Familjarët e të arrestuarve të protestës së fundit, presin vendimin jashtë Gjykatës

Familjarë të të arrestuarve, aktivistë të Vetëvendosjes dhe partive tjera opozitare, janë mbledhur para Gjykatës Themelore të Prishtinës në pritje të vendimit për masën e sigurisë ndaj 9 të arrestuarve.




Në mesin e të arrestuarve janë aktivistët e Vetëvendosjes, Ylli Hoxha, Driton Iberdemaj dhe Uran Hasani, si dhe gjashtë të tjerë të AAK-së, raporton “Koha Ditore”.

AAK dje, përmes një kumtese për media, tha se Policia e Kosovës ka përdorur dhunë ndaj aktivistëve të saj edhe brenda në stacion të policisë.

«Në mesin e të rrahurve keq është edhe Armend Loshaj, i lindur me 1996, i cili është arrestuar pa qenë i përfshirë në akte të dhunshme dhe është rrahur brenda stacionit policor, gjë që është shkelje e rëndë e detyrave të policisë dhe drejtave të njeriut. Keqtrajtimin e tij fizik e ka konfirmuar edhe avokati i tij», është thënë në kumtesën për media të AAK-së, lëshuar ditën e djeshme.