëse fotografia që nuk ka asnjë shenjë verifikese se është shkrepur në «Gërmi», aktivisti i shoqërisë civile alarmon miqtë e tij në Facebook, pastaj portalet lëshojnë sirenën e alarmit për rrezikun e këtij lloj gjarpëri.

Këto lloj lajmesh janë të pranishme çdo ditë në portalet e Kosovës. Me të drejtë profesionistët e fushës, kryesisht gazetarët, kanë filluar ta trajtojnë me humor hapësirën që disa portale i kushtojnë këtij fenomeni, por a nuk do të duhej që komuna e Prishtinës të dalë me një qëndrim për këtë? Ta hedhë poshtë propagandën në mënyrë që qytetarët ta eksplorojnë lirshëm malin e «Gërmisë» ose, nëse vërtetë ka rrezik, t’i konfirmojë hipotezat e aktivistëve të shoqërisë civile dhe të portaleve. Sot secili mund të dëgjojë prindër teksa u thonë fëmijëve të mos largohen nga fusha, të mos ngjiten në mal, sepse do t’u shfaqet gjarpëri që mund t’i kafshojë.

Ditë më parë edhe fëmijët kosovarë shënuan ditën ndërkombëtare të tyre. Pa hyrë në histori, 1 qershori rikthen vëmendjen tek të gjithë; prindërit dhe politikbërësit për më shumë kujdes dhe respektim të të drejtave të fëmijëve. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që me vetëdije e me vullnet, në baza ditore shuajnë ëndrra fëmijësh e të rriturish, shfrytëzuan Facebookun, për fjalë të mëdha për fëmijët si dhe fotografi me ta; një mënyrë për të shkëlqyer edhe vetë, së paku në fotografi. «Investimi në fëmijë është investim në të ardhmen. Fëmijët çdo ditë e bëjnë jetën tonë më të mirë, prandaj edhe ne duhet të bëjmë më shumë për t’ju siguruar një mjedis më të mirë atyre», thuhet në postimin e presidentit Hashim Thaçi.

Nëse i referohemi mediave, dhjetëra fëmijë e kanë takuar kryeministrin, disa të tjerë e takuan kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka shpërndarë linkun e emisionit në të cilin ka qenë i ftuar për të bashkëbiseduar më fëmijët e shkollës që për ironi mbanë emrin «Shkolla e Gjelbër» në Prishtinë. Do të ishte mrekulli sikur emërtimet e objekteve arsimore në Kosovë të asocionin me nivelin e arsimimit që fëmijët përvetësojnë në përgjithësi. «Mysafir special» i ka quajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli fëmijët të cilët e kanë vizituar këtë institucion me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve.

Të tjerë fëmijë i zuri terri në fontanat e sheshit të Prishtinës, të shndërruara së fundi në pishina të ndotura për më të vegjëlit që e kalojnë kohën në kërkim të hapësirave që mungojnë. Dhe nganjëherë, në mungesë të hapësirave, prindërit shkojnë me me të vegjlit e tyre te ai restoranti në lagjen Kalabria, ku duhma e përroskës ua acaron jo vetëm nervat.