Fashizmi nuk është ide për t’u debatuar, është një grup veprimesh që duhet luftuar

ESE POLITIK - Aleksandar Hemon, shkrimtar nga Sarajeva me banim në Amerikë, mbi problemin e mirësjelljes.




Në kohën kur isha gjimnazist në Sarajevë, miku im më i mirë ishte Zoka. Dëgjonim grupet e njëjta muzikore, shkonim në koncerte të rock-muzikës së bashku, qeshnim së bashku me shaka të marra, luanim futboll bashkë, skijonim në malet e njëjta, ishim tifozë të klubit të njëjtë të futbollit, ndanim fshehtësitë tona mbi vajzat, deheshim në park pas orëve të mësimit nga shishja e njëjtë e rakisë më të lirë. Grindeshim për shumëçka, shpesh për filma – në fillim të viteve ‘80 (por edhe më vonë) më pëlqente të jem i ditur në fushën e filmit, një gjë që me jepte liri t’i zhvlerësojë filmat të cilët ai i pëlqente.

Pas shkollës së mesme, kalonim gjithnjë e më pak kohë së bashku, megjithatë ishim akoma të afërt, sepse vazhdonim të luanim futboll dhe të grindeshim. Por, dalëngadalë, me një shpejtësi të pakuptueshme për mua, ai u shndërrua në një nacionalist serb. Posterët e rock-grupeve u zëvendësuan me shenjtorët serbë dhe me gjeneralët e Luftës së parë Botërore. Ai me nuk citonte thëniet nga filmat, por nga «Gorski Vijenac» (Kurora e Maleve), poema epike e shekullit të ‘19, që shtjellon të drejtën e serbëve të zhdukin myslimanët. E urreja këtë transformim të tij në frymën nacionaliste, tërësisht të huaj në kulturën tonë qytetare të Sarajevës ku u rritëm ne dy, dhe shpesh ia thosha ketë.

Arritëm deri në atë pikë, ku u bë e pamundur që çdo takim i yni të mos eskalojë në grindje. Shpesh insistoja, para se të nervozohesha, që të lëmë «politikën» anash dhe në vend të saj të bisedojmë për filma dhe futboll; por në momentin kur lufta filloi në Kroaci, dhe me lajmet që arrinin mbi krimet e armatës serbe, ishte vështirë të distancohemi prej saj.

Herën e fundit u takuam në vjeshtën e vitit 1991, derisa Kroacia digjej nga lufta. U grindem me orë të tëra, dhe gjatë kësaj kohe, ai këmbëngulte se Radovan Karaxhiqi – i cili sot vuan dënimin 40-vjeçar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – përfaqësonte interesat e popullit serb, duke përfshirë këtu edhe Zokën. Më kujtohet shumë mirë përgjigjja ime që ia dhashë me një ulërimë që ma dogji fytin: «Atëherë shporru bashkë me njerëzit që i përfaqëson Karaxhiqi!»

Në pranverën e vitit 1992, Zoka braktisi Sarajevën dhe të dashurën e tij, për t’iu bashkangjitur armatës serbe si mjek (ai studionte mjekësinë). E dashura e tij ishte myslimane, andaj refuzoi t’i përcjellë hapat e tij dhe mbeti në Sarajevë. Më vonë, ai i ka thënë njërit prej miqve tanë të përbashkët: «Ajo zgjodhi njerëzit e saj». Nuk e di çka ka ndodhur me të, por «njerëzit e saj» ishin të rrethuar për më shumë se një mijë ditë, dhe gjatë kësaj kohe, më shume se 11’000 «njerëz të saj», duke përfshirë këtu mbi 1000 fëmijë, u vranë.

Megjithatë, edhe pasi arrita në Chicago në vitin 1992, ne shkëmbyem disa letra të ngarkuara «politikë». Në verën e vitit 1992, e cila ishte tmerrësisht e përgjakur për Sarajevën, në letrën time të fundit drejtuar Zokës unë shkrova se Sllobodan Millosheviqi, presidenti nacionalist serb, dhe kryetari i Partisë Socialiste, i cili vdiq në Hagë duke pritur gjykimin për gjenocid dhe krime lufte, ishte një nacionalsocialist – me fjalë të tjera një nazist. Në përgjigjen e tij, Zoka plotësisht përkrahte Millosheviqin, i cili për të përfaqësonte interesat e popullit serb, duke cekur po ashtu në letrën e tij se: «Hitleri bëri shumë gjëra pozitive për gjermanët».

