Fatkeqësi në fat…




R.A.* lindi në një familje të madhe kosovare. Ata ishin shtatë vëllezër dhe jetonin në një shtëpi të vogël. «Ne ishim shumë të varfër», rrëfen ai. Sa më shumë që rritej R., aq më tepër zvogëlohej shtëpia. Gjithçka bëhej më e vogël me rritën e tij, dhe të familjes. Vetëm varfëria bëhej më e madhe.

Me 21 vjet, R. ia mësyu kurbetit. Gjysma e vëllezërve të tij, gjithashtu. Ai e brakstisi dy herë atë dhe iu kthye përsëri atij. Gjashtë vite i shtyu kështu. Në 1977-tën R. u vendos përfundimisht në Zvicër. Tani mbush 38 vite këtu. Ky ishte fati i tij. Gjithë kohën ka punuar fort. 24 vitet e fundit në sektorin e ndërtimtarisë. Pa u ankuar ndonjëherë. Për rreth 30 vite nuk ishte vizituar kurrë te mjeku. Ndoshta që nga koha si stinor, kur ata kontrolloheshin në kufi nga kupa te gishtërinjtë.

Para disa vitesh R. pësoi një aksident në punë dhe e theu një unazë të boshtit kurrizor. Nuk ka më keq – nxitojnë të thonë ata që ankohen nga probleme me kurrizin. Por R. i përgënjeshtron. Ai pas një viti do të dilte në pension të parakohshëm, një privilegj i punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë… R. i harroi edhe kurrizin edhe pensionin: Gjatë ekzaminimeve me rastin e aksidentit, mjekët zbuluan se ai vuante nga një tumor në eshtra! R.A.-së iu shemb dynjaja. Një periudhë e rëndë agoi për mërgimtarin: Operacion, trajtim pas trajtimi, vizitë pas vizite… Dritë në fund të tunelit. Shpresë. Shërim.

R.A. filloi një jetë të re në Zvicër. Entet e punësimit insistonin për punë. Mjekët dëshmonin kufizime shëndetësore. Avokati kërkonte pension invalidor. Më në fund u gjet një zgjidhje që, si zakonisht në Perëndim, i kënaq të gjithë. Me një precizion matematikor R.-së iu pre një shkallë e caktuar e invaliditetit. Shuma e grumbulluar nga kontributet e tij në sigurimet shoqërore shkonte në 2’500 franaga në muaj.

Sivjet R.A. mbushi 65 vjet. Mosha e pensionit të rregullt. S’ka ku shkon! Ai vërtet vizitohet shpesh te mjeku, sepse ndërkohë i është shpifur edhe diabeti, por vajza e tij mbaron studimet për mjekësi në Kosovë… Prandaj ka qëndruar vetëm në mërgim R., që fëmijët të shkollohen dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre. Por jeta nuk është treguar gjithmonë bujare me të. Për fund, ajo i ruajti atij një shaka të hidhur: Në 2010-tën Zvicra anuloi njëanshmërisht Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Kosovën. Kjo domethënë që kosovarët të cilët dalin në pension dhe e lëshojnë Zvicrën, nuk mund ta marrin pensionin e tyre në Kosovë. Vendimi i ra R.-së si një damlla.

R.A. tani rri në banesën e tij në Zvicër. Ai ka një dhomë prej pak metrash katrorë. Ku e ku më të vogël se shtëpia e fëminisë në Kosovë. Por kjo tani i duket e madhe! Shpellë. Në fakt, ajo e tillë kishte qenë gjithmonë, por ai nuk e ka parë. Sepse jeta e tij përbëhej vetëm nga puna e rëndë dhe gjumi i lehtë.

Kështu duket çështja në kualitet. Sa shkon numri i të prekurve nga ky vendim i Zvicrës – nuk dihet. Mbase ky fakt shënon dështimin e parë të komunitetit shqiptar këtu. Të vetmit që janë angazhuar në dobi të një zgjidhje të këtij problemi janë sindikatat dhe organizatat joqeveritare në Zvicër. Në radhë të parë aktivistët shqiptarë në këto struktura të shoqërisë civile.

