Fantazitë për pushtet dhe solidaritet: si u bë Tito «mbret i pakurorëzuar» i botës afrikane dhe aziatike

Në Lëvizjen e Vendeve të Painkuadruara, Josip Broz Tito dhe Jugosllavia nuk ishin të interesuar në çështjet racore dhe të kolonializmit. Jugosllavia e përdori këtë angazhim për krijuar imazhin e një vendi solidar dhe për të rritur prestigjin e saj në arenën ndërkombëtare. Studiuesit ballkanas të cilët punojnë në universitetet e Amerikës Veriore, Jelena Subotić dhe Srdjan Vučetić, hedhin dritë mbi rolin e Jugosllavisë në Lëvizjen e Vendeve të Painkuadruara.

Ganë, 1961: Parada për nder të Josip Broz Titos në Accra. Foto: Museum of Yugoslavia



Duke u paraqitur në arenën ndërkombëtare si shtet që solidarizohej me vendet e dekolonizuara, Jugosllavia e Josip Broz Titos do të fitonte një status të përshtatshëm në ndarjet Lindje-Perëndim të Luftës së Ftohtë.  Megjithatë, liderët jugosllavë kishin dështuar në vazhdimësi për t’u marrë me çështjet e racizmit dhe sidomos, duke qenë të bardhë, për të kuptuar privilegjin e tyre racor. «Diplomatët dhe liderët jugosllavë që ishin qartazi kundër imperializmit, por edhe intelektualë më në zë e më kritikë marksistë të kohës, nuk e kuptuan asnjëherë racizmin e rendit botëror të kohës në të cilën jetuan», thuhet në studim e Jelena Subotićit dhe Srdjan Vučetićit. Në pozicionimin e Jugosllavisë kishte edhe dromca të racizmit dhe idesë së dominimit natyral të racës së bardhë. Në studimet historiko-politike, roli i Jugosllavisë në Lëvizjen e Vendeve të Painkuadruara është paraqitur vazhdimisht me një dozë fetishizimi. Studimi në fjalë është ndër të paktit në fushën e shkencave sociale që hedh dritë për instrumentalizimin që Jugosllavia dhe klasa e saj politike i bën kësaj lëvizjeje. Studimi nga Subotić dhe Vučetić sjell në fokus rolin kritik që Jugosllavia luajti në Lëvizjen e të Painkuadruarëve.

E ndodhur në një vakum gjeopolitik ndërmjet bllokut socialist të lindjes dhe kapitalizmit perëndimor të prirë nga SHBA, pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia kërkonte pozicionimin e saj si një vend i vogël neutral. Krijimi i Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara shihej si një përpjekje për ta vendosur këtë status në arenën ndërkombëtare dhe për të zgjatur pushtetin brenda në vend.

Samiti Afrikano-Aziatik i mbajtur në Bandung të Indonezisë në vitin 1955 kujtohet si hapi i parë për formimin e të ashtuquajturës «botë e tretë» (term që përthekon vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim), dhe të solidaritetit të popujve me ngjyrë kundër kolonializimit perëndimor dhe mbizotërimit të racës së bardhë. Përpos frymës anti-imperialiste, në fokus të samitit ishin edhe Lufta e Ftohtë dhe realpolitika e kohës. Në intervistën e tij të 27 prillit të vitit 1955, dhënë për Radio Beogradin, duke folur për rëndësinë e Samitit të Bandungut, presidenti i atëhershëm jugosllav, Josip Broz Tito, kishte thënë: «Ne si jugosllavë jemi posaçërisht të kënaqur me rezultatet e samitit, të cilat janë në harmoni të plotë me idetë tona».

Pesë vite më vonë, në fillim të vitit 1960, në një seancë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, bashkë më kryeministrin indian Xhaharlal Nehru, presidentin e Indonezisë Ahmed Sukarno, presidentin egjiptian Xhamal Abdel Naser dhe presidentin ganez Kvame Nkrumah, Tito paralajmëroi themelimin e Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara. Kjo e fundit u bazua në të gjitha pikat e Samitit të Bandungut të cilat përfshinin një sërë parimesh të Kombeve të Bashkuara për barazinë, sovranitetin, të drejtat e njeriut, parimet budiste të bashkëjetesës dhe sidomos parimet e dekolonizimit. Gjatë kësaj kohë lideri jugosllav përfitoi nga mundësia për të organizuar samitin inaugurues të lëvizjes së re. Në shtator të vitit 1961, 25 delegacione, shumica prej të cilave nga Afrika dhe Azia, u bashkuan në Beograd për të vendosur bazat e një lloj qeverisjeje për siguri botërore.

