Fausti. Tragjedi. Pjesë të zgjedhura

Goethe në Itali. Pikturë e Johann Heinrich Wilhelm Tischbein.

Ndaj me magjinë nisa punë;
prej shpirtrash desha të mësoj
të fshehtat që sa mot kërkoj,
që rob i ankthit të mos mbes
e çka nuk di më kot mos shes;
që sak të di se ç’paraqet
kjo bota jon’ në thelb të vet,
të njoh krejt forcat jetëplota
e mos rrëmoj ndër fjal’ të kota.

***

Me nder veç lypni çdo fitim
e mos u bëni budalla!
Kush ka arsye dhe gjykim
për shumë art nevojë s’ka.
Dhe në se doni diç të thoni,
më kot pas fjalësh mos vraponi.
Se çdo fjalim, që ndrit plot hir e vesk,
por s’thotë veçse gjëra të shpëlara,
Patjetër sjell bezdi si ai fresk,
që vjeshtës fërfëllon fletët e thara.

***

Një dijetar, që mbyllur rri si në furrik,
që jashtë veç kremten mund ta gjesh,
që botën sheh veç me tejqyrë,
si mundet të drejtojë, në ç’mënyrë?

***

Nuk vdes shkëndij’ e shpresës te truthari,
që veç pas dokrrash boshe rri shastis.
I lumtur ndjehet, kur rastis
që gjen një krimb, tek rend pas një thesari.

***

E paqëndrueshmja
ësht’ shëmbëlltyrë;
e papërftueshmja
k’tu merr fytyrë;
e patreguara
këtu gjallon;
femëramshuara
na lartëson.

***

Mes pikëllimit mjaft lëngove,
që të çukit si shkabë mu në gji.
Ta dish, dhe mes të ligjve po jetove,
Prap’ veç mes njerzve je njeri.
Me këtë s’po them të rrish
Kok’ e këmbë midis llumit.
Un’ s’i ngjaj një fuqishumit,
por me mua po të vish
të çapitemi në jetë,
do pranoj me gaz dhe vetë
që të jemi miq e shokë.
Që sot më ke, pra, shok për kokë,
apo në daç për më kollaj,
si shërbëtor e skllav më mbaj.

***

MEFISTOFELI
Për kohën, kushërirë, s’ke idenë:
Ç’u bë u bë e ç’ish më s’vjen!
Ndaj nis e merru me të renë,
se veç e reja na pëlqen!

FAUSTI
Ah, mend po luaj nga fiqiri,
si t’isha mes një panairi.

MEFISTOFELI
Rrëmeti ngjitet vrap përpjetë.
Secili shtyn e shtyhet edhe vetë.

[Përkthimi: Shpëtim Çuçka]