Falsifikues zgjedhjesh, shantazhues, provokatorë

Që nga zgjedhjet e dhjetorit, në Maqedoni zien një luftë e ulët për pushtet. UE-ja përpiqet të ndërmjetësojë – sepse konflikti rrezikon ta përfshijë të gjithë rajonin.

Foto: Giovanni Vale / Shutterstock



Nga fillimi i javës që shkoi, në qytetet maqedonase për çdo natë dalin mijëra njerëz në rrugë, për të demonstruar gjoja kundër rrezikimit të unitetit të vendit. Në sipërfaqe ata protestojnë kundër të drejtave të zgjeruara të pakicës shqiptare, ku bëjnë pjesë 25 deri 30 për qind e popullatës, dhe para së gjithash kundër statusit të shqipes eventualisht si gjuhë e dytë zyrtare.

Në mesazhet e tyre, organizatorët e protestave sugjerojnë skenarë të zymtë: Nëse shqipja bëhet gjuhë zyrtare, qytetarët maqedonas mbase do të ishin të detyruar të mësonin dhunshëm shqip. Kartëmonedhat duhet të shtypen në të dyja gjuhët. Në fund, viset e banuara me shumicë shqiptare do të shkëputeshin dhe do t’i bashkoheshin një Shqipërie të Madhe.

Demonstratat janë epizodi i ri i një krize politike, në të cilën Maqedonia ka hyrë prej gati tre viteve dhe e cila po e çon vendin gjithnjë e më thellë në pamundësi qeverisjeje – edhe pse diplomatë të UE-së prej kohësh po ndërmarrin përpjekje të dëshpëruara ndërmjetësimi për t’i zgjidhur konfliktet politike.

Afër mendsh: Në rast të një eskalimi të dhunshëm të konfliteve të brendshme, Maqedonia mud t’i tërhiqte lehtësisht fqinjët në këto zënka. Vendet në vijim janë direkt të prekura nga kriza në Maqedoni – apo kanë interesat e veta aty:

  • Shqipëria dhe Kosova: Politikanë të të dyja vendeve e inkurajojnë pakicën shqiptare të fqinjëve për veprime separatiste. Presidenti kosovar javën e kaluar tha se një Maqedoni pa shqiptarët me të drejta të barabarta e humb kuptimin, dhe i ftoi shqiptarët maqedonas që «fatin e të drejtave të tyre ta marrin në duart e veta».
  • Bullgari shumëkush i sheh maqedonasit si bullgarë etnikë dhe janë për një bashkim me Maqedoninë. Bullgaria në raste krizash e ka përforcuar në mënyrë të përsëritur praninë ushtarake në kufirin e saj.
  • Greqia e akuzon Maqedoninë se po ngre pretendime mbi krahinën veriore greke të Maqedonisë, dhe prej vitesh po i bllokon një pranim e vendit në Nato dhe negociatat e integrimit në UE.
  • Unioni Evropian: Për Brukselin sikur për të gjithë Unionin, Maqedonia është me interes të madh, sepse bashkë me Bullgarinë shërben një bastion kundër refugjatëve në të ashtuquajturin itinerar të Ballkanit.

Pakica shqiptare në vend rebelohet

Shkaku i konfliktit të tanishëm janë negociatat pas zgjedhjetve të dhjetorit. Partia e deritanishme qeveritare – partia nacionaldemokratike VMRO-DPMNE nën Nikola Gruevskin – vërtet e fitoi shumicën e votave, por dështoi në formimin e qeverisë. Javën e kaluar i eci më në fund partisë opozitare sozialdemokrate, SDSM, të arrijë një shumicë për formimin e qeverisë me partinë më të fortë të pakicës shqiptare, BDI.

Kushti i përfaqësuesve të pakicës, ndër të tjera, ishte që shqipja të bëhet gjuhë e dytë zyrtare, sikurse është në viset ku shqiptarët janë të përfaqësuar me më shumë se njëzet për qind.

Marrëveshja ndërmjet socialdemokratëve dhe përfaqësuesve të pakicës shqiptare ishte edhe një përpjekje për ta paqësuar bashkëjetesën vazhdimisht të tensionuar viteve të fundit ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, javën e kaluar ia refuzoi shefit të socialdemokratëve mandatin për formimin e qeverisë. Marrëveshjet lidhur me statusin e pakicës dhe të shqipes si gjuhë zyrtare qenkëshin në kundërshtim me kushtetutën dhe do ta rrezikokan unitetin shtetëror të Maqedonisë.

Qeveria sillet si një klan mafioz

Ndërsa ky është shkaku i demonstratave që po zgjasin prej dhjetë ditësh, në sfond fjala është për diçka krejt tjetër – Nikola Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE përpiqen të mbahen në pushtet me të gjitha mjetet. Gruevski e qeveris vendin nga 2006-ta, por në zgjedhjet e viteve të kaluara si duket mund të mbahej vetëm falë falsifikimit të zgjedhjeve. Kjo doli në fillim të 2015-tës, kur opozita socialdemokrate publikoi telefonata të panumërta të përgjuara të udhëheqjes shtetërore – burimi i të cilave deri më sot është i paqartë. Bisedat provuan që shefi i qeverisë dhe të besuarit e tij vendin e qeverisnin si një klan mafioz – me korrupsion, falsifikim zgjedhjesh, shantazh dhe spiunim të gjërë të kundërshtarëve.

Kur protestat disamujore kundër qeverisë Gruevski vendin e shtynë buzë konflikteve të armatosura, u aktivizua UE-ja si ndërmjetësuese. U dakorduan zgjedhje të reja, një pastrim i regjistave të votuesve, formimi i një qeverie kalimtare me përfaqësimin e të gjitha partive parlamentare si dhe formimi i një prokurorie speciale (SJO), e cila do të duhej ta hetonte falsifikimin e zgjedhjeve dhe veprimtari të tjera kriminale të politikanëve. Ndryshe nga ç’kishin pritur Gruevski dhe partia e tij, SJO-ja filloi të punojë seriozisht dhe mundi t’i provonte disa prej akuzave. Nga kjo kohë, Gruevski dhe partia e tij luftojnë për një fund të mandatit të SJO-së.

«Me një qeveri nën udhëheqjen e socialdemokratëve do të kryehen reforma politike – dhe Gruevski e krerë të shumtë të tjerë të VMRO-së do të duhet të shkojnë në burg», thotë publicisti maqedonas Sasho Ordanoski. «Për ta parandaluar këtë, Gruevski përpiqet të provokojë tensione ndëretnike.»

Edhe UE-ja druan një eskalim në Maqedoni dhe vendet fqinje. Gjithsesi kështu u shpreh hapur e dërguara e UE-së, Frederica Mogherini, pas udhëtimit të saj javën e kaluar në Ballkanin perëndimor, me ç’rast ndaloi edhe në kryeqytetin maqedonas Shkup. «Mos krijoni konflikt etnik nga një krizë institucionale», apeloi Mogherini te përgjegjësit politikë të Maqedonisë, «mos luani me zjarrin!»

(spiegelonline.de) ks