Fati i shqiponjës në Zvicër

Presioni i qarqeve politike dhe mediave të djathta zvicerane kundër futbollistëve me origjinë shqiptare për të hequr dorë nga gjesti me shqiponjë po bëhet gjithnjë e më i madh. Fushata tashmë ka marrë hov, në numrin e nesërm revista «Weltwoche» i «përshëndet» lexuesit me mesazhin: «Hopp Albanien»! Domethënë: lojtarët nuk janë lojalë ndaj Zvicrës, por ndaj Shqipërisë apo shqiptarëve në përgjithësi. Pak a shumë këtë akuzë ua ka bërë lojtarëve edhe një deputete. Për fat të keq edhe shumë komente të lexuesve zviceranë nëpër webfaqe të mediave janë skandaloze.




Dikur Roger Köppel ka qenë vetëm gazetar gjuhëbrisk, me dije tejet të gjerë, i aftë të shkruajë për shumë tema – nga kultura deri te thellësitë politike. Tani Roger Köppel është: gazetar që propagandon qëndrime tejet djathtiste, ai është botues i revistës (dikur majtiste, sot djathtiste-demagogjike) «Weltwoche» edhe deputet i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Si shkojnë të gjitha këto bashkë? Edhe deputet, edhe gazetar? Në historinë më të re të Zvicrës ky rol i dyfishtë është risi. Dhe atë rol e luan Köppel, i cili dikur ka qenë gazetar i «Neue Zürcher Zeitung», pastaj i revistës «Das Magazin», mandej kryeredaktor i gazetës gjermane «Die Welt» dhe prej vitesh drejton «Weltwoche», e cila është pothuaj zëdhënëse e SVP-së.

SVP ka qenë përherë kritike ndaj komunitetit shqiptar. Në vitet ’90 kjo parti e pati luftuar një projekt humanitar, i cili kishte për qëllim të përkrahte familjet shqiptare. Atëbotë Zürichu ishte mbuluar me posterë: «Kosovo-Albaner Nein» – jo shqiptarëve të Kosovës. Një zyrtar i lartë i SVP-së është dënuar për gjuhë raciste ndaj shqiptarëve. Përkundër këtyre qëndrimeve ka shqiptarë që kandidojnë për këtë parti. Me siguri ka edhe të tillë që votojnë për të. SVP kundërshton çdo hapje të Zvicrës ndaj Bashkimit Europian dhe lufton ngarkimin e tepërt të Zvicrës me të huajt («Überfremdung»).

Javën e kaluar, para ndeshjes Zvicër-Serbi, gazetari dhe deputeti Köppel e quajti ekipin e Zvicrës një trupë me mercenarë nga Ballkani. E vetmja gazetë në Zvicër që e qortoi gazetarin Köppel ishte «Tages Anzeiger», duke e akzuar për racizëm. Kritikat nuk i bëjnë përshtypje gazetarit Köppel. Ai jeton nga provokimi. Pas ndeshjes Zvicër:Serbi ai kërkoi që Federata e Futbollit e Zvicrës t’i dënojë Xhakën, Shaqirin dhe Lichtsteiner për shkak të gjestit me shqiponjë – sipas Köppel ky na qenkësh një «aksion propagandistik, nacionalist dhe antiserb».

E çuditshme: një gazetari që me siguri nuk ka qenë kurrë në Ballkan dhe nuk është marrë kurrë me Ballkanin, i mjafton një ndeshje futbolli (mes Zvicrës dhe Serbisë) për t’u bërë albanolog, ballkanolog dhe ornitolog (ekspert i zogjëve). Në një debat në një televizion lokal të Zürichut Köppel tha se gjesti me shqiponjë i Xhakës e kishte vënë në siklet dhe për të ilustruar sikletin e tij, ai bëri një krahasim frivol, duke thënë: «Ky gjest ishte si një situatë kur ti je duke bërë seks me gruan dhe pak para se të përjetosh orgazmën, gruaja të thotë ‘oh, Jean-Luc’, ndërsa ti e di se nuk e ke emrin ‘Jean-Luc’». Kjo mund të tingëllojë qesharake, por tregon po ashtu se një pjesë e opinionit zviceran është tejet agresive dhe nuk zgjedh mjete për t’i goditur futbollistët me origjinë nga Ballkani.

Tani presioni i qarqeve politike dhe mediave të djathta zvicerane kundër futbollistëve me origjinë shqiptare për të hequr dorë nga gjesti me shqiponjë po bëhet gjithnjë e më i madh. Fushata tashmë ka marrë hov, në numrin e nesërm revista «Weltwoche» i «përshëndet» lexuesit me mesazhin: Hopp Albanien! Domethënë: lojtarët nuk janë lojalë ndaj Zvicrës, por ndaj Shqipërisë apo shqiptarëve në përgjithësi. Pak a shumë këtë akuzë ua ka bërë edhe një deputete tjetër futbollistëve me origjinë shqiptare.

