Familja R., Istogu dhe përrallat e Ramush H.

LDK, tha kryeministri, e paskësh lënë keq familjen e Ibrahim Rugovës. Kjo është rrenë. Familja Rugova merr dy mijë euro pension nga shteti. Dhe e ka marrë falë një vilë në Velani në vlerë prej më shumë se një milion euro. Çka duan tjetër këta? T’i çojmë në det? Në Havai? Në Bora Bora? Jo!



Të dielën në Istog të do të përsëriten zgjedhjet për kryetar të komunës. Kryetari aktual ballafaqohet me një kandidat që thuhet se ka arritur ca suksese në biznes në Hamburg. Suksese që burojnë nga djersitja nëpër disa hunj prej hekuri në lokale nate. Biznes është edhe ky. Pse jo. Për t’i ndihmuar kandidatit të partisë së tij (AAK) në Istog vrapoi të premten edhe kryeministri. Ai vajtoi, qau e bërtiti se LDK e paskësh harruar familjen e Ibrahim Rugovës. Sa keq. E paska lënë LDK të uritur familjen R. Dhe turpi bie mbi krejt shoqërinë. Marre, marre, marre nëse kjo shoqëri e lë Ukë Rugovën pa përkrahje. Në të vërtetë LDK është sjellë tepër korrekte ndaj familjes së Rugovës. I ka siguruar 2000 euro pension në muaj. Një vilë në vlerë prej mbi një milion euro. LDK nuk ka asnjë faj. LDK nuk e ka shtyrë Ukë Rugovën të merret me aktivitete kriminale. Të merret me shitje të vizave të Schengenit. Të themelojë parti qesharake sipas porosisë së padronëve të tij të nëntokës.

Të dielën të gjithë banorët e Istogut duhet t’i kenë parasysh këto fakte dhe të votojnë për kë të duan. Me rëndësi është të mos bien pre e rrenave të atij që e mban postin e shefit të qeverisë. LDK lëre që i ka siguruar privilegje të mëdha familjes Rugova, por ia ka falur edhe postin e zëvendësministrit njërit djalë të Rugovës. Çka duan këta më shumë? Kosova nuk i ka borxh familjes Rugova. Asnjë cent. S’i ka faj askush Ukë Rugovës që duhet të ballafaqohet me ligjin. Kosova s’është monarki. LDK-ja nuk ka as obligim t’ia paguajë avokatin Ukë Rugovës. Do të ishte skandaloze që LDK-ja të përzihej në një rast që po hetohet nga drejtësia.

Ndërsa drejtësia nuk e thotë fjalën e vet, Ukë Rugova, si çdo i dyshuar, konsiderohet i pafajshëm në kuptimin juridik. Por, në kuptimin publik opinioni i gjerë, siç po shihet tashmë, nuk ka ndonjë mëshirë për të, sepse ai qëmoti e ka krijuar imazhin e një personi të lidhur me nëntokën. Kosovarët janë të varfër, jetojnë keq, por budallenj nuk janë. Ata nuk ndihen mirë që Ukë Rugova e njollosi emrin e babait të vet, por këtu përfundon solidariteti i kosovarëve. Nuk mund të kërkosh solidaritet për dikë që hetohet për krim të organizuar duke iu referuar babait (kushdo qoftë ai), as nuk mund të thirresh në të ashtuquajturën famë fisnore. Kosova mëton të jetë shoqëri me rend demokratik dhe me organizim shtetëror republikan.

Ky vend nuk është monarki dhe as Ukë Rugova, as Mendim Rugova nuk janë princër trashëgimtarë. As Teuta Rugova nuk është princeshë trashëgimtare. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo mori mijëra vota emocionale, që lidhen me emrin e babait të saj, jo me të, sepse deputetja e re nuk ka asnjë përvojë politike. Mediat me të drejtë pyesin se përse Teuta Rugova nuk merr pjesë në punimet e parlamentit. Ukë Rugova është përmendur si ndërmjetësues në pazare të ndotura rreth privatizimit të hotelit «Grand», i cili ia hëngri kryet edhe drejtorit të Agjencisë së Privatizimeve, Dino Asanajt. Çfarë të bëjë shoqëria kosovare? Të vajtojë për Ukë R.? Jo. Dyshimi se ish-deputeti Rugova është marrë edhe me shitblerje vizash nxiti hetime nga ana e EULEX-it, që çuan në arrestimin e tij.

Si deputet Ukë Rugova nuk doli asnjëherë në foltore, por as nga karrigia e tij nuk e mori kurrë fjalën. Me sa duket krejt çfarë kishte për të thënë ia kishte thënë Hashim Thaçit në takimet konspirative nëpër kthina e ashensorë në Prishtinë. Kështu mbaroi karriera politike e të birit të Ibrahim Rugovës, liderit të shqiptarëve të Kosovës që në vitet ‘90 u nderua nga Këshilli i Europës me çmimin Saharov. Nëse ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu dhe kryetari i tanishëm i LDK-së Isa Mustafa kanë bërë një punë të mençur, atëherë këtë: nuk lejuan që pas vdekjes së Rugovës në parti të depërtojë banda e Ramë Marajt, Ukë Rugovës dhe Astrit Haraqisë.

Fama fisnore është referencë mesjetare, e papërshtatshme për të bërë politikë në shekullin 21. Shoqëria e Kosovës u ka dalë haku Fanë, Mendim, Ukë dhe Teuta Rugovës pafundësisht. Vlera e vilës që ua ka falur shteti tejkalon, siç u tha, një milion euro dhe gjendet në njërën ndër lagjet më të rregulluara të Prishtinës. Pothuaj askush nuk e ka kontestuar këtë, edhe pse, në fakt, po të respektoheshin rregullat për pronat e shtetit rezidenca do t’i takonte presidentit të radhës. Shteti i Kosovës ndonëse është i varfër ka vendosur që familja Rugova të marrë për çdo muaj një pension prej 2000 eurosh. Sa për krahasim: rroga mesatare në Gjermani është 2.500 euro. Po ashtu kjo familje gëzon mbrojtje të përhershme policore. Shteti i Kosovës nuk mund të marrë edhe rolin e tutorit që ta pengojë Ukë Rugovën të mos merret me allishverishe të paligjshme. Ai dhe të gjithë të tjerët e familjes Rugova janë të moshës madhore dhe do të duhej të ishin të barabartë para ligjit, si çdo qytetar i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës për ca vota në Istog baltos historinë dhe po përpiqet që hallet personale të Ukë Rugovës t’i bëjë kauzë publike. Kosova ka kauza shumë më të rëndësishme se sa të merret me zahmetet e Ukë Rugovës me drejtësi. Kosova, kjo duhet të jetë e qartë përgjithmonë, nuk është pështymore e bijve të Ibrahim Rugovës. Kryeministri mund të pështyjë për disa vota, por banorët e Istogut herët apo vonë do ta kuptojnë këtë hile.