Samiti i Bandungut dhe mbledhja e parë e të painkuadruarve e mbajtur në Beograd kanë qenë pre e «anekdotave të Bandungut», nga të cilat më e njohura është ajo se si Tito personalisht e kishte udhëhequr delegacionin jugosllav në Bandung dhe ku ai i kishte vënë themelet e lëvizjes së të painkuadruarve. Në këto fabula thuhet se Tito ishte bashkë me Sukarnon, Nehrun dhe Nkrumah, ndërsa të dhënat faktike tregojnë se Nkrumah as që ishte i pranishëm. Për më tepër literatura historike dhe ajo politike shumë shpesh e ka ngatërruar Bandungun si vendin nga ku nisën të ndërtoheshin dy identitete globale. Identiteti i parë është ai i të painkuadruarve, që mund të përkthehet si një formë neutraliteti ndaj Luftës së Ftohtë. Identiteti i dytë ka të bëjë me vetëdijen për problemet racore të popujve me ngjyrë. Siç argumenton historiani Robert Vitalis, këto dy identitete jo vetëm që ishin të ndryshme, por për më tepër ishin edhe në garë me njëri-tjetrin. Ashtu siç dihet tashmë, shumica e delegatëve, me përjashtime të vogla, i bënin bisht diskutimeve për problemet racore duke e konsideruar atë si jodiplomatike.

Krijimi i Lëvizjes së të Painkuadruarëve ka qenë vetë pre e gojëdhënave. Për shembull, për një pjesë të mirë të literaturës akademike kthimi i Jugosllavisë ndaj «botës së tretë» nisi fill pas ndarjes së Stalinit me Titon e cila rezultoi me përjashtimin e Jugosllavisë nga grupi «Kominterna» (Internacionalja Komuniste). Ky i fundit ishte një organ i partive komuniste me qendër në Moskë. E shmangur dhe e kërcënuar nga blloku i Lindjes, Jugosllavia e shpalli veten të pavarur dhe të paanshme në gjeopolitikën e atëhershme. Ajo që pasoi ishte një përzierje në mes të qëndrimeve anti-sovjetike dhe një lloj përafrimi me Perëndimin. Por vetëm nga fundi i viteve 1950 Jugosllavia do të bëhej vend i painkuadruar, pra një fuqi e pavarur e palidhur me asnjë bllok, siç do të thoshte Moša Pijade, një nga figurat kryesore të partisë komuniste jugosllave. Një tjetër gojëdhënë është se ishte vetë Tito ai që e projektoi dhe drejtoi politikën e jashtme jugosllave drejt «botës së tretë». Në fakt, ky projektim erdhi nga ministri i jashtëm jugosllav Edvard Kardelj i cili qëndroi në këtë post nga në mes të viteve 1948-1953.

E vërteta është se udhëtimi në Indi i dha Titos kurajë të madhe. Gjatë lundrimit nëpër Kanalin e Suezit në janar të vitit 1955 në kthim për në Jugosllavi, lideri jugosllav foli për Lëvizjen e të Painkuadruarve edhe me ish-liderin egjiptian Naser. Një takim i tillë rezultoi me Deklaratën e Brionit, kur në korrikun e nxehtë të vitit 1956, Tito i bëri bashkë Nehrun dhe Naserin në këtë ishull jugosllav. Qëllimi i takimit ishte t’i jepej jetë kauzës së të painkuadruarve. Ndonëse mbetet një çështje e pasqaruar në analet e historisë nëse ishte vërtetë takimi në Brioni ai që i dha shtytje krijimit të Lëvizjes së të Painkuadruarve, është e sigurt se Naser, Nehru dhe Tito deklaroheshin gjithandej për formimin e organizatës.

