«FemArt» për Nexhmije Pagarushën përmbylli edicionin e katërt

Me shfaqje, muzikë dhe ndarjen e çmimit «FemArt» për këngëtaren Nexhmije Pagarusha u mbyll edicioni i sivjetmë i festivalit që mëton të promovojë të drejtat e njeriut dhe krijimin e hapësirës unike për gratë artiste.




Ani pse nuk qe e pranishme për të pranuar çmimin e festivalit, këngëtarja e cilësuar si Bilbili i Kosovës u nderua për kontributin e saj në zhvillimin e artit dhe frymëzimin e ndikimin për humanizëm që ka pasur te njerëzit e popullit të vet, shkruan sot «Koha Ditore». Mbrëmja e së hënës ka shënuar përmbylljen e edicionit të katërt të «FemArt».

Ndarjes së këtij çmimi në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës i ka paraprirë shfaqja «Rrëfimet private» e regjisores Nina Nikoliq dhe koncerti i sopranos Besa Llugiqi e shoqëruar nga pianistja Lirika Pula. Të dyja kanë performuar në kuadër të bashkëpunimit që ka pasur «FemArt» me festivalin ndërkombëtar të muziktarëve të rinj «DAM Fest».

Dyshja Llugiqi-Pula në fillim të javës së kaluar në Foajeun Evropian në Luksemburq me koncertin e përmbledhur nën titullin «Direkt nga Kosova» shpalosi vlerat e muzikës shqipe. Koncerti qe i organizuar në kuadër të serisë «Përplasje» të festivalit ndërkombëtar të muziktarëve të rinj «DAM Fest».

Drejtoresha e festivalit «FemArt», Zana Hoxha-Krasniqi, është ngjitur në skenë e fundit për të përmbyllur edicionin e sivjetmë me lajmin se për herë të parë festivali ndan çmimin «FemArt», siç ka thënë ajo, «për artisten e cila ka kontribuar me dekada për zhvillimin e artit e në veçanti artit muzikor». Por, sipas Krasniqit, veprimtaria e Pagarushës i tejkalon kufijtë e muzikës.

Ajo ka njoftuar se çmimi «FemArt» do të bëhet tradicional dhe në edicionet e radhës të gjithë pjesëtarët e komunitetit artistik do të kenë të drejtë të propozojnë apo të nominojnë ndonjë artiste të tyren të preferuar.

Dyshja Llugiqi-Pula e ka nisur koncertin me arien «Je Veux vivre» të operës «Romeo et Juliet» të kompozuar nga Charles Gounod. Fill pas kësaj Llugiqi ka interpretuar arien «Song to the moon» të operës «Rusalka» kompozuar nga Antonin Dvorak. Pjesa tjetër e koncertit të sopranos kosovare që ka bërë emër edhe në skenën ndërkombëtare ka vazhduar me muzikë shqiptare. «Mes dashurive» e Çesk Zadesë, «Agimet shqiptare» e Avni Mulës dhe «Për mu paska kenë kismet» të Palokë Kurtit ishin këngët me të cilat u finalizua udhëtimi gjashtëditor i «FemArt».

«U ndjeva shumë e privilegjuar që kemi përmbyllur një festival kaq të rëndësishëm me një kauzë gjithashtu të rëndësishme, me një çmim për një zonjë dhe emër kaq të madh për ne siç është Nexhmije Pagarusha», ka thënë sopranoja Besa Llugiqi, teksa ka falënderuar ekipin e «FemArt» që, siç ka thënë ajo, «po lë gjurmë në ndritjen e grave dhe vlerëson shumë punën e tyre».