Në një moment të epifanisë kuptova se letra ishte shkruar në një gjuhë, të cilën unë më nuk e njihja, dhe jo vetëm për arsye se ai tani përdorte dialektin dhe diksionin shume më të afërt të «Kurorës së Maleve» se atë të grindjeve tona mbi filmat nga e kaluara. Ne ishim tani aq larg nga njëri-tjetri, saqë çdo gjë që unë mund t’i thosha, kurrë nuk do të kuptohej nga ai, ndërsa shndërrimi i tij në versionin e mëparshëm të mikut që unë mendoja se ai ishte, tanimë ishte i pamundur.

Letrës së tij nuk iu përgjigja më, dhe nuk e takova më kurrë, por ai i shkroi prindërve të mi (që ishin miq me prindërit e tij). Në këtë letër, ai vizatoi një hartë që tregonte rrethimin e Gorazhdës, një qyteze diku rreth 60 kilometra larg Sarajevës ku ai ishte i stacionuar, dhe me krenari shpjegoi se serbët nuk janë të interesuar të marrin qytezën, por të pushtojnë fabrikën e armëve. Nëna ime, e cila shpesh më luste të mos i jepja fund miqësisë me Zokën për shkak të «politikës», vajtoi mbi letrën e tij, ku Zoka të cilin ajo njihte nuk ekzistonte më. Unë e lexova po ashtu. Ishte e shkruar jo vetëm nga një i huaj, por nga një armik.

Marrëdhënia ime me luftën ishte gjithmonë e shënuar me një ndjenjë të fuqishme dështimi, sepse nuk arrita të parashikoja dot se çka do të ndodhte, edhe pse të gjitha që më duheshin t’i dija, i kisha para hundës. Derisa Zoka mori pjesë aktivisht për t’i mbajtur gjallë idetë të cilat unë i kundërshtoja, përpjekja ime nuk arriti të bëjë më shumë përveç një presion të lehtë ndaj ideve të tij fashiste, me grindje dhe ulërimë. Me fjalë të tjera, u ndjeva fajtor që nuk kam bërë mjaft, që vazhdova dialogun me të (dhe me disa miq të tjerë nacionalistë serbë) shumë më gjatë se sa që duhej, edhe atëherë kur pozitat e tij – të gjitha të gjetura shumë lehtë  duke kthyer kohën prapa në bazën e propagandës serbe – u aktualizuan me krime të kryera me gjak.

Isha i verbëruar nga miqësia jonë, e cila, e di tani, mori fund shumë më herët se dialogu ynë. Për të gjitha këto, unë ndihem fajtor, dhe turpërohem nga qyqarllëku dhe bindja ime naive, që nëse vazhdonim të bisedonim diçka do ta ndryshonte mikun tim. Duke kthyer filmin prapa kuptova se urrejtja dhe racizmi i tij ishin gjithmonë të pranishme dhe se dialogu ynë i stërzgjatur nuk kishte kurrfarë kuptimi e as dobie. Një kohë të gjatë kam ulëritur në një vakuum njerëzor.

*

E rikujtova Zokën këtë vjeshtë, kur morëm lajmin se Steve Bannon ishte një nga të ftuarit e rëndësishëm në festivalin e revistës «New Yorker», dhe do të merrte pjesë në një bisedë me kryeredaktorin David Remnick. Isha aq shumë i shqetësuar, saqë menjëherë kuptova se fashizmi i Bannonit për «New Yorker» ishte vetëm një dallim i opinioneve, që mund të debatoheshin për qejfet intelektuale të publikut parapagues.

I zemëruar, e parafytyrova një dialog të vrullshëm por të mirësjellshëm, një konfrontim të inskenuar gjithmonë të suksesshëm në këtij lloji spektaklesh intelektuale, me djathë dhe vere, dhe me vazhdim të shkëmbimit të ideve në foaje pastaj. Në shkrimet e mia në Twitter imagjinova një aheng, ku Bannon do të cicëronte dhe do të përzihej me menaxhere të hedge-fondeve, me bankierë, me intelektualë të mëdhenj, me fotografë të modës, ku të gjitha dallimet në opinion do të ndaleshin për momentin për hir të solidaritetit në mes të njerëzve të famshëm, dhe do të laheshin me sasi të mëdha të shampanjës.