Vendimi lidhet me anulimin nga ana zvicerane të Marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore me disa vende që kanë emigracion në Zvicër. Kryesisht me ato që dolën nga shpërbërja e ish Jugosllavisë. Si shkak u mor dyshimi që persona të cilët tërhiqnin një pension invalidor nga Zvicra, në vendlindjen e tyre çonin një jetë aktive. Ndërkohë që vëzhgimi i autorizuar nga shteti zviceran kishte zbuluar vetëm një rast të tillë në Kosovë. Pavarësisht mbështjetjes së munguar empirike, pandehet se me rinovimin e marrëveshjeve për sigurimet shoqërore Zvicra synonte sanksionimin e përgjegjësive në rast të abuzimit me pensionet.

Penalizimi i kosovarëve qëndron në faktin se vendimi i prek edhe personat që kanë dalë në pension të moshës dhe nuk ekziston ndonjë rrezik abuzimi. Ajo që i acaron më shumë kosovarët është fakti se serbët vazhdojnë t’i marrin pensionet e tyre sipas marrëveshjes së trashëguar, deri sa të ratifikohet marrëveshja e re e negociuar midis palëve. Serbët gjithmonë kanë gëzuar një status të priviligjuar në raport me shqiptarët – në Serbi patjetër, por edhe në botë, e madje edhe në Kosovë!

Nga ana tjetër, ndërsa marrëveshja me shtetet tjera është përmbyllur, negociatat me Kosovën ende nuk kanë filluar. Zvicra u kishte dorëzuar autoriteteve kosovare menjëherë një listë me kushte që duhen plotësuar për t’i filluar bisedimet. Sapo kosovarët kishin filluar të përpëliten, ajo ua kishte prerë këmbët me zgjerimin e kushteve. Thelbi i tyre është sjellja e Ligjit për Sigurimet Shoqërore si dhe ngritja e një aparati të denjë për administrimin e procesit. Me 1 prill të këtij viti u mbushën pesë vite pa marrëveshje. Ndërkohë pensionistët kosovarë e kanë kuptuar: Çështjen e tyre e ka në dorë qeveria e tyre!

Pavarësisht faktit që kosovarët janë të stërvitur me goditje të kategorisë së rëndë, atyre u është fikur mirëkuptimi për zvarritjen e zgjidhjes së këtij ngërçi. Në njërën anë është Zvicra, ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e vendit të tyre; në anën tjetër shteti i tyre tanimë i pavarur. Në mes: qytetarët e vetmuar me të drejtën e tyre nga kontributet e derdhura në sistemin zviceran të sigurimeve shoqërore. R.A. nuk ze besë që Zvicra, ku ai ishte këputur – kishte vdekur dhe ishte ringjallur, ka vendosur të ndahet kaq keq me të. Në anën tjetër, atij nuk i hy në kokë që shteti i vet nuk ka vullnetin të merret me hallin e tyre. Sado zemërgjërë me veten, ai nuk pret edhe shumë vite jetë. Kështu nuk shkon më, «pa familje nuk jetohet!», ngre zërin R.

R.A. nuk është ndoshta në të gjitha detajet reprezentativ për komunitetin e emigrantëve shqiptarë në pension. Por situata ka padyshim një dimenzion fataliteti. Emigracioni shqiptar herë pas here vazhdon të jetë objekt thumbimesh në opinionin publik zviceran për shkak të konfliktit të pjesëtarëve të tij me ligjin. Në këto ligjërata pothuajse gjithmonë lavdërohet shembulli i gjeneratës së parë të emigrantëve shqiptarë në Zvicër si njerëz të vyer dhe të urtë. Në anën tjetër, ata janë aksionarë të mëdhenj të lirisë së Kosovës…

* R.A. është një personazh real, i intervistuar në kuadër të një hulumtimi për gjendjen e moshës së tretë, 60 e më shumë vjeç, të shqiptarëve në Zvicër: «Shqiptarët e moshuar në Zvicër. Një dinjitet stoik», në autorizim të Institutit Zviceran për Studime Shqiptare në Lozanë.