«FemArt» tubon mbi 100 artiste e aktiviste

Mbi njëqind artiste dhe aktiviste nga vende të ndryshme të botës do të takohen në kryeqytet. Për gjashtë ditë me radhë, veprat e tyre artistike do të shërbejnë për të përcjellë mesazhe e për të ngritur zërin për të drejtat e njeriut. Shkak për këtë do të jetë edicioni i tretë i festivalit të artisteve për të drejtat e njeriut «FemArt», që e organizon «Artpolis» - Qendra për Art dhe Komunitet.




Shfaqje teatrale, filma dokumentarë dhe të shkurtër, lexim skenik, punëtori, ekspozita, performanca, promovim librash, poezi, muzikë, panele diskutimi, koncerte, punëtori dhe forma të tjera të artit të krijuara nga artistet dhe aktivistet nga Kosova, rajoni, Evropa dhe Amerika do të shpalosen prej datës 7 deri më 12 të këtij muaji, shkruan sot «Koha Ditore».

Me datën shtatë, të mërkurën, «FemArt» do të hapet me perfromancë teatrale, që vjen premierë në Kosovë. Shfaqja «Krisjet janë ashtu siç hyn drita», me regji të Deirdre Morris, vjen nga ShBA-ja. Pas saj në kuadër të programit do të lexohen poezi, për të vazhduar më pas me hapjen e ekspozitës së artistes hungareze Salome Kokoladze, «Qenia proteine, bota sterile».

Këto aktivitete do të zënë vend në teatrin «Oda». Ndërsa dita e dytë do të hapet me punëtorinë «Teatri fizik» që do të udhëhiqet nga Morris bashkë me Kathryn Mark. Një tjetër aktivitet që do të zërë vend të enjten është edhe shfaqja e filmit dokumentar «Misioni dhunim- një mjet lufte», nga Annette Mari Olsen dhe Katia Forbert, si bashkëpunim mes Danimarkës, Bosnjës dhe Britanisë së Madhe.