Familja R. dhe krimi i organizuar

Shteti i Kosovës ndan pension të majmë për familjen R. Shteti i Kosovës ia fali familjes R. një vilë që kalon vlerën e një milion euro. LDK për arsye sentimentale e bëri deputete Çikën e Pagojë të familjes R. Por, familja R. është grabitqare dhe e pangopshme. Familja R. është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe kërkon hisen nga haraçi. Kosova republikane duhet t’ua tregojë vetëm gishtin e mesëm të dorës këtyre hajdutëve që njollosin emrin dhe veprën e Ibrahim Rugovës.



Koalicioni i territ, krimit dhe korrupsionit është në hall. Thotë se i ka votat e deputetëve për të krijuar qeverinë e re, por mbledhja konstituive e parlamentit të Republikës së Kosovës nuk është caktuar ende. Dhe dihet përse nuk është caktuar: sepse koalicioni i territ dhe haraçit nuk i ka votat e mjaftueshme të deputetëve. Lufta po zhvillohet në tri fronte për të siguruar numrat.

Në njërin front i ashtuquajturi president i Kosovës, në fakt shef i PDK-së, thotë se pushtetin nuk mund ta marrin ata që kanë përdorur dhunë kundër institucioneve të shtetit. Këto janë dokrra presidenciale të një figure politike që është akuzuar për zhdukje pa gjurmë të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij. Ky manipulues politik gjithë mandatin e tij si – me nder me thënë – president e shfrytëzon dhe e keqpërdorë për t’ua mbyllur gojën, për të blerë heshtjen e atyre që deri dje e kanë akuzuar se i ka rrahur gjatë luftës. Tash presidenti u hyn në shtëpi këtyre të mjerëve, u jep nga një dekoratë, i lavdëron si patriotë, ndoshta edhe u kërkon falje – dhe me kaq mbaron puna. Që Kosova ka një president të tillë është meritë e llahtarshme edhe e LDK-së, për fat të keq.

Në frontin e dytë koalicioni i territ po përpiqet ta bind Behgjet Pacollin të largohet nga aleanca me LDK-në, falë së cilës arriti të futet në parlament. Me këtë figurant politik e kanë lehtë krerët e koalicionit të territ. Ata mund t’ia kujtojnë hotelet që ia kanë shitur në Prishtinë, Farmedin, favoret e tjera… Mund ta angazhojnë edhe Edvin Ramën si ndërmjetësues pas mesnatës. «Të kam dhënë një pjesë të mirë të bregdetit për të ndërtuar hotel edhe më të madh se në Kazakistan, andaj më bëj një nder», mund t’i thotë Edvin Rama kanakarit të tij kosovar. Nderi dihet cili është: futu në koalicion me plaçkitësit më të mëdhenj në historinë më të re të Kosovës.

Në frontin e tretë koalicioni i mesnatës po lufton për të fituar zemrat e anëtarëve të familjes R. Është fjala për familjen e Ibrahim Rugovës, e cila edhe në të gjallë të tij nuk ishte shembull për dinjitet publik. Të premten kandidati për kryeministër i koalicionit të krimit vizitoi varrin e Rugovës, pastaj familjen R. Arsyeja e vizitës nuk ndërlidhej me ditëlindjen e Rugovës (ai ka lindur në dhjetor), as me vdekjen e tij (zemra e tij pushoi së rrahuri në janar 2006, atëherë kur Behgjet Pacolli i jepte intervistë një gazete të afërt me shërbimin sekret serb dhe thoshte se ka ardhur koha që Rugova të largohet. Atëherë Pacolli notonte në ujëra të tjera, pasi partinë ia kishin themeluar publicistët e lidhur me UDB-në dhe me SHIK-un, dy organizata kriminale transballkanike. Se në ç’ujëra do të notojë tani Pacolli do të shihet së shpejti).

Të premten kandidati për kryeministër i koalicionit të krimit shkoi në shtëpinë e familjes R. për t’i dhënë mesazh opinionit se pinjollia e «famshme» Teuta R., fatkeqësisht e rizgjedhur deputete në zgjedhjet e fundit, është e gatshme të tregtojë votën e saj në parlament kur të vjen puna për t’i dhënë besimin qeverisë së koalicionit «Pronto». Pinjollia doli me një deklaratë të stërzgjatur dhe të shkruar keq (prej saj s’mund të pritej më shumë, por ndoshta prej atij që ia ka shkruar). Në atë deklaratë ajo iu referua, siç llomotiti, miqësisë mes familjes R. dhe familjes H., thua se Kosova na qenkësh një monarki. Përfaqësuesi i familjes H., kandidati për kryeministër i krimit të organizuar, tha se familja R. është legjendare. Legjenda është përrallë dhe familja R. sot është vetëm një klub intrigash të përrallëtarëve perversë. Asgjë më shumë.

Sa i përket miqësisë së rrejshme mes familjes R. dhe H.: në vitin 2004 Ibrahim Rugova mori vendim për ta bërë kryeministër pinjollin e familjes H. së pari për ta ndërprerë luftën civile (në fakt vëllavrasëse) në Dukagjin. Dëshmitarët tregojnë se në rezidencën e Ibrahim Rugovës hapur është folur se njerëz të Ramush Haradinajt e kanë vrarë Tahir Zemajn, të cilin Rugova e dekoroi më vonë si hero të Kosovës apo ashtu diçka. Me vite të tëra në instancat më të larta të LDK-së R.H. dhe klani i tij janë mallkuar për vrasjen e ushtarëve të FARK-ut, pra atyre që ishin besnikë ndaj Ibrahim Rugovës. Lufta në Dukagjin nuk u ndërpre as pasi Rugova e bëri Ramush Haradinajn kryeministër. Ndërsa Haradinaj ndodhej në Hagë «persona të panjohur» ia vranë vëllain. Vrasësit nuk janë zbuluar kurrë dhe familja H. nuk është e zëshme me kërkesa për zbulimin e kriminelëve. Pinjollët e kësaj familjeje duket ta dinë përse. Me gjasë me rëndësi absolute është lufta për pushtet, me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo intrigë, me çdo inskenim, kush çan kokën për një vëlla të vrarë.

