Familja nga Janjeva refuzon propozimet e Komunës që nxënësi t`i kthehet mësimit [dokument]

Familja Berisha nga Janjeva e Lipjanit, prej më shumë se një muaj, s’po mund ta bind fëmijën N.B. për t’i vazhduar mësimet në klasën e parë në SHFMU «Shtjefën Gjeçovi», ngase më 6 maj dyshohet se mësuesja e tij H.D.H, ka ushtruar dhunë ndaj tij.

Derisa lënda po hetohet nga organet e drejtësisë, Komuna e Lipjanit ka ofruar 3 mundësi për këtë familje, në mënyrë që djali i saj t’i vazhdojë mësimet, shkruan sot «Koha Ditore».

Familja Berisha këto ditë ka pranuar një shkresë nga autoritetet komunale në të cilën thuhet se Drejtoria e Arsimit duke u bazuar në Ligjin e arsimit parauniversitar për ofrimin e kushteve për ndjekjen e procesit mësimor në këtë rast pas rrethanave të krijuara në SHFMU «Shtjefën Gjeçovi» në Janjevë për nxënësin e klasës së parë N.B. kërkon nga prindërit të bashkëpunojnë në mënyrë që ky fëmijë të mos e humbë vitin shkollor.

«DA-ja duke qenë e përkushtuar dhe duke e parë se është në interes të nxënësit që ta vazhdojë procesin mësimor, ofron mundësinë që nxënësi N.B t’i vazhdojë mësimet në 3 alternativa: DA-ja ia ofron mundësinë që këtij nxënësi t’ia vazhdojmë procesin mësimor në shtëpi, duke ia siguruar një mësimdhënës tjetër, pastaj ofron mundësinë që nxënësi t’i ndjekë mësimet në shkollë, ndaras nga nxënësit e tjerë me një mësuese tjetër dhe ofron mundësinë tjetër që ta bartë në ndonjë shkollë tjetër, duke ia siguruar transportin», thuhet midis të tjerash në shkresën e komunës.

Ndërkaq, Habibe Q. Berisha, ka thënë se nuk po mund ta bindë djalin për t’i ndjekur mësimet përderisa ka pësuar trauma psikike nga dhuna në shkollë. Ajo ka thënë se është shqetësuese që komuna t’i ofrojë këto alternativa, ndërkaq prej më shumë se një muaj nuk ka marrë masa ndëshkuese ndaj mësimdhënëses H.D.H., e cila ka përdorur dhunë në shkollë.

Sipas saj, këto oferta kishin ardhur nga komuna pas shkrimeve të publikuara në gazetën «Koha Ditore» lidhur me këtë rast. Ajo ka kërkuar nga Komuna e Lipjanit largimin e mësimdhënëses H.D.H. nga shkolla, ndryshe djali i tyre nuk ka guxim të shkojë në shkollë. Berisha, po ashtu ka akuzuar edhe drejtorin e kësaj shkolle Bajram Gashi, i cili me ndikime politike dhe me njerëz të afërm në institucionet e drejtësisë po e mbron këtë mësimdhënëse.

Bajram Gashi, drejtor në SHFMU «Shtjefën Gjeçovi» në Janjevë, ka thënë se me iniciativë të komunës ia kanë ofruar tri mundësi kësaj familjeje për hir të nxënësit, i cili po mbetet pa mësim, mirëpo sipas drejtorit, familja Gashi po insiston ta largojë nga shkolla një mësuese pa fakte, e cila deri tashti ia ka mësuar tre fëmijë kësaj familjeje dhe asnjëherë nuk ka pasur telashe të tilla.

Rasim Hasani, drejtor i Arsimit i Lipjanit, ka bërë me dije se familjes Berisha ia kanë ofruar tri mundësi për ta ndjekur mësimin ky nxënës, derisa organet e drejtësisë ta zbardhin rastin, mirëpo një gjë e tillë nuk është pëlqyer nga kjo familje.

http://i2.wp.com/cms.koha.net/cms/f/u/20160614083809859.jpg?w=640