Me fjalë të tjera, e përjetova këtë në mënyrë shumë personale, sepse kam botuar shkrimet në «New Yorker», dhe kam marrë pjesë në festivalin e njëjtë shumë herë. Më kaploi një ndjenjë e thellë e tradhtisë, sepse kuptova se Bannon, ky mendimtar i madh nacionalist dhe supremacist, i cili gjatë jetës së tij u përkushtua për të shkatërruar dhe nënshtruar njerëzit sikur bashkëshortja ime (amerikano-afrikane) dhe unë (një emigrant), po ashtu fëmijët tanë, familjen dhe miqtë e tjerë, ishte i mirëseardhur në një spektakël ku servohet uiski i kualitetit më të lartë, dhe debatohen idetë mbi Amerikën e cila është e rrezikuar nga njerëzit e egër, të padisiplinuar, të racës së zeze dhe emigrantët. «New York Times» raportoi se në ftesën e tij Remnick i shkroi Bannon-it: «Jemi të nderuar që do të merrni pjesë».

Por vetëm pas disa orëve nga paralajmërimi dhe pikërisht në kohën kur unë intensifikoja kërkimin për të gjetur gjëra për të thyer, «New Yorker» e anuloi ftesën. Remnick publikoi një memo, në të cilën i arsyetohet stafit se pse ka vendosur të bëjë një intervistë me Bannon, por pranoi se ky format publik ishte i gabuar për të.

Sinqeriteti i Remnick-ut më dha një dozë ngushëllimi dhe besimi në profesionin e gazetarisë, edhe pse edhe më tutje isha i bindur se intervista në skenë me Bannonin, përfundimisht dhe qartësisht do të merrte formën e thjeshtë të një shkëmbimi të ideve. Dhe menjëherë pasuan opinione të ndryshme në Twitter dhe në faqet e «New York Times» se censurimi i Bannonit ishte ngufatje e dialogut të nevojshëm me palën «tjetër» pa marrë parasysh se kush jemi «ne» dhe kush janë «ata». Dhe kështu, befasisht, Bannon shkëlqente në dritat vezulluese të arenës së sheshpazarit të ideve (kudo që kjo të ishte), dhe unë përsëri kërkoja gjëra për të thyer.

Diskutimi publik që nxiti anulimin e ftesës më ka bindur përfundimisht se vetëm ata të cilët janë të sigurt nga rreziqet e fashizmit dhe praktikave të tij, mund të mendojnë se ekziston ndonjë dobi në shkëmbimin e ideve me fashistët. Ajo që për ketë grup të privilegjuar njerëzish është thjesht një çështje e shkëmbimit të ideve potencialisht të dobishme, për shumë ne është çështje e mbijetesës themelore. Vetia kryesore e fashizmit (e shoqëruar me racizëm) është vrasja e njerëzve dhe shkatërrimi i jetës së tyre – dhe ai e bën këtë sepse haptas e synon atë.

Shikoni vetëm politikën e  «zero tolerancës ndaj emigrimit ilegal» të Stephen Millerit dhe Donald Trumpit. Ideja qendrore e fashizmit, e cila shfaqet e maskuar në një seri repertorësh të njohura, është trajtimi i grupeve të njerëzve si inferiorë ndaj «nesh» për shkaqe të ndryshme (gjenetike, kulturore e të tjera) dhe kështu synon shkatërrimin dhe asgjësimin e tyre. Çdo fashist i dreqit, duke futur këtu edhe Bannon, synon ta plotësoje këtë ide, edhe pse ai (zakonisht është ai, sepse fashizmi është një ideologji mashkullore prandaj thellësisht mizogjiniste) mundohet ta mbështjellë atë në një diskurs të viktimizimit dhe të sigurisë nacionale. E keni dëgjuar shumë herë:

«Ata» e kontaminojnë racën/popullin tonë; «ata» e shkatërrojnë kulturën tonë; «ne» duhet të bëjmë diçka për t’u ballafaquar me ketë, ose «ne» do të zhdukemi. Në fund të këtij shtegu ideologjik, na pret gjithmonë gjenocidi, pikërisht ashtu sikur ndodhi në Bosnjë.

Efektet dhe pasojat e fashizmit, megjithatë, nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë përgjatë këtij shtegu. Idetë e tij janë të miratuara së pari dhe kryesisht mbi trupat dhe jetët e njerëzve, prezenca e të cilëve është e ndaluar në sferën «tonë» nacionale. Në rastin Bannon/Trump kjo sferë është nativiste dhe e racës se bardhë. Momentalisht, idetë e tyre zbatohen mbi personat e racës së zezë dhe imigrantët, të cilët këto nuk i përjetojnë si ide, por thjesht si dhunë që zbatohet mbi ta. Zbatimi i fashizmit e ka zanafillën në ideologjinë e tij, dhe për ketë arsye, njerëzit e rrezikuar nga fashizmi, nuk janë fare të interesuar në sheshpazarin e ideve, në të cilin fashistët e kanë fjalën kryesore.

