Familja ndjehet e rrezikuar pas rrëzimit të aneksit të objektit nga Komuna

Familja e profesorit Isuf Musliu po ndjehet e rrezikuar pas rrënimit të aneksit të një ndërtesës në të cilën jeton, e e cila u ndërtua në vitin 1970. E ka thënë këtë përmes një reagimi publik.

«Për qytetarët, mediat, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, se familja e Profesorit Isuf Musliu është e rrezikuar me rrënimin e shtëpisë së banueshme e cila është e ndërtuar në vitet 1970. Nga dita enjte (09.06.2016) kanë filluar rrënimin e aneksit (2004-2006) i cili është pjesë e objektit kryesor të ndërtuar në vitin 1970. Unë Isuf Musliu kam kërkuar leje në vitin 2005 gjatë mandatit të qeverisjes se Ismet Beqirit dhe Isa Mustafës, përkundër kërkesave të shumta, komuna e Prishtinës nuk më ka dhënë përgjigje, mirëpo as nuk më ka penguar në vazhdimin e ndërtimit, dhe unë kam vazhduar me përfundimin e shtëpisë», thuhet në reagimin e familjes.

Tutje aty thuhet se «prej ditës se enjte në mënyrë tendencioze, selektive, erdhën inspektorati me dikasterin e tyre, dhe filluan rrënimin e objektit duke na u kërcënuar se do të hyjnë edhe brenda dhe do të na largojnë dhunshëm nga shtëpia jonë».

«Ne nuk kemi pranuar të dalim jashtë shtëpisë sepse nuk kemi ku të shkojmë. Jeta jonë është rrezikuar që nga data (09.06.2016), dhe ende vazhdon të jetë në rrezik. Ju lutemi ndërmerrni diçka sa nuk është bërë vonë, ndalojeni këtë krim se do të përgjigjeni para ligjit dhe Zotit se nga shtëpia nuk kemi ku të shkojmë», ka thënë familja në reagimin e saj.

Kohavisioni kishte raportuar në emisionin e saj dedikuar kryeqytetit, «038» se që nga e enjtja e javës së kaluar, Inspeksioni Komunal i Prishtinës, së bashku me Policinë dhe kompaninë e autorizuar, kishin filluar rrënimin e një pjesë të aneks-ndërtimit ngjitur me shtëpinë e Isuf Musliut, në lagjen Vneshta.

Drejtoria e Inspeksionit, me një vendim të datës 23 maj 2016, kishte urdhëruar rrënimin e pllakës së aneksit dhe konstruksionit metalik, me arsyetimin se pronari ka vazhduar punimet në hyrjen e objektit ekzistues pa leje përkatëse, raporton KTV.

Vetë pronari, Isuf Musliu, e pranonte se nuk kishte leje për objektin e ndërtuar ngjitur me shtëpinë e vjetër, për të cilën thotë se është ndërtuar para 50 vjetësh. Ai shtonte se kërkesën për leje ndërtimi e ka bërë në dhjetor të vitit 2005. Musliu pohonte se edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Isa Mustafa kishte bërë kërkesë për legalizim të objektit.

Por, nuk kishe marrë përgjigje deri në vitin 2012, kur thotë se kishte ndërprerë punimet, pasi komuna e kishte urdhëruar që të mos vazhdonte punimet pa leje.

Musliu thotë të mos ketë bërë asnjë punim që nga atëherë. E për meremetimin e objektit, deklaron se në prill të këtij vitit, i ka bërë kërkesë edhe kryetarit Shpend Ahmeti dhe Drejtorisë së Urbanizmit.

Por, këto janë mohuar nga Drejtorinë e Inspeksionit, të cilët kanë njoftuar se ata fillimisht e kanë paralajmëruar që t’i ndërpresë punimet, gjë që, sipas tyre, Musliu nuk e ka bërë dhe pas procedurave gati njëmujore ka filluar rrënimi.