Arsyeja e dytë përse R.H. më 2004 e mori përkrahjen nga Rugova për kryeministër ishte besimi naiv se kështu R.H. do të shpëtonte nga aktakuza e Tribunalit të Hagës. Nuk shpëtoi, ndonëse më vonë u lirua për shkak se prokuroria nuk arriti të sigurojë dëshmi të pamohueshme për involvimin personal të R.H. në krime lufte.

Arsyeja e tretë që R.H. u bë kryeministër ishte dëshira e Rugovës për të qenë president i Kosovës. Ai nuk ishte politikan partiak, për të partia ishte vetëm instrument për ambiciet e tij presidenciale. Një gjë e tillë funksionoi kur Kosova ishte nën sundimin e egër serb dhe Rugova sillej si patriark qëllimmirë. Pas luftës insistimi i tij për të qenë president sa për ceremoni dhe – për rrjedhojë – për t’ia lënë postin e kryeministrit grupeve kriminale politike u dëshmua si veprim i papërgjegjshëm. Thënë shkurt: kur pinjollia Teuta R. flet për miqësi familjare me familjen H., ajo vetëm tregon injorancën e saj kolosale.

Në të vërtetë nuk dihet kush po flet tani në emër të familjes R. Teuta R. – ajo Çika e Pagojë? Apo Ukë Rugova, Djali i Pagojë dhe përfaqësuesi i denjë i krimit të organizuar? Apo mos është duke folur meteorologu Mendim Rugova? Që të tre, me gjasë edhe me miratimin e nënës së tyre që hesht si statujë e verbër, janë bërë pjesë e rrjeteve të krimit të organizuar, bandave kriminale të nëntokës së Prishtinës dhe intrigave të poshtra. Në këtë betejë kriminale atyre u qëndrojnë pranë hajdutë cinikë që kanë vetëm një qëllim: krijimin e tensioneve politike në Kosovë dhe kërkimin e shansit për t’u pasuruar edhe më shumë ilegalisht – bashkë me Ukën e Bjeshkëve të Krimit të Organizuar.

Shteti i varfër i Kosovës është treguar shumë zemërgjerë ndaj familjes R. Shteti i Kosovës ndan pension të majmë për familjen R. Shteti i Kosovës ia fali familjes R. një vilë që kalon vlerën e një milion euro. LDK për arsye sentimentale e bëri deputete Çikën e Pagojë të familjes R. Por, familja R. është grabitqare dhe e pangopshme. Familja R. është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe kërkon hisen nga haraçi. Kosova republikane duhet t’ua tregojë vetëm gishtin e mesëm të dorës këtyre hajdutëve që njollosin emrin dhe veprën e Ibrahim Rugovës. Këta hajdutë pa asnjë mandat politik nuk ngurrojnë që në betejat e tyre për të shkatërruar Lidhjen Demokratike të Kosovës – sipas porosive të SHIK-ut – të fusin madje edhe gratë e tyre, të cilat në këtë vend nuk kanë më shumë se një licencë rrobaqepësie.

Teuta Rugova, Çika e Pagojë, nuk ka asnjë mandat të flasë për koalicionet që duhet të lidhë LDK. Vendimin e marrin instancat më të larta të LDK-së. Dhe në këtë LDK që ka mbetur nuk duhet të dëgjohet zëri i carrokëve primitivë të Ibrahim Rugovës. Mbi të gjitha duhet të dëgjohet zëri i votuesve që besuan dhe besojnë në vlerat properëndimore që ka përfaqësuar Rugova. Përse në LDK të ketë më shumë vlerë zëri i çjerrë i argatëve të krimit të organizuar të familjes R. se sa zëri i çmuar i bijve dhe bijave të Fehmi Aganit, Xhemail Mustafës, Abdyl Ramajt, Smajl Hadarajt dhe shumë e shumë aktivistëve të tjerë të LDK-së?

Familja R. e ka përjashtuar veten nga LDK. Dhe LDK në të ardhmen e afërt duhet të marrë një vendim të pashmangshëm: përjashtimin nga partia të Ukë Rugovës dhe bandës së tij familjare. Sepse problemet e tij me ligjin, aktivitetet e tij kriminale, siç është shitja e dyshuar e vizave italiane dhe plot marrëzi të tjera, nuk janë dhe nuk duhet të jenë as probleme të LDK-së, as probleme të Kosovës. Janë probleme të Ukë Rugovës dhe halle të Mendim Rugovës, Teuta Rugovës dhe Fanë Rugovës – dhe të ndonjë rrobaqepëseje që ka hyrë në një shtëpi në Velani për të pështyrë figurën e Ibrahim Rugovës. Këtë mund ta bëjnë edhe në të ardhmen, por jashtë LDK-së. Në shtratin e SHIK-ut me siguri ndihen rehat. Atë shtrat kanë zgjedhur.