Fashisti rus që përzihet në zgjedhjet amerikane

Ivan Ilyin, një filozof rus, që përhapte idetë fashiste në vitet 1920 dhe '30, është idhulli i madh i Vladimir Putinit. Qëllimi i autokratit rus është ta bëjë të pakuptimtë demokracinë - madje edhe në Amerikë.

Monumenti i Pjetrit të Madh në Shën Petersburg, Rusi. Foto: Shutterstock

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka përshkruar njëherë si “katastrofë gjeopolitike” prishjen e Bashkimit Sovjetik. Por mendimtari politik që sot ka më së shumti ndikim në Rusinë e Putinit nuk është Vladimir Lenini, themeluesi i sistemit komunist, por Ivan Ilyini, profet i fashizmit rus.
Filozofi i shkëlqyer politik ka vdekur para më shumë se gjashtëdhjetë vitesh, por idetë e tij janë aktualizuar në Rusinë pas-sovjetike. Pas vitit 1991, librat e tij janë ribotuar me ekzemplarë të shumtë. Presidenti Putin nisi ta citonte në fjalimin e tij vjetor para Asamblesë Federale, një fjalim i ngjashëm me atë që presidenti Barack Obama ia adreson kombit një herë në vit.
Putini duke dashur ta kompletonte rehabilitimin, kërkoi që eshtrat e Ilyinit të riatdhesoheshin nga Zvicra dhe arkivi i tij të kthehej nga Michigani. Presidenti rus ka vendosur kurora lulesh në varrin e Ilyinit në Moskë. Dhe Putini nuk është i vetmi prej dishepujve të Ilyinit në elitën e Kremlinit.
Vladislav Surkov, propagandist i përbetuar i Moskës, është gjithashtu prej atyre që e konsideron autoritet Ilyinin. Kryeministri Dmitry Medvedev, që kishte shërbyer si president gjatë viteve 2008 dhe 2012, e rekomandon Ilyinin për studentët rusë. Ilyini ëhstë pjesë e fjalimeve të ministrit të Jashtëm, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe patriarkut të Kishës Ortodokse.
Por cilat janë idetë që kanë frymëzuar këtë frymë?
Ilyini besonte se individualiteti është djallëzor. Për të, “varieteti i qenieve njerëzore” ka demonstruar dështimin e Zotit për të kryer punën e krijimit, prandaj individualiteti ishte satanik në thelb. Duke shkuar më larg, shtresat e mesme, partitë politike dhe shoqëria civile gjithashtu janë djallëzore, sepse inkurajojnë zhvillimin e personaliteteve përtej identitetit të vetëm të bashkësisë nacionale.
Sipas Ilyinit, qëllimi i politikës është kapërcimi i individualitetit dhe krijimi i “totalitetit të gjallë” të kombit. Duke shkruar në vitet 1920 dhe ’30 pas dëbimit të tij nga Bashkimi Sovjetik, ku ishte bërë një prej ideologëve kryesorë të rusëve të bardhë antikomunistë, Ilyini e shihte Mussolinin dhe Hitlerin si liderë shembullorë që po shpëtonin Europën prej demokracisë shkatërrimtare. Në shkrimin e tij të vitit 1927 “Për fashizmin rus”, ai shkruante “vëllezërit e mi të bardhë, fashistë”. Më vonë në vitet dyzetë dhe pesëdhjetë kishte ofruar linjat e trasha për një kushtetutë të Rusisë së Shenjtë fashiste të qeverisur prej një “diktatori kombëtar” që do të “frymëzonte shpirtin e totalitetit”.
Ky lider do të ishte përgjegjës për të gjitha funksionet e qeverisë në një shtet krejtësisht të centralizuar. Zgjedhjet do të mbaheshin me votim të hapur dhe kuti transparente që të ishin thjesht ritual në përkrahje të liderit. Numërimi i votave do të ishte jorelevant. “Ne duhet të hedhim poshtë besimin e verbër në vota dhe në rëndësinë e tyre politike”.
Në dritën e rehabilitimit të Ilyinit si ideolog i Rusisë, manipulimet e Moskës të zgjedhjeve nuk duhet parë më shumë si dështim i zbatimit të demokracisë, por si minim i konceptit themeltar të demokracisë. As zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2011 e as zgjedhjet presidenciale të marsit 2012 nuk prodhuan shumicë për partinë e Putinit. Andaj ishin shtuar vota që të nxirrej një rezultat vendimtar.
Rusët që protestuan kundër kurdisjes së rezultatit të zgjedhjeve ishin konsideruar si armiq të popullit. Organiztata joqeveritare ishin detyruar të regjistroheshin si “agjentë të huaj”. Putini madje pretendoi se Hillary Clintoni, atëherë sekretare amerikane e Shtetit, “dha sinjal” që opozita ruse të dilte në rrugë. Nocioni që përcakton demokracinë kishte kuptimin e tradhtisë ndaj Rusisë, dhe kjo shkonte në mënyrë të përsosur me konceptin e Ilyinit.
