«Farmacisti» – hero ose dezertor i xhihadit

Islamistin e ri autoritetet e kanë cilësuar si një rrezik serioz për sigurinë publike. Ai momentalisht po mbahet në gjyqin hetues. Hulumtimet e televizionit zviceran e shohin atë si pjesëtar të një rrjeti, ku përmenden edhe persona me emra shqip.

Pamje nga Baseli. Foto: i g h t p o e t / Shutterstock

Emri i tij për hetuesit: «Farmacisti». Sepse kishte filluar të studjonte për farmaci. Nga fundi i 2015-tës ai kishte udhëtuar me rrëmbim për në Irak. Menjëherë më pas Sekretariati Shtetëror për Migracion lëshoi një ndalim-hyrjeje me arsyetimin se ka indikacione konkrete që «Farmacisti» po qëndron në Siri apo Irak dhe me gjasë i është bashkangjitur një grupi terrorist. Në verë ai kthehet sërish në Basel. Duke qenë se ka qëndruar më gjatë se gjashtë muaj jashtë Zvicrës, i është fshirë leja e qëndrimit këtu. I riu duhet ta lëshojë Zvicrën. Nga frika se mos kalojë në ilegalitet, ai është vendosur në një burg dëbimi.

«Farmacisti» e mohon të ketë luftuar si xhihadis, raporton portali i televizionit publik zviceran, «srf.ch». Media ka reshershuar se ai vizitohet rregullisht nga Shpetim Dauti – sipas saj, një ndër krerët e skenës së islamistëve të Baselit. Ata janë njohur në aksionin e kontestuar për shpërndarjen e Kuranit, «Lies!», i sjellë para tre vitesh në Zvicër. Sipas specialistit të ekstremizmit, Samuel Althof, ai po kërkon të fitojë ndikim në këtë skenë: «Shpetim Dauti është mentori i ‹Farmacistit›».

Sipas medies, «Farmacisti» e frekuenton xhaminë Faysal në Basel. Aty Shpetim Dauti e përkthen në gjermanisht predikimin e imamit sirian S., i njohur si baba i dy fëmijëve të Therwilit, të cilët refuzojnë t’i japin dorën mësueses. Althof mendon se kjo është një skenë nga persona të ndryshëm, të cilët po bëjnë përvoja fetare me njëri-tjetrin dhe ndoshta janë edhe ekonomikisht të mpleksur me njëri-tjetrin. Sipas tij, «Farmacisti» mund të paraqiste një figurë heroike – apo një dështak, dezertor të xhihadit.

«Farmacisti» po lufton kundër dëbimit. Nëse nuk e pranon Iraku, ai mund të dalë i lirë. Për Althof kjo do të ishte e rrezikshme. «Askush nuk e di me çfarë porosie ka ardhur ai këtu. Çfarë ka ndërmend, e di vetëm ai.» Mbetet e paqartë se përse autoritet janë të interesuara ta dëbojnë atë sa më parë, pa i bërë më parë një procedurë penale, apo mos janë duke ndjekur ndonjë procedurë sekrete, hamendet ajo. Prokuroria e shtetit po hesht, përfundon artikulli. ks