Falë me shnet Kosovës

Një shkrimtare zvicerane kalon rreth dhjetë vjet në Kosovë. Pas tre librave për vendin dhe njerëzit e tij, Elisabeth Kaestli shkruan një letër lamtumire me nostalgji letrare dhe realizëm zviceran.

Me rastin e promovimit të librit «7 vëllezër, 7motra», 2013 në Hotel Prishtina: Adem Gashi, Elizabeth Kaestli, Ajtene Asani - Xhemajli, Abdullah Zeneli.



Më 15 dhjetor 2016 shkrimtarja zvicerane Elisabeth Kaestli është kthyer në Zvicër. Pas dhjetë vjet qëndrimi në Kosovë. Me përshtypjet më të mira. Ajo është një mike e shqiptarëve, e ka njohur atë që para luftës dhe ka sensibilizuar opinionin për fatin e saj të zymtë. Kaestli pastaj ka botuar tre libra për Kosovën dhe njerëzit e saj. Para dy vitesh ajo botoi një përrrallë të vërtetë! për Kosovën dhe historinë e saj të emigracionit: «7 vëllezër, 7 motra». Ajo i ndryshon legjendat e 7 vëllezërve që përgjëroheshin për një motër, apo e kundërta, duke i dhënë secilit vëlla nga një motër. Ashtu siç ishte bekuar vërtetë çifti Reka. Por kjo nuk i bëri ata më të lumtur në vendin ku lindën dhe u shpërndanë nëpër botë si zogjtë e korbit. Sepse ashtu ishte moti politik i shqiptarëve.

Para dy javëve mikja zvicerane e shqiptarëve u la «falë me shnet» nikoqirëve të saj një letër lamtumire përmes një mikut të saj shqiptar në Zvicër, Osman Osmani. Kaestli i përshkruan me nostalgji letrare dhe realizëm zviceran dhjetë vjetët e kaluara në Kosovë. Ndër më të bukurat e saj dhe të bashkëshortit të vet. Ajo është krenare për kontributin që kanë dhënë ata për përparimin e Kosovës përmes projekteve zhvillimore zvicerane dhe mirënjohëse për mikpritjen e përvojën që kanë mbledhur te një ndër popujt më të vjetër dhe shtetet më të reja të botës. Letra vjen si një pasthënie e një libri të jetuar, apo parathënie e një libri që do shkruar:

«Kur në maj të 2006-tës Heini më pyeti nëse do shkoja me të për njëvit e gjysmë në Tanzani, pohova me kënaqësi. Ai atje do ta përfundonte një projekt, që një koleg i tij do ta braktiste para kohe. Fakti që sapo kisha filluar një libër për gratë e Bernës, nuk ishte ndonjë pengesë e madhe, ai fatmirësisht mund të shkruhet gjithandej, duhej vetëm t’i klasifikoja bisedat më mirë sipas kohës dhe t’i merrja me vete regjistrimet. Kështu në shtator u nisëm plot gëzim për në Afrikë. Se qëndrimi jashta vendit më në fund do të zgjaste dhjetë vjet, nuk na e mori mendja as Heinit, as mua.

Ishin vite shumë të mira. Jam ndjerë shumë mirë si në Tanzani, ashtu në Kosovë. U zhyta në këtë jetë të huaj, dhe pranimi i përzemërt në të dyja vendet ishte thjesht fantastik. Të mësoja më shumë për vendin dhe njerëzit ishte nga gjërat më të rëndësishme për mua në një vend të huaj. Pas këtyre viteve të qëndrimit jashtë kuptoj më shumë, në Kosovë munda të gërmoj akoma më thellë se në Tanzani. Ndonëse edhe këtu jam habitur me gjithë atë që nuk e di, nuk e kuptoj dhe nuk mund ta marr vesh. Për shembull kur një grua e shetitur, e vetëdijshme, specialiste e shkollave profesionale tregom si e gjithë trashëgimia e prindërve të saj shkoi te vëllezërit, ndërsa tre motrat ngelën duarthatë. Ajo rrëfen duke qeshur dhe thotë ‹nuk është fer, apo jo?› Ligji është i qartë, shumica e ligjeve të Kosovës janë të standardeve europiane, sikurse edhe e drejta e trashëgimisë. Por, tradita shpeshherë është më e fortë, sa për hir të paqës familjare gratë druajnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre, madje edhe ato të shkolluarat. Konfliktet në gjirin familjar adresohen rrallë, ata ia kanë nevojën aq shumë njëri-tjetrit, jo vetëm në fisin e ngushtë, si vëllaut, kushëririt, xhaxhait.