Prej atëherë, Putini është mbështetur në autoritetin e Ilyinit në çdo moment kthese në politikën ruse – prej rikthimit të tij në pushtet më 2012 deri te vendimi për të ndërhyrë në Ukrainë më 2013 dhe me rastin e aneksimit të territorit të Ukrainës më 2014. Pranverën e kaluar, ai pretendoi se shërbimet amerikane të inteligjencës do të ndërhynin në zgjedhjet parlamentare ruse që u mbajtën javën e kaluar dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Se a beson dikush në Kremlin në këtë është çështje sekondare. Pretendimi i përzierjes së përhershme amerikane ka për qëllim të demonstrojë se procesi demokratik nuk është kurrgjë më shumë veç se lojë gjeopolitike.
Në kohën kur krerët rusë punojnë me vetëdije për të minuar idenë e demokracisë në vendin e tyre, ata njëherësh mundohen të diskreditojnë demokracinë jashtë vendit – përfshirë përpjekjet e sivjetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përzierjet e Rusisë në zgjedhjet tona presidenciale nuk janë përkrahje oportuniste për kandidatin e preferuar, Donald Trump, që mbështet politikën e jashtme ruse. Ato janë projeksione logjike për një ideologji të re. Demokracia nuk nënkupton mjete për ndryshim lidershipi brenda vendit, por mjete për dobësimin e armiqve jashtë vendit. Nëse shohim politikën me syrin e Ilyinit, zgjedhjet si ritual në Rusi shëndërrohen më parë në virtyt se mëkat. Dhe degradimi i demokracisë anembanë botës do të shihej si shërbim për njerëzimin.
Nëse demokracia shihet si ftesë për ndërhyrje të jashtme, atëherë hakimi i emaileve të një partie politike të huaj është punë krejtësisht e natyrshme në këtë botë. Nëse shoqëria civile nuk është kurrgjë më shumë se sa hapje dekadente për ndikim të huaj, atëherë ndikimi në media është punë krejtësisht e natyrshme. Nëse, siç shkruante Ilyini, “kuptimi aritmetik i politikës” është i dëmshëm, atëherë përzierja digjitale në zgjedhje të huaja është punë e mençur që duhet të bëhet.
Për një dekadë me radhë, Rusia i ka sponsorizuar ekstremistët e së djathtës si “monitorues zgjedhjesh” – së fundi në referendumet në Krime dhe në rajonin Donbas në Ukrainë – me qëllim të diskreditimit të zgjedhjeve dhe perceptimit për to. Meqë demokracia është punë koti, qysh besonte Ilyini, atëherë është e udhës që të imitohet gjuha e saj dhe procedurat me qëllim që të diskreditohet. Atëherë është e rëndësishme të theksohet se fushata e Trumpi imiton në praktikë këtë metodë, duke nxjerrë “vrojtues” privatë që dalin edhe japin përfundime për mashtrime që do të dalin në zgjedhje.
Teknika e minimit të demokracisë jashtë vendit kërkon që të gjenerohet dyshim aty ku kishte siguri të plotë në proces. Nëse procedurat demokratike nisin të humbin besimin qytetar, do ta pësojë edhe vetë procesi demokratik. Dhe kështu Amerika do të dukej më shumë si Rusia, që është edhe ideja e përgjithshme e kësaj qasjeje. Nëse fiton Trumpi, fiton edhe Rusia. Por nëse humb Trumpi dhe njerëzit kanë dyshime në rezultat, prapë fiton Rusia.
Prej këndvështrimit rus, është më e lehtë të rrëzohet demokracia kudo se sa të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda vendit. Rusia do të duket më e fuqishme nëse shtetet e tjera ndjekin kursin e saj të zhvillimit drejt cinizmit ndaj demokracisë që lejon fuqizimin e autoritarizmit. Andaj edhe ne mund të mësohemi me përzierje dhe t’i marrim seriozisht paralajmërimet. Nuk ia vlen më të mbahen zgjedhje dhe të rregullohen ligjërisht mënyrat e financimit të fushatave nëse nuk do të ketë interes për fuqitë e huaja armiqësore.
Amerikanët kanë shumë arsye të reformojnë procesin demokratik, por njëherësh të mbrojnë integritetin e tyre si prioritetin numër një. Fletëvotimet për çdo votues dhe financimi publik i fushatave, nëse marrim dy shembuj, do të kishin kuptim për qytetarët dhe sistemin zgjedhor. Një demokraci më e thjeshtë, do të ishte më e sigurt – dhe më shembullore.

(Autori është profesor i historisë dhe së fundi autor i “Black Earth: The Holocaust as History and Warning”. Botura në New York Times)