Dokumentet historike lënë të kuptojnë se liderët dhe diplomatët jugosllavë kishin anashkaluar çdo diskutim rreth racës dhe racizmit në botë gjatë krijimit të lëvizjes. Deklarata e Brionit pasqyroi disa nga qëndrimet e Bandungut të cilat kishin të bënin me barazinë, por mungoi qartë kritika kundër kolonializmit. Në vend të kësaj, theksi ishte vënë në parandalimin e katastrofave nukleare dhe neutralitetit ndaj blloqeve politike të kohës. Në të menduarit komunist jugosllav, bota ishte e ndarë ndërmjet socialistëve dhe jo socialistëve, ndërmjet të dhunshmëve dhe të dhunuarve, të fortëve dhe të dobëtëve. Por në këtë mendim, bota nuk ishte e ndarë në kuptimin racor.

Ashtu si Tito, edhe liderë të tjerë komunistë jugosllavë bënin lidhje të shpeshta ndërmjet socializmit dhe postkolonializmit si dy aleatë ideologjik apo si zgjatime të njëra tjetrës. Dhe kjo bëhej nëpërmjet dy mënyrave. E para, duke i vënë në një kandar kombet afrikane të kolonizuara nga vendet e Europës perëndimore në njërën anë, me kolonizimin e kombeve jugosllave nga Perandoria e Habsburgut dhe ajo Osmane respektivisht. Në këtë mënyrë, duke e paraqitur Jugosllavinë si një vend postkolonial, liderët jugosllavë u thirrën në solidaritet me këto vende. Edhe teorikët jugosllavë të kohës do të shkruanin se ajo që i lidhi bashkë Indinë, Jugosllavinë dhe Egjiptin në Lëvizjen e të Painkuadruarve ishin pikërisht përvojat e tyre të përbashkëta të dominimit nga fuqi të mëdha.

Një pikë tjetër në këtë narrativ, ishte edhe ngjashmëria e Jugosllavisë me vendet afrikane dhe aziatike në zhvillim, marrë parasysh statusin e tyre të përafërt rreth parametrave ekonomik, marrëdhënieve ndërkombëtare, izolimit dhe ekonomisë së prapambetur. Megjithatë, ashtu siç do të shpjegohej më vonë, duke e pozicionuar veten si vend solidar me përvojat postkoloniale, Jugosllavia po e paraqiste veten si «të barabartë me vendet aziatike dhe afrikane, por njëkohësisht të privilegjuar». Në fakt më shumë se sa solidaritet, Jugosllavia po merrte një rol patronizues duke e paraqitur veten si vëlla i madh. Vetë Tito në vitin 1959 do të deklaronte: «Duhet t’u ndihmojmë vendeve të largëta aziatike dhe afrikane sa më shumë që të mundemi. Ata na shohin ne [Jugosllavinë] si shembull që duan ta arrijnë ndonëse kanë filluar nga kushte shumë të vështira. M’u për këtë arsye është e domosdoshme që t’u ndihmojmë. Le të rrojë gjatë kjo miqësi që po e ndërtojmë sepse kërkesat tona janë të njëjta: rroftë bashkëpunimi ndërmjet popujve » (Tito, 1959).

Në përpjekjet e tyre për ta dalluar përvojën jugosllave me atë të botës së tretë, liderët jugosllavë me vetëdije mbajtën pozitën e një vendi europian duke e paraqitur veten si europianë e të bardhë, por asnjëherë kolonizues. Sipas studiuesit Svetozar Rajak ky në fakt ishte çelësi i suksesit të madh të Titos tek liderët e vendeve aziatike e afrikane : «Tito ishte europiani i parë me ngjyrë të bardhë që nuk kishte shkuar për të sunduar, por në fakt shkoi si i barabartë duke u thirrur në pavarësi dhe respekt të ndërsjellë». Mirëpo, përkundër kësaj, Tito e paraqiste veten e tij si një udhëtar europian me ngjyrë të bardhë, jo si një revolucionar socialist që donte ta shkatërronte dominimin e të bardhëve në botë.

