Fasadat e reja të Shkupit vazhdojnë të shkaktojnë pakënaqësi

Qendra moderne e biznesit Paloma Bjanka në Shkup do të jetë ndërtesa më e fundit që do të marrë një pamje të re si pjesë e riorganizimit të kryeqytetit maqedonas nga qeveria, por vendasit nuk janë të kënaqur.

Pamje nga Shkupi. RossHelen / Shutterstock

Paralajmërimet e arkitektit të ndërtesës Paloma Bjanka, Trajko Dimitrov,për ta ruajtur fasadën prej xhami dhe metali janë shpërfillur nga qyteti i Shkupit, ndërsa planet për ndryshimin e saj si pjesë e projektit Shkupi 2014 vazhdojnë.

«Kjo riorganizimi është i paarsyeshëm. Është një projekt që synon të fyejë të gjithë krijuesit e gjallë dhe të vdekur që projektuan këto ndërtesa dhe që lanë gjurmë në qytet. Ky është një gjenocid arkitekturor», tha Dimitrov.

Ai shtoi se ishte tronditur nga fakti që autoritetet nuk u konsultuan me të për idenë.

Fasadat e reja janë pjesë e planit më të gjerë të sponsorizuar nga qeveria, i njohur si Shkupi 2014, që synon t’i japë kryeqytetit të lënë pas dore një pamje më monumentale, frymëzuar nga stilet e antikitetit klasik.

Plani ka rezultuar kontrovers, ku shumë kritikë i kanë kundërshtuar stilet artistike të tij, transparencën dhe çmimin e lartë.

Autoritetet së fundmi hapën një tender për një plan të detajuar për fasadën e Paloma Bjanka më 25 gusht, më pas një firmë ndërtimi do të zgjidhet për të zbatuar punimet.

Plani paraprak për ndryshimin e fasadës, krijuar nga firma Arhitektonika, parashikon ndryshim të qendrës së biznesit të ndërtuar në fund të viteve 1980, në një stil barok.

Autoritetet lajmëruan dy vite më parë se ata planifikonin t’i jepnin Paloma Bjankas një fasadë të re, por vendasit nuk ishin të kënaqur me planin që tani po shkon përpara.

«Nuk ka kuptim», tha Borce Stamovski, një banor 39-vjeçar i Shkupit.

«Unë jetoj këtu dhe më kujtohet kur u ndërtua. E vetmja gjë që më bezdis janë kondicionerët e vënë në fasadë që prishin pamjen. Heqja e tyre do të mjaftonte», shtoi ai.

«Ata duan të projektojnë pushtet dhe të lënë trashëgiminë e tyre. Por ata nuk e kuptojnë se duke e bërë këtë po shkatërrojnë ndërtesa me vlerë që kanë një kontekst historik. Kjo i heq personalitetin qytetit», tha një tjetër banor, 56-vjeçari Zarko Korunovski.

Një bazë të dhënash e BIRN «Zbulimi i Shkup 2014» ka treguar se autoritetet deri më tani kanë shpenzuar 41 milionë euro në fasada baroke të ndërtesave në zonën qendrore, përfshirë selinë e qeverisë, ministrinë e drejtësisë dhe ministrinë e transportit.

Fasadat e reja të ndërtesave të banorëve në zonën qendrore kanë kushtuar 13.7 milionë euro. Shumica e fasadave të reja që janë përfunduar ose janë nën ndërtim ndodhen në rrugët kryesore të Sheshit Maqedonia.

Këtë vit, Shkupi ka shpenzuar 3 milionë nga 5,7 milionë euro të parashikuara për fasada të reja.

Në prill 2015, një fushatë për të shpëtuar një qendër tregtare të vitit 1970 nga një ndryshim barok i qeverisë, dështoi. Ndryshimi i fasadës ka ndaluar tashmë, por autoritetet nuk e kanë zbuluar arsyen.

Kostoja e përgjithshme e pamjes së re të Shkupit, ndryshe nga shifra e shpallur fillimisht prej 80 milionë euro, ka shkuar në më shumë se 643 milionë euro, tregoi baza e të dhënave të BIRN.

(reporter.al: http://www.reporter.al/fasadat-e-reja-te-shkupit-vazhdojne-te-shkaktojne-pakenaqesi/)