Farie Bisha – Një ditë në jetën time si emigrante?

Njeriu gjithë kohën endet në jetë dhe kur e vështron me kujdes rrethin e tij, atëherë e sheh se gjendet në një proces për ta krijuar një vendlindje. Një vendlindje që mund ta marrë gjithandej me vete.

Kam lindur më 1969 në Berat si fëmija më i vogël dhe vendlindjen time të parë e kam ndarë me katër vëllezër e motra. Kjo vendlindje ishte shtëpia e gjyshërve dhe prindërve. Ata ishin idhujt tanë, atmosfera familjare e fëmijërisë sime ka ndikuar më vonë në formimin e karakterit tim.

Përditshmërinë në Shqipëri e kam kaluar në një kohë, e cila nuk krahasohet me të sotmen. Besoj që shumë shqiptare dhe shqiptarë të gjeneratës sime do të më mbështetnin kur them se kam jetuar në dy botë. Njëra ishte e vulosur nga komunizmi në Shqipëri. Jam rritur në kushte modeste, por gjithnjë me një libër në dorë. Gjyshja ime ishte një grua shumë inteligjente, e cila më ka përkrahur dhe më ka frymëzuar në krijimtarinë time të hershme. «Dhelpra Martina» është një tregim, të cilin ia kam kushtuar asaj dhe gjyshit tim. Që si fëmijë e kisha pasion vizatimin dhe në Berat e kam ndjekur gjimnazin e arteve, me fokus në skulpturë. Kjo për mua ka qenë një kohë shumë e rëndësishme dhe nxitëse. Arti, muzika, letërsia dhe gjuha italiane ishin pasionet e mia më të mëdha, edhe atëbotë, në kohën e diktaturës kur nuk ishte e lehtë të shpaloseshe në shumë anë. Dhe, edhe pse nga ana materiale ishim të varfër, në zemër dhe në pasionet që kishim ishim të pasur. Ishte imagjinata ajo që na e mundësonte ta mundnim përditshmërinë tonë të vështirë. Pas gjimnazit vendosa ta studioja gjuhën dhe letërsinë në Elbasan.

Më 1993, jeta ime filloi në një botë tjetër, larg nga komunizmi. U martova dhe bashkë e morëm rrugën për në Itali. Unë që e adhuroja artin pa fund kisha ardhur në vendin e duhur. Duke qenë se gjuhën e kisha mësuar që në Shqipëri, nuk e kisha problem ta gjeja vendin tim në vendlindjen e re. Dhe, duke qenë se në Shqipëri mbretëronte censura në letërsi, librat që më interesonin vërtet, më së shumti ata nga filozofia dhe psikologjia, më ranë në dorë vetëm vonë. Kemi jetuar në regjionin e Venetos, në veri të Italisë, ku kanë ardhur në jetë edhe vajzat e mia, Marina, më 1994, dhe Giulia, më 2003.

Krijimtarinë letrare e kam filluar kur ndërkohë si ilustratore libri dëshiroja të lexoja tregime, për të cilat nuk kisha kufij gjatë ilustrimit, edhe pse puna me autorë të tjerë për mua ishte një kënaqësi e madhe. Me punë dhe përvojë ndryshojnë edhe nevojat dhe dëshirat e njeriut. Ilustrimet e para i kam kryer për librat «Përralla shqiptare» dhe «Fabulat e La Fontenit» të shtëpisë botuese «Uegen» në Tiranë. Unë isha e interesuar që përrallat të cilat më kishin pëlqyer aq shumë t’i përktheja në italisht dhe kështu një ide e lind një tjetër dhe në bashkëpunim me shtëpinë botuese «Aurelia» në Itali u realizua libri «Favole dei Balcani» (Tregime nga Ballkani) me pesë kapituj – me pesë tregime nga Shqipëria, katër nga Kosova, katër nga Greqia, katër nga Serbia dhe katër nga Kroacia dhe ilustrime të përshtatshme për kulturën përkatëse. Më 2013 kam botuar pesë libra të tjera të miat për fëmijë në Shqipëri, në shqip dhe në italisht. Nga loja me vendlindjen dhe identitetin, si dhe falë edukimit të prindërve të mi, gjithandej gjen material që më kujton fëmijërinë time të hershme dhe të gjallëruar. Më 2014, me familjen jemi vendosur në Luzernë, duke qenë se m’u ofrua një punë e përshtatshme. Qetësia dhe rendi i këtushëm ma kujtojnë Shqipërinë e kohës sime, gjersa serioziteti i rregullimit të punës dhe mentaliteti zviceran i punës më bëjnë shumë përshtypje dhe më frymëzojnë, sikur edhe panorama e Zvicrës qendrore.

Me ndihmën e Xhilda Biçokut dhe Remzie Gollopenit, që të dyja mësuese të shqipes në Sursee, të cilat më orientuan drejt në Zvicër, më 2015 e ofrova një kurs shqipeje për nxënës të shkollës fillore në Emmenbrücke. Kursi përkrahet nga Enti Shkollor i Kantonit të Luzernës, së këndejmi mirënjohja ime i takon Ursula Koller, e deleguar për pedagogji interkulturore dhe religjion në Kantonin e Luzernës, si dhe drejtoreshës së shkollës në Krauer dhe Gersag, Esther Schneider dhe drejtorit të shkollës së Hübelit, Benno Gut.

Nuk rrëfej me kënaqësi për përditshmërinë time, sepse përpiqem që çdo ditë të orientohem sipas fjalëve të Nënë Terezës në vjershën e saj, «Jeta»: «Jeta është surprize, zbuloje!» Nga ky këndvështrim e shoh edhe unë jetën time; asnjë ditë nuk është e krahasueshme dhe çdo ditë sjell shanse të reja.