Fatos Lubonja: Përçarjet në Vetëvendosje janë një dëm që i bëhet shpresës për ndryshim

Publicisti i njohur shqiptar Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Fatos Lubonja.



Në një deklaratë dhënë televizionit «KTV» publicisti i shquar nga Tirana Fatos Lubonja është shprehur i shqetësuar mbi fjalosjet e fundit brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Lubonja ka analizuar kështu situatën e krijuar në partinë më të madhe politike në Kosovë: «Duhet reflektuar shumë për këto përçarje. Unë kam pasë dhe kam simpati për Vetëvendosjen. Ajo s’duhet pa si një përçarje, duhet pa si një dialektikë ndoshta, si një zhvillim i një partie, si një pjekurim i një partie, besoj se kjo do të ishte me e urta në kuptimin që ata që janë me mendime të ndryshme të ulen të dialogojnë dhe të gjejnë rrugën e përbashkët dhe ky do ishte edhe një shembull shumë i mirë edhe për të gjithë shqiptarët e tjerë në qoftë se Vetëvendosja don me sjellë një shembull ndryshe në politikën shqiptare, sepse shembulli i pastrimit të kundërshtarëve apo i konflikteve dhe i përçarjeve, i krijimit të partive të tjera është i njohur në Shqipëri, ku ndiqet egoizmi i grupeve të vegjël. Ndërsa do të ishte mirë që të bëhej një reflektim nga të gjitha palët edhe mbi kritikat, secili të mbajë përgjegjësitë e veta. Nuk e njof me detaje, por kam parasysh se ne e kemi shumë vështirë që kur prishemi, kur armiqësohemi, të mund pastaj të pajtohemi, të bashkohemi edhe të rindërtojmë diçka nga një nivel ndoshta edhe më i lartë, përkundrazi vazhdon urrejtja, këtë e kemi paguar në kuptimin e përgjithshëm edhe si shoqëri, edhe si kulturë, prandaj mendoj se është një dëm që i bëhet edhe shpresës për ndryshim edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri nëse kjo përçarje si të thuash thellohet dhe kalon në konflikte». (dp)