Për fat të keq edhe shumë komente të lexuesve zviceranë nëpër webfaqe të mediave janë skandaloze. Mund të thuhet se kjo është një pakicë, por gjithsesi një pakicë jo pa ndikim. Një lexues pyeti: «Shqiptarët janë të zemëruar, serbët të zemëruar, e ku jemi ne zviceranët? A nuk është ky ekipi ynë?» Gazeta bulevardeske «Blick», e cila para disa ditësh u bënte thirrje lexuesve të dërgojnë fotografi duke bërë shqiponjën, i ka dhënë hapësirë një letre publike të zviceranëve me origjinë serbe, të cilët thonë se ndihen të përjashtuar nga sjelljet e ekipit dhe insistojnë që Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner të kërojnë falje. Për të treguar gjoja paanshmëri nënshkruesit e letrës dënojnë edhe sjelljet e fansave serbë dhe të trajnerit serb në Kaliningrad. Një portal jo aq i rëndësishëm zviceran e krahasoi gjestin me shqiponjë me «përshëndetjen hitleriane». Pas presionit të shumë gazetarëve portali u detyrua të heq këtë pasus. Në shënjestër të lexuesve djathtistë janë vënë edhe gazetarët, të cilët kanë mbrojtur gjestin me shqiponjë. Ata akuzohen për nacionalizëm shqiptar apo për nxitje të urrejtjes.

Tërë ky presion po tregon efekt. Valon Behrami tha: «Nuk do ta bëjmë më shqiponjën, sepse nuk do të luajmë më me Serbinë». Ky nuk është argument i mirë, sepse nënkupton se gjesti me shqiponjë është politik dhe bëhet vetëm për të «provokuar» Serbinë. Prej disa ditësh gazetarët zviceranë janë duke hulumtuar nëse Granit Xhaka ka qenë autori i «poezisë»: «Moj Serbi rrjetën ta shpova, se mua më thonë Granit Kosova». Deri më tani nuk është dëshmuar se Xhaka ka qenë autor i këtij formulimi, i cili është e kuptueshme deri diku se ngjall entuziazëm në botën shqiptare, por mediat zvicerane dhe jo pak politikanë të djathtë këtë e shohin si veprim jolojal ndaj Zvicrës. Burime nga Federata e Futbollit e Zvicrës tregojnë për presion të ashpër kundër lojtarëve me origjinë shqiptare për të hequr dorë nga ky gjest, sepse nuk është zviceran dhe «vetëm shkakton tensione brenda ekipit».

Në tërë këtë situatë lojtarëve po u ngarkohet një barrë shumë e rëndë me pritje diametralisht të ndryshme: zviceranët pa sfond emigrimi, pra «zviceranët biologjikë», shprehin mospajtim, madje edhe mosdurim me çdo gjest të lojatarëve që i referohet origjinës së tyre, ndërsa opinioni shqiptar, sidomos euforikët e futbollit, Xhakës, Shaqirit dhe shokëve të tyre shqiptarë po u ngarkojnë detyra të rënda patriotike, të cilat këta e kanë vështirë t’i kryejnë për shkak se janë, në fund të fundit, vetëm futbollistë të Zvicrës dhe jo ushtarë të Skënderbeut. Ka edhe lojtarë shqiptarë të kombëtares zvicerane, të cilët në kushte anonimiteti, thonë: «Jemi lodhur nga ky debat mbi identitetin, mungesën e patriotizmit për Zvicrën apo teprinë e patriotizmit për shqiptarinë. Jemi lodhur. Kjo është barrë e rëndë për ne».

Në këtë situatë çfarë bie në sy është mosveprimi i komunitetit shqiptar edhe ashtu dobët të organizuar. Ndonjë organizatë që ekziston si fantazmë bëhet e gjallë vetëm kur ndodhin zhvillime që zgjojnë vëmendjen e opinionit. Pastaj zhduket. Gjenerata e re, e integruar mirë, me punë me përgjegjësi në jetën publike, ngurron të eksponohet apo nuk interesohet fare për zhvillimet shoqërore. Për të ndryshuar këtë situatë duhet organizim shumë më i mirë, por edhe pjesëmarrje në jetën publike dhe politike. Mbi 100 mijë shqiptarë mendohet se kanë shtetësi zvicerane, por pjesëmarrja në zgjedhje apo në referendume mbetet e ulët. Shumëkush e sheh pasaportën zvicerane vetëm si dokument për të udhëtuar pa probleme, por jo si oblgim për të ushtruar të drejtat qytetare.