Performansat e Titos dhe Jugosllavia solidare

Takimi i radhës i liderëve të painkuadruar do të mbahej në Beograd në fillim të shtatorit të vitit 1961. I tërë qyteti u vë në shërbim të kësaj performanse. Nuk u kursyen mjetet financiare. U ndërtuan 40 rrugë të reja, infrastruktura ekzistuese u riparua, dhe qytetit iu shtuan dritat e para të neonit (Hodzic, 2016). E gjithë kjo shoqërohej me flamujt e kudondodhur të vendeve përkatëse, që nga autorrugët e deri te aeroporti. U shtrua madje edhe një darkë shtetërore për dy mijë mysafirë me Titon dhe zonjën e parë jugosllave, Jovankën, si nikoqirë. Këto zhvillime e kishin shndërruar Beogradin për pak ditë në qendrën globale për spektakël medial. Gazeta «The New York Times» do ta quante aso kohe Beogradin «parajsë për kameramanë e fotografë».

Derisa të gjitha samitet e ngjashme të asaj kohe ishin deri diku «performansa», samiti i Beogradit vendosi standarde tjera duke krijuar qendra të shtypit, hapësira të veçanta për qindra gazetarë, themelimin e radio televizioneve dhe buletineve të ndryshme nëpërmjet së cilëve Jugosllavia do të bëhej «lajm i përditshëm» në Indi. Një gjë e tillë krijoi një solidaritet dhe identitetit në një format që nuk kishte ekzistuar më parë.

Zgjerimi i shpejtë i kontakteve me vendet afrikane dhe aziatike ishte një lloj tjetër i performansës. Sapo një vend i ish-kolonizuar do të deklaronte pavarësinë nga ndonjë shtet i Europës perëndimore, jugosllavët do të vendosnin menjëherë kontakte diplomatike me vendet e pavarësuara rishtazi. Qendrat e komunikimit dhe rinia socialiste jugosllave kujdeseshin që të gjitha materialet e tyre në gjuhën angleze të arrinin po aq shpejt në Indi e Indonezi sa ato arrinin tek qarqet socialiste në Çekosllovakinë e atëhershme.

Përveç kësaj, vetëm për vete Tito organizonte një varg performansash diplomatike për të dëshmuar solidaritetin me vendet e botës së tretë. Çdo udhëtim i tij, siç njiheshin ndryshe «vizita miqësore», fillonte me një diskutim të tijin për çështjet më të rëndësishme të globit. Pas kësaj, rëndom pasonte një ligjëratë historike mbi çlirimin e Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u përmbyllur me një ligjëratë mbi suksesin e modelit ekonomik jugosllav (Rajak, 2016). Për shkak se këto udhëtime bëheshin në jahtin e tij presidencial të quajtur «Galeb» (Mjellma), ato dukeshin edhe më madhështore. Vajtje-ardhjet e Titos ishin gjithmonë të përcjella me koreografi dhe dokumentoheshin nëpërmjet gjitha formave të komunikimit.

Të dhënat për diplomacinë kulturore të kohës janë po ashtu interesante. Në vitin 1951, Jugosllavia filloi një program të madh për dhënien e bursave për studentët nga vendet e painkuadruara, program që shpejt do të njihej si programi i të painkuadruarve për të studiuar në universitetet jugosllave. Programi ishte një zgjatim i bashkëpunimit ndërshtetëror me vendet e reja mike të Jugosllavisë, një lloj «Erasmus Mundus» i kohës së vet. Fillimet e programit ishin modeste, me katër studentë në vitin 1951 duke vazhduar me 1067 sosh në vitin 1961. Shumë nga studentët e ardhur nga Afrika dhe Azia asokohe, ankoheshin për trajtimin që u bëhej në Jugosllavi. Shpeshherë injoroheshin, kishin vështirësi të theksuara për t’u shoqëruar me vendasit, e po ashtu u përballën me një racizëm të fshehtë derisa nuk u jepeshin banesa me qira. Niveli i lartë i diskriminimit nuk kaloi pa u vërejtur. Në një raport të brendshëm të vetë lidershipit komunist jugosllav thuhej se «studentët tanë [jugosllavë], madje edhe komunistët po refuzojnë të shoqërohen me të huaj» (Lazić, 2009). Po ashtu raportohej për kërcënim fizik ndaj tyre jo vetëm nga studentët por edhe nga policia e cila supozohej se duhej t’i mbronte në raste të tilla. Studentët nga Afrika në veçanti ankoheshin për racizëm. Fjala «majmun» e drejtuar ndaj tyre ishte praktikë (Bondžić, 2011).