FAZ: Suksesi i futbollistëve kosovarë është pasqyrë e historisë së vendit të tyre

Gazeta e famshme gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) shkruan se Kosova po kërkon talentet e vet në mbarë Europën për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi. Por një rrezik juridik vjen nga Serbia, e cila përfaqësohet nga një zyrë e avokaturës në Vjenë. E përditshmja gjermane thekson se duhet përkrahur idenë që Kosova të ketë reprezentacion të vetin, sepse ai do të forconte identitetin kosovar dhe stabilizonte rajonin.

Këtë të enjte zhvillohet ndeshja debutuese e Kosovës kundër Kroacisë. Ilustrimi: Shutterstock

Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Lorik Cana dhe Granit Xhaka kanë një gjë të përbashkët: janë mjeshtër të topit në fushën e gjelbër. Behrami ka luajtur për HSV, tani është aktiv në Premier League. Atje luan edhe Shaqiri, i cili më parë provoi fatin në Bayern München dhe në Inter të Milanos. Xhaka sivjet po ashtu shkoi në ishull, në Britani, ku mori 45 milionë euro nga FC Arsenali. Lorik Cana ka luajtur shkurt për Galatasaray Stamboll dhe Lazio Rom dhe më gjatë për Paris Saint-Germain dhe Olimpique Marseille. Tani luan në Nantes.

Por këta lojtarë kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: të gjithë janë nga Kosova. Cana nga Prishtina, Behrami nga Mitrovica, Shaqiri nga Gjilani. Xhaka ka lindur në Basel, por prindërit e tij rrjedhin nga Kosova, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në numrin e së enjtes. Artikulli është botuar në faqen e tretë, e cila konsiderohet si më prominentja. «Deri para pak muajsh këto detaje biografike kanë qenë të parëndësishme, por kjo ka ndryshuar. Më 3 maj Federata e Futbollit e Kosovës është pranuar në Federatën Europiane të Futbollit (UEFA) dhe pak më vonë në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA). Për këtë arsye një ekip i Kosovës mund të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror më 2018 në Rusi. Në lojën e parë jashtë vendit në historinë e futbollit kosovar, lojtarët e Kosovës ia morën një pikë Finlandës (1:1). Për Kosovën shënoi Valon Berisha, i lindur në Malmö si fëmijë i emigrantëve kosovarë, i cili në përditshmërinë e tij i shërben RB Salzburgut. Këtë të enjte zhvillohet ndeshja debutuese e Kosovës kundër Kroacisë», shkruan gazeta gjermane.

Ndërsa në Kosovë mbretëron eufori, disa funksionarë të huaj të futbollit po zemërohen që kosovarët kanë të drejtë të luajnë në futbollin ndërkombëtar. FAZ citon gazetën «Daily Mail» e cila së fundi ka shkrua se përkundër faktit që Kosova ka më pak se dy milionë banorë, lista e lojtarëve që mund të luajnë për Kombëtaren e saj është tejet mbresëlënëse. «Në të vërtetë në letër do të mund të krijohej një ekip i Kosovës, i cili mbase nuk do të kishte vështirësi për kualifikim në Rusi. Në gjysmën e Europës për ekipe kombëtare luajnë lojtarë nga Kosova apo fëmijë të mërgimtarëve kosovarë. Kjo pasqyron historinë e këtij shteti të ri: meqë reprezentacioni i Kosovës, e cila shpalli pavarësinë tek më 2008, më parë nuk kishin të drejtë të luanin, talentet kosovare vraponin kryesisht ose për Shqipërinë apo për ekipet e atyre vendeve ku fati i kishte përplasur prindërit e tyre. Përparim Hetemaj, i lindur më 1986 në Skenderaj, për shembull, luan në Seria A në Veronë dhe deri më tani 25 herë ka luajtur për Finlandën. Gati gjysma e ekipit kombëtar shqiptar përbëhet prej lojtarëve të lindur në Kosovë apo prindërit e të cilëve rrjedhin nga atje. Ekipi zviceran pa Behramin, Shaqirin, Xhakën dhe kontribuues të tjerë me origjinë kosovare në ofensivë mbase nuk do ta kishte as gjysmën e vlerës që ka tani», shkruan FAZ.

Kjo gazetë njofton se për shkak të përpjekjeve të palës kosovare për të bindur disa lojtarë të Zvicrës të luajnë për Kosovën ka reaguar ashpër Federata e Futbollit e Zvicrës. «Në të vërtetë nacionalistët kosovaro-shqiptar zhvilluan fushata nxitëse kundër lojtarëve, të cilët nuk vendosën të luajnë për Kosovën».

E përditshmja gjermane thekson se duhet përkrahur idenë që Kosova të ketë reprezentacion të vetin, sepse ai do të forconte identitetin kosovar, por përmend një problem tjetër i cili shtetit të ri mund t’ia prish ëndrrat e futbollit. Serbia ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UEFA me argumentin se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Sipas FAZ argumenti serb është vështirë të kundërshtohet. Përkrahësit e Kosovës në Kongresin e UEFA-s në Budapest u përpoqën të ndërrojnë statutin: anëtar i ri mund të bëhej një shtet i pranuar nga shumica e shteteve të BE-së dhe jo nga OKB. Gjatë votimit 33 prej 54 federatave të UEFA-s përkrahën këtë ide, por meqë për ndryshimin e statutit kërkohen dy të tretat e shumicës, nisma dështoi.

Megjithatë, në Budapest u votua për pranimin e Kosovës. 28 federata ishin për, 24 kundër, dy vota qenë të pavlefshme. Për të pranuar një vend kërkohet vetëm shumica e thjeshtë – kështu Kosova menjëherë u bë pjesë e UEFA-s. Beogradi ka protestuar dhe ka angazhuar zyrën e avokaturës Lansky, Ganzger & Partner me seli në Vjenë për ta përfaqësuar Federatën Serbe të Futbollit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës. Avokati Gabriel Lansky i ka deklaruar gazetës gjermane se rasti është i qartë: statutet e UEFA-s dhe Karta e OKB-së nuk lejojnë pranimin e Kosovës. Më 31 tetor Gjykata në Lausanne do të marrë vendim. «Nëse pranohet kërkesa serbe, do të fitonte drejtësia, por me gjasë jo stabiliteti në Ballkan», përfundon FAZ. (-lli)