Gabimi kryesor i ftesës që iu dërgua Bannonit për festivalin e «New Yorker» nuk do të ishte mundësimi i një  platforme ku ai do të pështynte retorikën e tij të urrejtjes, sepse ai me gjasë do ta konvertonte dikë edhe gjetiu, por një shans të tillë ai e pa edhe gjatë bisedës me Remnickun. Gabimi më i madh, katastrofal do të ishte që atij t’i lejohej distancimi i ideve të tij nga praktikat fashiste, të cilat po vazhdojnë të zbatohen me dhunë brutale. Nëse ai ka ndonjë relevancë, kjo nuk është se ai është një mendimtar, por (ish-)qeveritar i cili punoi për të ndërtuar një ngrehinë trumpiste të pushtetit, e cila fut fëmijët në kafaze, dhe çmonton një nga një mekanizmat e demokracisë amerikane.

Ne nuk duhet kurrë të harrojmë, natyrisht, se «The New Yorker» ka hulumtuar vazhdimisht dhe në mënyrë të qëndrueshme të gjitha mizoritë zyrtare trumpiste, duke publikuar një vëllim të madh të shembujve ku kjo administratë thjesht e çmonton dhe shkatërron Amerikën. Në memon e tij, Remnick në fakt pohon se ka synuar t’i bëjë pyetje të rrepta Bannonit për këto veprime të dyshimta. Por mbi të gjitha, prezenca në skenë e një fashisti bashkë me Haruki Murakamin ose Zadie Smithin do t’i jepte atij një maskë të një mendimtari, të Njeriut të Ideve.

Për t’u ballafaquar në mënyrë të drejtë me Bannonin dhe sojin e tij, pra me supremacistët nacionalistë të cilët momentalisht përbejnë dhe janë aktiv në qeverinë amerikane, ata duhet të identifikohen si të tillë çfarë janë: fashistë dhe pikë. Një pjesë e madhe e mediave dhe gazetave amerikane në këtë anë të territ të Fox News nuk guxojnë ta bëjnë këtë, ta quajnë fashistin – fashist. Kjo ka të beje pjesërisht me mentalitetin e kulturës së adhurimit të personit të njohur si «celebrity» apo të lidershpit në mënyrë të verbër dhe pamenduar si një lloj refleksi të kolaborimit. Por jam i bindur se po ashtu ka të bëjë me një frikë të padurueshme se trajta e shoqërisë amerikane dhe praktikat në të cilat është mbështetur me vite për të ruajtur sadopak një sistem demokratik po shkatërrohet gradualisht, dhe askush nuk e ka idenë se çka duhet bërë; përpos ndoshta të ketë një shpresë të shpëtimit nga Mueller dhe/ose shkarkimi i presidentit.

Nëse Bannon do të përshkruhej ashtu siç është, një fashist, arena dhe sheshpazari i ideve do të konfrontohej me faktin se qeveria amerikane është duke u radikalizuar me një shpejtësi të madhe, se gjërat e paimagjinuara deri më tani janë më afër se kurrë më parë, dhe se u hapën shume shtigje tunduese të bashkëfajësisë dhe bashkëpunimit total.

Ideja se të gjithë jemi në ketë vorbull së bashku, dhe se duhet të vazhdojmë të bisedojmë është e rrezikshme sikurse ishte angazhimi im i dikurshëm për një miqësi; sepse mund të ndodhë të humbim shumë kohë në zemërime të kota, ose në dialog të paekuilibër, ku një anë është e armatosur me fjalë ndërsa ana tjetër me armë.

Është tejet e frikshme ideja se mund të hyjmë në një luftë civile, ku çdo mosmarrëveshje ose dallim mendimesh nuk mund të zgjidhet më me biseda. Është mjaft e mundshme se momentalisht nuk ekziston një zgjidhje fare, derisa njëra palë nuk shkatërrohet tërësisht si një forcë ideologjike dhe entitet politik.

Nëse ky është realiteti, atëherë lufta e pashmangshme kërkon qe forcat anti-fashiste të identifikojnë qartë armikun, dhe angazhohen me mish e me shpirt të mundin atë, kushdo që të jetë, çfarë do që kjo luftë do të diktojë. Koha e bisedës me fashistët mbaroi, edhe nëse njëri nga ata mund të jetë shoku yt më i mirë në gjimnaz.

Përktheu nga anglishtja: Teuta SKENDERI

Aleksandar Hemon është autor i pesë librave, duke përfshirë «Libri i jetëve të mia» dhe «Projekti Lazarus» (i botuar edhe në shqip). Ai është fitues i Bursës Guggenheim, Bursës MacArthur dhe çmimeve të PEN-it dhe W. G. Seabald. Ky shkrim u botua nga Literary Hub.