Familja shqiptare në Gjermani: Plotësisht e integruar, megjithatë para dëbimit

Recepti i familjes Beqiri është i thjeshtë: Ne gjithçka e bëjmë sikurse gjermanët. Flasim gjermanisht, punojmë, paguajmë qiranë... Megjithatë, ata duhet ta lëshojnë Gjermaninë.

Familja Beqiri ka integrimin e duhur, por pasaportën e gabuar. Pamja: n-tv.de/ Marco Büttner.

Në Sankt Märgen të Hochschwarzwaldit qeveris CDU-ja. Në 1000 metra – ndërmjet lopësh, mullarësh dhe manastirit – bota duket në rregull. Por politika e Merkelit ka lënë gjurmë edhe këtu: Në mes të fshatit banojnë refugjatë nga Afganistani, Nigeria dhe Kosova. Sami Shaqiri, gruaja e tij, Shehidja, dhe tre fëmijët e tyre duhet të largohen. Sepse Kosova llogaritet si një vend i sigurtë.

Familja Shaqiri në Gjermani ka ardhur në shkurt të 2015-tës, ajo prej një viti jeton në fshatin me 800 banorë. Dhe, është integruar në mënyrë shembullore, shkruan «n-tv.de». Nëna punon si kujdestare në hotelet më të mëdha të vendit, babai si bojaxhi në ndërmarrjen më të njohur lokale. Fëmijët e ndjekin shkollimin e rregullt, flasin shkëlqyeshëm gjermanisht dhe bëjnë pjesë kryesisht te gjysma më e mirë e nxënësve. Të ardhurat që realizojnë e bëjnë familjen të pavarur nga asistenca shtetërore – «ata paguajnë më shumë tatime se ç’ka paguar ndonjëherë ndonjë gjerman në asistencë apo ndonjë funksionar i futbollit». Por, vendimi për largim ngel vendim për largim dhe refugjati ekonomik ngel refugjat ekonomik. Në çdo moment pritet largimi. Janë eazuruar të gjitha instancat, ankimimi është i pamundur.

Por, po bëhet rezistencë: Vendimit i qëndron në rrugë fshati. Një rreth ndihmësish, i cili i ndihmon refugjatët ka dorëzuar një «kërkesë për raste të vështira» për familjen shqiptare. Peticioni kundër largimit të tyre po nënshkruhet masovikisht edhe nga banorët më të vjetër të fshatit. Mësuesit e fëmijëve iu janë drejtuar me shkrim autoriteteve që në këtë rast të sundojë humanizmi përpara byrokracisë.

Për rastin e kosovarëve është mobilizuar një komunitet i tërë. Prefekti Manfred Kreutz i është drejtuar drejtpërdrejt ministrit të brendshëm në Suttgart. Ai Beqirët i sheh si një shembull të efektit pozitiv të imigracionit në kohë të mungesës së fuqisë punëtore. Ai druan nga deziluzionimi i vullnetarëve në fshat. Kurse pronari i firmës ku punon Sami Beqiri lufton kundër humbjes së punëtorit të tij më të mirë. Pa Shaqirin ai duhet ta mbyll ndërmarrjen, raporton portali.

Formula e Samiut për integrimin është shumë e thjeshtë: «Ne të gjitha i bëjmë si gjermanët. Flasim gjermanisht, punojmë, paguajmë qiranë». Si pjesëtarë të shumicës së popullatës në Kosovë, ata nuk janë të përndjekur. Atje sundon paqja, edhe pse duhet të mbrohet nga ‹Bundeswehri› dhe trupa të tjerë. Ata nuk janë të rrezikuar nga lufta, apo dhuna shtetërore, por nga dështimi i shtetit më të varfër dhe të korruptuar në Ballkan. Atje më shumë se 30 për qind janë të papunë, ndërsa paraja e emigrantëve kosovarë është motori kryesor i ekonomisë. Prandaj, «kush mund, ai ikën».

Beqirët nuk kanë ikur vetëm nga mungesa e perspektivës, por edhe nga pasojat e vonshme të luftës së Kosovës. Shehidja si e re ka qenë dëshmitare e spastrimeve etnike. Traumat, paniku, frika e saj në Gjermani u trajtuan profesionalisht. Në Kosovë barëra kishte vetëm kur kishte para.

Në refuzimin e ankimimit kundër dëbimit, gjyqi administrativ i Freiburgut dilemën e Beqirajve e përshkruan kështu: Arritjet e admirueshme në integrim të aplikantëve janë për t’u përshëndetur dhe përkrahur. Por këto këndvëhstrime nuk kanë efekte juridike në drejtësinë e kanosjes së largimit. Ndërkaq portali shkruan me ironi: Një drejtësi dukshëm e verbër. Integrim i saktë, pasaportë e gabuar. Jashtë.

Dhe, shton: Para një viti kancelarja ka vendosur vetë që në Gjermaninë e madhe ligjet dhe marrëveshjet nuk guxojnë t’i zënë rrugën humanizmit. Këtu janë varur tani shpresat e familjes Beqiri dhe përkrahësve të tyre. ks