Faktori njeri – shkaktar i zjarreve në zonat malore e fushore




Zyrtarët komunalë të Prizrenit, përgjegjës për Sektorin e emergjencave, kanë bërë të ditur se në ditët e shkuara ka pasur shumë raste zjarresh në zonat malore dhe fushore, të cilat kryesisht janë shkaktuar nga pakujdesia e faktorit njeri.

 

Sipas tyre, zjarret janë paraqitur në treva të ndryshme, duke detyruar zjarrfikësit që të kishin angazhim shtesë, sikurse edhe koordinim me pjesëtarët e KFOR-it, shkruan sot «Koha Ditore».

Drejtori i Emergjencave, Bedrija Ejupagiq, duke raportuar para Qeverisë komunale, ka thënë se fundjava e kaluar ka qenë mjaft e vështirë për shkak të shpeshtësisë së zjarreve.

«Zjarre ka pasur në zonat malore dhe fushore. Fillimisht kemi intervenuar në Korishë nga Lubizhda. Pastaj kemi pasur probleme në rajonin e Vërmicës, në Gorozhup. Për shkak të terrenit të vështirë dhe shkaku që ka qenë vonë, sikurse edhe shpërthimeve, nga KFOR-i kemi marrë sugjerime që të tërhiqeshim dhe intervenimin e kemi vazhduar në mëngjes për lokalizimin e zjarreve», ka thënë Ejupagiq. Sipas tij, zjarr ka pasur edhe në afërsi të Piranës, që po ashtu është lokalizuar.