Fantazia zvicerane

Si një shtet me një prej ekonomive më të hapura në botë, Zvicra gjithnjë e më shumë duhet të luajë sipas rregullave globale të lojës. Ato rregulla nuk shkruhen në Bernë. Pas betejave të ashpra me autoritete amerikane të taksave në vitet e fundit, Zvicra de fakto ka hequr dorë prej sistemit të saj bankar të ruajtjes sekret të të dhënave, që është e rregulluar edhe në kushtetutën e këtij shteti evropian. Problem nuk është Brukseli. Është globalizimi.




Politikanët zviceranë këto ditë po presin e përcjellin shumë vizitorë britanikë që duan të marrin vesh më mirë se si është puna e të qenit shtet evropian pa qenë njëkohësisht anëtar i Bashkimit Europian. Njëkohësisht, politikani holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, thekson se Holanda duhet të heqë dorë nga BE-ja dhe të mbajë statusin e Zvicrës. «Zvicra është shembulli», ka deklaruar ai gjatë një interviste dhënë në majin e vitit të kaluar në RTL, duke lavdëruar sovranitetin, politikat e migracionit, demokracinë e drejtpërdrejtë dhe prosperitetin ekonomik të shtetit helvetik. Edhe e djathta ekstreme e Gjermanisë, lëvizja antiislamike «Pegida» së fundi ka përsëritur shembullin e Zvicrës në manifestimin e saj, duke thënë se të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe shteti gjerman.

Këta politikanë dhe parti politike i mëshojnë fort në të tyren se gjithçka do të shkonte fjollë po që se vendet e tyre do të tërhiqeshin prej BE-së. Gabojnë shumë. Zvicra në thelb është po aq e varur nga Brukseli sa janë edhe shtetet anëtare të BE-së. Në fakt, shteti alpin po humb gjithnjë e më shumë sovranitetit dhe ndikim demokratik sesa vendet anëtare të bllokut politik evropian. Problem nuk është Brukseli. Është globalizimi.

Si një shtet me një prej ekonomive më të hapura në botë, Zvicra gjithnjë e më shumë duhet të luajë sipas rregullave globale të lojës. Ato rregulla nuk shkruhen në Bernë. Pas betejave të ashpra me autoritete amerikane të taksave në vitet e fundit, Zvicra de fakto ka hequr dorë prej sistemit të saj bankar të ruajtjes sekret të të dhënave, që është e rregulluar edhe në kushtetutën e këtij shteti evropian.

Nëse bankat nuk do të dorëzonin dosjet bankare të mijëra qytetarëve amerikanë, gjigantët bankarë zviceranë, «UBS» dhe «Credit Suisse», do të humbnin licencat e tyre për të ushtruar veprimtari bankare në «Wall Street». Pa këto licenca, banka nuk mund të bëjë tregti me dollarë – me fjalë të tjera, merr fund puna e saj.

Washingtoni ia prezantoi Bernës një zgjidhje të qartë kristal: ose luaje lojën botërore dhe mbaji gjallë bankat më të mëdha në botë, ose luaje lojën e sovranitetit dhe mbroji klientët e huaj bankarë në vendin tënd. Më nuk kishte mundësi të ndiqje dy palë rregulla njëkohësisht – veçanërisht si shtet i vogël.

Zvicra dikur ishte strehë e sigurt për pasuritë e diktatorëve. Por, më jo. Pas presionit të madh ndërkombëtar, veçanërisht qysh prej sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Berna ua ka kthyer shpinën shpëlarësve të parave dhe maskimit të pasurisë së fituar pandershmërisht prej politikanëve. Dhe pas fushatës së fuqishme amerikane kundër zyrtarëve të dyshuar për korrupsion në FIFA në Zürich, deputetët zviceranë më në fund do të ndryshojnë një ligj miratuar një dekadë më herët, që i përjashton asociacionet prej kontrollit pavarësisht prej dyshimeve.

Pothuajse gjysma e importeve të Zvicrës vijnë nga Gjermania, Italia ose Franca. Zvicra vendosi të mos i bashkohej Zonës Ekonomike Evropiane në referendumin e vitit 1992, por zviceranëve u duhet qasje në tregun e brendshëm të BE-së, që e rrethon krejt vendin. Kështu, Berna nënshkroi shumë traktate dypalëshe me Brukselin, që i kërkojnë Zvicrës t’i qëndrojë me besnikëri rregullave themelore të qeverisjes së tregut të brendshëm – lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve.

Zviceranët votuan në shkurtin e vitit të kaluar në referendum për përcaktimin e kuotave strikte për të huajt që dëshirojnë të jetojnë në Zvicër. Zviceranët ndjejnë se ka dyndje të të huajve, edhe pse të dhënat tregojnë se 85 për qind e të këtyre të huajve janë qytetarë evropianë, kryesisht nga shtete me shkollim të mirë, si inxhinierë gjermanë ose mjekë francezë, prej të cilëve varet edhe ekonomia zvicerane. Deri më sot, Berna nuk ka ditur si të neutralizojë këtë votim me qasje të lirë në tregun e BE-së, duke treguar sa i rëndësishëm është Brukseli edhe për shtetet që janë jashtë BE-së.

