FAZ: Lufta e vështirë dhe e pamundshme e Shqipërisë kundër korrupsionit

Në Shqipëri 800 gjykatës dhe prokurorë duhet t’i nënshtrohen verifikimit të integritetit të tyre. Dy të tretat mund të mos e kalojnë testin, shkruan gazeta e njohur gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ). Megjithatë, Shqipëria mbetet një vend i mbajtur peng nga krimi i organizuar. Bernd Borchardt, shef i delegacionit të OSBE-së në Tiranë, së fundi tërhoqi vërejtjen se mund të «investohen» më shumë se dy miliardë euro nga bizneset me drogë për t’i manipuluar zgjedhjet parlamentare.

Ara me kanabis në Shqipëri.



Tashmë tri vite Shqipëria është kandidat për anëtarësim në BE, por fillimi i negociatave po stagnon për shkak të deficiteve të shtetit ligjor dhe infiltrimit të institucioneve nga krimi i organizuar, shkruan gazeta e njohur gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në numrin e së premtes. Një problem i madh mbetet korrupsioni në drejtësi. Ndonëse gjykatësit dhe prokurorët janë të obliguar të deklarojnë pasurinë, këtë rregull në Shqipëri nuk e respektojnë shumë zyrtarë të drejtësisë dhe nuk ndëshkohen. Një hulumtim i publikuar në dhjetor tregoi se pasuria e 81 gjykatësve të apelit ishte pesëfishuar që nga viti 2004. Një gjykatës madje deklaroi se kishte një pasuri prej 1,5 milionë euro – ndonëse Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, siç nënvizon gazeta gjermane. Të ardhurat mesatare vjetore janë 3800 euro.

Që nga 1 janari një ligj parasheh një evaluim në tërë sektorin e drejtësisë. 800 gjykatës dhe prokurorë duhet t’i nënshtrohen verifikimit mbi kualifikimin e tyre, integritetin moral, pavarësinë politike dhe kontaktet eventuale me krimin e organizuar. Për të kryer këtë punë do të themelohet një komision, 27 anëtarët e të cilit emërohen nga parlamenti. Puna e tyre do të mbikëqyret nga një grup vëzhguesish ndërkombëtar (IMO). Ndër detyrat e para të IMO-së është përpilimi i një «liste të zezë» për të penguar që parlamenti të dërgojë kandidatë të dyshimtë te komisionit i verifikimit. IMO do të drejtohet nga Genoveva Ruiz Calavera, një zyrtare e Komisionit të BE-së. Sipas gazetës gjermane vlerësohet se dy të tretat e gjykatësve dhe prokurorëve mund të dështojnë gjatë evaluimit dhe të humbin vendet e punës. «Deri më tani në asnjë shtet postkomunist nuk është ndërmarrë një spastrim aq radikal. Ftesa që qeveria ia dërgoi grupit të vëzhguesve ndërkombëtarë është pranim se vendi nuk ka fuqi ta çlirojë drejtësinë nga prangat e korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të instrumentalizimit politik. Ndonëse vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë kompetenca ekzekutive, autoritet shqiptare vështirë se do të marrin guximin të kundërshtojnë këshillat e tyre», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të ngulitura thellë në klasën politike të Shqipërisë. Bernd Borchardt, shef i delegacionit të OSBE-së në Tiranë, së fundi tërhoqi vërejtjen se mund të «investohen» më shumë se dy miliardë euro nga bizneset me drogë për t’i manipuluar zgjedhjet parlamentare. Si pasojë e një ligji për dekriminalizimin e politikës që nga viti 2015 më shumë se 30 deputetë kanë dhënë dorëheqje, së fundi deputeti socialist Armando Prenga, por sukseset e mëdha në luftë kundër krimit të organizuar nuk janë arritur ende. «Një fletarrest ndërkombëtar kundër baronit të drogës Klement Balili u injorua aq gjatë nga policia shqiptare, derisa Escobari i Ballkanit ia doli të zhduket. Në rrjetin e hetuesve mbesin vetëm peshqit e vegjël. Mbetet po ashtu enigmë se përse gjithnjë e më shumë hashash shqiptar po vërshon tregun, ndonëse policia vjeshtën e vitit të kaluar me krenari tha se janë asgjësuar 99 për qind e zonave ku mbillet narkotikët. Vetëm gjatë shkurtit në bregdetin italian u konfiskuan disa tonelata hashash», shkruan gazeta gjermane, e cila është e afërt me kabinetin e kancelares Angela Merkel. (-lli)