Një shmebull tjetër: Një mike më tregon me zemërim (të paktën!) që burri i saj ia ka premtuar vëllait të vogël banesën e tyre në bllokun këtu pranë, nëse ai do t’i lirojë dhomat në shtëpinë e prindërve. Dhe këtë marrëveshje e kishin arritur burrat, pa e konsultuar atë. Paçka se banesa kishte qenë endërra e tyre që nga kthimi në Kosovë, për të cilën ata ishin dërrmuar që të dy, duke e ndarë edhe kafshatën e gojës. Këtë banesë, përveç se për miq, pothuajse nuk kishin mundur ta shfrytëzojnë fare, duke qenë se po kujdesen për vjehrrën në shtëpinë e prindërve. Por banesa kishte qenë ëndërra e së ardhmes së tyre, diçka që e kishin ngritur ajo dhe burri i saj vetëm, përrdisa ajo – për dallim nga burri – nuk ka ndonjë lidhje emocionale me shtëpinë e prindërve. Tani ajo si duket e ka nxjerrë inatin e saj dhe ka mundur t’i vendosë disa kushte. Tani ajo është pajtuar që e ardhmja e tyre të jetë edhe më tej në shtëpinë e ngushtë të vjetër, ku megjithatë kanë më shumë hapësirë – së paku në verë, sepse dimrit ngrohja me rrymë për të gjitha dhomat është shumë e shtrenjtë.

Kështu ka vazhdimisht histori me të cilat habitem. Shpesh mendimet më kthejnë 50-60 vjet mbrapa në Zvicër dhe diçka m’i kujton rrhethanat tona të atëhershme. Vështirësia e kosovarëve është që modernja dhe tradita janë plotësisht prezente në të njëjtën kohë – një përvojë e hidhur!

Nuk e di nëse kam ndryshuar gjatë këtyre viteve jashtë dhe si – përveçse ashiqare jam bërë dhjetë vite më e vjetër. Por e kam shumë të qartë që stili diçka më i realsuar i jetesës – «Më pesë leri të gjitha», të kesh gjithnjë kohë të pish një kafe, kohë për përzemërsi dhe të qeshësh – të krijon një ndenjë të mirë për jetën. Edhe pse dihet ana tjetër e medaljes. Edhe Heini shpall që vitet e punës në Kosovë ishin vitet më të mira në të gjithë karrierën e tij profesionale!

Po, Heini! Ai po përshëndetet me bori e trombon dhe i shijon lëvdatat e shumta që i bëhen. Para tre ditësh erdhi më në fund haberi i shumëpritur që DEZA (Departamenti për Zhvillim dhe Bashkëpunim) do ta financojë një fazë të dytë të njërit prej projekteve të Helvetas në Kosovë, Enhance Youth Employment, EYE. Ky ishte edhe njëri prej qëllimeve kryesore në këtë vitin e fundit, dhe përpjekja ia ka vlejtur. Dje EYE ua ka prezentuar partnerëve dhe opinionit rezultatet e katër viteve të para. Do të isha me kënaqësi aty, por jam e sëmurë, sot pas kaq kohe jam temperaturë nën 38 gradë. Ai mund të shikojë i lumtur kah ato gjashtë vjet e gjysmë të kaluara, ia doli të tërheqë dy herë një projekt të madh dhe dy projekte më të vogla në vend, falë angazhimit të tij, por para së gjithash falë bashkëpunëtorëve të mirë, të angazhuar vendorë.

Unë do të ndahem në heshtje dhe pa bujë, do t’i takoj disa miq, ndoshta do ta lansoj edhe njëherë një ftesë të tipit ‹kitchen-club›, mirëpo jo në kuzhinën tonë, por në restorant, sepse të hënën do të vijë firma e transferit. Pastaj të gjithë javën do të jemi vërtet në një shtëpi të mobiluar, por me pajisje të reduktuar.

Dhe, më 15 dhjetor vjen kthimi në Zvicër. Nuk ma kishte marrë mendja që ky do të ishte një hap kaq i madh. Më ngjan sikur po qëndroj para një shtëpie të madhe, që e njoh; por që para saj trembem, se çfarë do të gjej prapa portës. Po ku janë karriget – dreqi e mori? Ku inventari nuk po më pëlqen më, apo edhe prandaj aq fort, sepse jam mësuar me ulëse të veshura? Ku e kam vendin tim? Si do ta ndërtojmë Heini dhe unë përditshmërinë tonë si pensionistë?

Siguri më jep rrjeti i mirë dhe i fortë i familjes dhe miqve, në të cilët llogaris. Dhe, kur Heini e unë të kemi nevojë për një pushim nga perfeksionizmi zviceran, fluturojmë për pushime në Kosovë, më së voni në majin e ardhshëm. Dhe, ndoshta vjen edhe ndonjëri nga ju me ne!

Prishtinë, 1 dhjetor 2016.

Elisabeth Kaestli»

Në festën lamtumirëse në Villa Panorama, Matigjen, me miq nga Zicra e Kosova: Hyrie Veliu, Latife Neziri, Heini e Elisabeth Kaestli, Remzi e Adifete Reka.
Në festën lamtumirëse në Villa Panorama, Matiqan, me miq nga Zicra e Kosova: Hyrie Veliu, Latife Neziri, Heini e Elisabeth Kaestli, Remzi e Adifete Reka.