Deputetët zviceranë draftojnë shumicën e ligjeve dhe rregullave në mënyrë që kompanitë zvicerane të mund të kenë qasje në tregun e brendshëm të BE-së pa u përballur me dy palë rregulla që nuk përkojnë. Tamam si puna e Norvegjisë, që votoi kundër anëtarësimit në BE më 1994, edhe Zvicra pak a shumë kopjon ligjin e BE-së në legjislacionin kombëtar të saj pa pasur ndonjë ndikim në përmbajtjen e tij.

Kur krerët e BE-së diskutojnë në Bruksel rregullat bankare ose provizionet për zonën Schengen pa pasaporta – rregulla që ndikojnë drejtpërdrejt Zvicrën, presidenti zviceran e mbyll gojën. Ambasadori zviceran nuk shkon më larg se te salla e konferencës.

Kriza në eurozonë është gjithashtu e kushtueshme për Zvicrën, po aq sa për shtetet e BE-së. Investitorët kanë shitur euro dhe kanë blerë frangat e sigurta zvicerane për vite me radhë – madje prej fillimit të krizës së euros. Kjo i bëri frangat dhe produktet zvicerane aq të shtrenjta më 2011, saqë Banka Kombëtare Zvicerane këmbeu frangat në euro. Banka bleu miliarda euro për të mbajtur stabil kursin e këmbimit valutor. Në fillim të këtij viti, banka papandehur hoqi dorë prej këmbimit, duke qenë se kishte grumbulluar 480 miliardë dollarë vlerë të monedhës së huaj, apo rreth 70 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të Zvicrës.

Për shkak të të ashtuquajturës «Francogeddon» pësoi krisje stoku zviceran në treg, fondet pësuan humbje të mëdha dhe çmimet ranë prapë. Më shumë se kurrë, qytetarët zviceranë vërshuan përtej kufijve të vendeve fqinje të BE-së për të blerë vezë, mobile shtëpiake ose verë me çmim të përgjysmuar. Shumë njerëz paguanin me kënaqësi gjobën për më shumë sasi se sa lejohet, sepse shumicën e kohës ata nuk zihen në flagrancë prej autoriteteve. Sipas revistës «Intereconomics» «rrallëherë mirëqenia e ekonomisë zvicerane në përgjithësi dhe suksesi i politikës monetare zvicerane në veçanti ka qenë kaq i varur prej euros».

Kështu që zviceranët duhet të zbatojnë kaq shumë rregulla globale dhe rregulla të BE-së, saqë është bërë kompromis me vetësundimin. Shumë qytetarë zviceranë e kanë parë se sistemi i demokracisë së drejtpërdrejtë të vendit të tyre nuk po funksionon më si dikur. Dalja e përgjithshme në zgjedhje është më e ulët se 50 për qind, larg më e ulët se sa në shumicën e shteteve anëtare të BE-së. Dhjetë vite më parë, shumë fshatra në rrethinën e Gjenevës raportonin se dalja për një referendum kishte rënë deri në 30-40 për qind, me Partinë Popullore Zvicerane të së djathtës ekstreme që prin gjithkund.

Një ish-kryetar fshati më tha se zviceranët lokalë janë bërë më të pasur duke shitur vreshtat kompanive multinacionale dhe duke lëshuar shtëpitë me qira shtresës së mesme të globalizuar. Jeta ishte e mirë, tha ai; suksesi që ia kishte dalë të menaxhonte Zvicra me joshjen e emigrantëve e kishin bërë vendin më të zhvilluar. «Por ne kemi shitur shpirtrat tanë dhe shkatërruam elementin tonë social», shtoi ai. Një tjetër zyrtar u ankua se Qeveria po injoronte refuzimin zviceran për t’iu bashkuar BE-së: «S’ka rëndësi qysh votojmë. Secilin vit, ne po marrim më shumë rregulla të BE-së nëpërmjet derës tonë të pasme».

Kështu që, ata që pretendojnë se disa shtete anëtare të BE-së duhet të heqin dorë prej unionit dhe të bëhen si Zvicra, vetëm se do të largojnë elektoratin prej vetes. Zvicra ka të njëjtin hall që kanë shtetet e BE-së: humbjen e konsiderueshme të sovranitetit. Shkaku nuk është Brukseli, por globalizimi. Andaj heqja dorë prej BE-së është thjesht ilaç që nuk bën punë, dhe ka ardhur koha që ata fantazistë ta marrin vesh këtë punë njëherë e përgjithmonë.

Ky shkrim fillimisht u botua në «Carnegie Europe»

 

Autorja është korrespondente për «NRC Handelsblad» në Vjenë dhe autore e «Zwitserlevens», botuar së fundi. Më parë ka shkruar nga Brukseli dhe Gjeneva.