Fëmijët e përkëdhelur dështojnë më shpesh

Një studim i ri tregon se fëmijët të cilët gëzojnë kujdes permanent dhe lavdërohen tepër, kanë më pak shanse në jetë.

Egoistët e ardhshëm? Foto: Shutterstock



Fëmijët që janë të aftë të ballafaqohen me frustrime dhe dështime janë më të suksesshëm në shkollë dhe profesion. Në këtë përfundim ka arritur në një studim të ri shkencëtarja zvicerane e çështjeve arsimore, Margrit Stamm. Ajo ka konstatuar se nxënësit që mësojnë mirë janë në gjendje të ballafaqohen me probleme dhe vështirësi, shkruan gazeta e Zürichut «NZZ am Sonntag» në numrin e sotëm.

Baza për këtë aftësi duhet të vihet herët, thotë Stamm. Por, sipas saj, shpesh ndodh e kundërta: «Fëmijët sot edukohen për të qenë egoistë të vegjël». Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga çerdhet e fëmijëve. Shumë fëmijë sillen si të ishin princër apo princesha dhe kanë vështirësi të integrohen brenda një grupi fëmijësh. Arsyeja për këtë është edukimi shumë përkëdhelës, thekson Stamm.

Edhe Philipp Ramming, kryetar i Shoqatës Zvicerane të Psikologëve të Fëmijëve dhe të të Rinjve deklaroi se prindërit e sotëm nuk i durojnë emocionet negative të fëmijëve të tyre. «Sapo të fillojë të qajë fëmija, ata bëjnë gjithçka që ta bëjnë të lumtur». (-lli)