Fasada kineze e zemërimit në Zürich

Kompania shtetërore e hekurudhave në Zvicër SBB ka porositur fasadën e një ndërtese në Kinë. Mediave dhe politikanëve kjo nuk u pëlqen, sepse duan të mbrojnë ndërmarrjet vendore.

Foto: Shutterstock



Prej vitesh stacioni i trenit në Zürich, një nyjë e rëndësishme e trafikut në Zvicër, i ngjan një kantieri të madh, ku pandërprerë ndërtohet, zgjerohet, meremetohet. Afër stacionit të trenit, në Alenë e Europës, kompania shtetërore e hekurudhave SBB është duke ndërtuar 171 banesa dhe zyra. Godina e lartë 53 metra kushton 145 milionë franga. Një pjesë e këtyre parave do të shkojë në Kinë, sepse, siç ka zbuluar gazeta «Tages Anzeiger», fasada e ndërtesës në vlerë prej 20 milionë franga do të prodhohet nga firma kineze Yuanda Group. Fasada me peshë prej 3500 tonelatash do të sillet me anije nga Kina në Basel, pastaj do të transportohet me kamionë në Zürich.

Përkthyer në nocione ballkanike të biznesit kjo domethënë: kompania zvicerane e hekurudhave ia ka dhënë tenderin për fasadë një firme kineze, sepse ajo ofroi çmimin më të lirë. Ky veprim ka ngjallur zemërim në mesin e mediave, por edhe të politikanëve. Në një koment «Tages Anzeiger» shkruan se shteti nuk është turist që shkon e blen prodhime nëpër botë. Shteti, shkruan gazeta, përveç çmimit duhet të marrë parasysh edhe kritere të tjera kur vendos për tenderë. Për shembull ekologjinë, rrogat e përshtatshme, qëndrueshmërinë e artikujve apo mirëmbajtjen e tyre.

Për të fituar tenderin për fasadën e ndërtesës së SBB në stacionin e trenit në Zürich kanë konkurruar edhe firma zvicerane, por shanset e tyre qenë baras me zero. Rrogat e ulëta në Kinë e bëjnë të pamundshme për firmat zvicerane që të garojnë me ndërmarrjet kineze. Tani politikanët në Zvicër kërkojnë që përkundër çmimeve më të shtrenjta firmat zvicerane të trajtohen njëjtë nga ndërmarrjet shtetërore. Po ashtu propozohet që çmimi i ofertuesit të mos jetë kriter i vetëm, por edhe ekologjia dhe aspekti social. (-lli)