Fëmijë të epokës

Foto: Shutterstock



Jemi fëmijë të epokës
epoka është politike

Të gjitha çështjet tu, tonat, tuajat
çështje të ditës, çështje të natës
janë çështje politike

Deshe s’deshe
gjenet tua kanë të kaluarën politike
lëkura nuancën politike
sytë aspektin politik
Çfarëdo të flasësh ka rezonancën
ajo për çfarë hesht ka kuptim
kështu o ashtu politik

Edhe kur shkon rrugës, pyllit
bën hapat politik
në trollin politik

Poezitë apolitike po ashtu janë politike
ndërsa lart ndrin hëna por jo më si hënë
me kenë a mos me kenë çështje është
Çfarë çështje përgjigju i dashur
Çështje politike

Nuk duhesh të jesh madje as qenie njerëzore
që të fitosh rëndësi politike
Mjafton të jesh naftë e papërpunuar
ushqim i koncentruar ose lëndë e dytë dytësore
dhe së paku tryezë konsultimesh për formën e të cilës
zihen muaj të tërë

Ndërkohë njerëzit kanë vdekur
kafshët kanë ngordhur
djegur janë shtëpitë
dhe fushat e lëna pasdore
si në epoka të moçme
dhe më pak politike

Nga polonishtja: Mazllum SANEJA