Familja kosovare mes modernes dhe tradicionales

Pas luftës shoqëritë pësojnë ndryshime në strukturën e tyre - në përgjithësi në organizimin e familjes. Gjithashtu edhe shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të mëdha në organizimin e saj. Mirëpo, një ndikim të madh në zhvillimin e familjes po luan stagnimi ekonomik, mungesa e një jete normale sociale, traditat dhe zakonet e shoqërisë shqiptare.

Mungesa e një zhvillimi normal shoqëror ka ndikuar që familja kosovare të jetë ende në proces të modernizimit. Ilustrimi: Shutterstock



Familja si pjesë e strukturës shoqërore, ka një rol të veçantë në zhvillimin e shoqërisë. Sociologjia e familjes  si dhe institutet për hulumtime shkencore të familjes në shoqëritë e zhvilluara në mënyre të vazhdueshme po hulumtojnë ndryshimin e formës së familjes. Mungesa e rrethanave të favorshme për zhvillimin e shkencës shoqërore, në veçanti të sociologjisë, ka pamundësuar sociologët kosovarë që në mënyrë të vazhdueshme të merren me hulumtime shkencore dhe të kenë mundësi komunikimi me kolegët e tyre ndërkombëtarë.

Ky injorim i sociologeve, të cilëve asnjëherë nuk u janë ndarë fonde të veçanta që të kenë hapësirë në zhvillimin e hulumtimeve shkencore apo për krijimin e një instituti për hulumtimin e familjes kosovare, na pamundëson që sot në mënyrë shkencore të diskutojmë dhe të analizojmë ndryshimin e familjes, si dhe rolin e saj në shoqëri.

Pas luftës shoqëritë pësojnë ndryshime në strukturën e tyre – në përgjithësi në organizimin e familjes. Gjithashtu edhe shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të mëdha në organizimin e saj. Mirëpo, një ndikim të madh në zhvillimin e familjes po luan stagnimi ekonomik, mungesa e një jete normale sociale, traditat dhe zakonet e shoqërisë shqiptare.

Sociologjia e familjes, në mënyrë të vazhdueshme, merret me ndryshimin e familjes dhe format e saj. Disa forma të familjes që ekzistojnë sot në shoqëritë e ndryshme kanë ndikuar që sociologët e familjes të parashtrojnë pyetje kërkimore të vazhdueshme se çka është familja: a është familja një çift i përbërë nga mashkulli dhe femra, të cilët janë të martuar dhe jetojnë së bashku më fëmijët e tyre; apo janë familje një çift i përbërë nga mashkulli dhe femra që nuk janë të martuar dhe jetojnë së bashku me fëmijët e tyre; a përbën familje çifti me gjini të njëjtë, që jeton së bashku me fëmijë; një grua me fëmijë, e cila jeton me një partner të pamartuar; çifti i përbërë nga mashkulli dhe femra që janë të martuar dhe nuk kanë fëmijë; çifti i përbërë nga mashkulli dhe femra që nuk janë të martuar dhe nuk kanë fëmije?

Sociologët e familjes në Kosovë në momentin që do të përkrahen nga institucionet përkatëse kosovare për t’u marrë me hulumtime shkencore apo në hapjen e institutit për hulumtimin e familjes, nuk mund t’u shmangen këtyre pyetjeve kërkimore për format e ndryshme të familjes.

Sociologu gjerman Ulrich Beck është përpjekur të shpjegojë ndryshimin e familjes gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Me zhvillimin industrial dhe me normalizimin e jetës ekonomike sociale, erdhi edhe zhvillimi individual i familjes. Teoria individualiste e sociologut Beck shpjegon se familja dhe format tjera të komunitetit, kanë humbur fuqinë e tyre dhe – ndërkohë – individi është i përgjegjshëm për veprimet e tij, individi është bartës i dështimit dhe mos dështimit të tij – e jo rezultat i strukturës sociale; individi ka një autonomi të veçantë brenda familjes.

Shoqëria gjermane pësoi ndryshime, sepse elita intelektuale dhe politike është organizuar në mënyrë aktive në zhvillimin industrial, në ndryshimet ekonomike dhe sociale. Kështu shoqëria filloi të organizohet dhe të shkëputet nga e kaluara duke zhvilluar një shoqëri individualiste. Beck përshkruan se gruaja ndryshoi rolin e saj në familje, e cila ishte dalluar vetëm për kryerjen e punëve të shtëpisë. Gruaja ndryshoi edhe statusin e saj arsimor dhe është pjesëmarrëse aktive në organizime shoqërore. Familja ndryshoi në planifikim, si dhe dëshira për fëmijë pësoi rënie për shkak të angazhimit dhe jetës dinamike të prindërve.

Në disa pjesë të Kosovës, ndërkaq, mund të shohim ende familje të përbëra nga dy ose tri gjenerata. Gjithashtu shohim edhe ndryshimin e rolit të jetës së gruas, pjesëmarrjen e saj në organizime shoqërore. Mirëpo, shoqëria shqiptare e Kosovës nuk ka pasur fatin, që pas luftës të përjetojë zhvillim industrialist, ajo nuk po gëzon zhvillim normal ekonomik si dhe jetë normale sociale. Mungesa e një zhvillimi normal shoqëror ka ndikuar që familja kosovare të jetë ende në proces të modernizimit.

A do të mund familja shqiptare e Kosovës të organizohet si familja gjermane, që është organizuar pas Luftës së Dytë? Kjo është shumë vështirë të besohet. Elitat intelektuale dhe politika kosovare nuk kanë bashkëpunuar në atë drejtim, që Kosova të ketë zhvillim industrial, shkollim cilësor, kushte më të mira të jetës për qytetaret, ku shoqëria të ketë mundësinë e organizimit të një jete moderne, ku individi do të largohet nga kolektivi dhe të jetë ai që vetë organizon jetën, të ketë mundësi të lira në organizimin e familjes dhe të mos ndikohet nga kolektivi në vendimet e tij jetësore. Një fatkeqësi tjetër shoqërore është ndikimi i kanunit në shoqëri, ku ende vazhdojnë hakmarrjet.

E ardhmja e shoqërisë varet se si do të organizohen elitat intelektuale kosovare dhe shoqëria civile. Prej tyre kërkohet të reflektojnë dhe gjykojnë në mënyrë racionale dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në ndryshimin dhe zhvillim normal të shoqërisë. Pa organizim nuk mund të shpresojmë se shoqëria do të përjetojë një zhvillim normal politik, ekonomik dhe social.

(Autori është sociolog. Vazhdon studimet e thelluara në fushën e sociologjisë në Universitetin e Vjenës).