Europiani anglez

Timothy Garton Ash, njëri prej historianëve më të njohur në botë, sot merr Çmimin Ndërkombëtar të Karlit të Madh. Si publicist ai ka shkruar reportazhe edhe nga Kosova dhe analiza me ndikim, ku ka kërkuar që në BE së pari të hyjë Kosova, pastaj Serbia.

Timothy Garton Ash



Sot në Budapest, nesër në Stamboll, pasnesër në Berlin. Nëse ekziston një intelektual që Europën e mendon në tërësinë e saj, ai është Timothy Garton Ash. Në kryeqytetin hungarez Ash flet para studentëve të Universitetit të Europës Qendrore (atij që quhet Universiteti i Sorosit) mbi rëndësinë e lirisë së fjalës. Ai sapo ka shkruar një libër për këtë temë të rëndësishme. Në Stamboll Ash solidarizohet me akademikët e përndjekur nga regjimi i Rexhep Taip Erdoanit. Në Berlin, aty ku kthehet vazhdimisht që nga vitet ’80, Ash angazhohet për një Europë të bashkuar, përkundër dëshpërimit të madh se vendi i tij, Britania e Madhe, vitin e kaluar vendosi t’ia kthejë shpinën BE-së.

Sot Timothy Garton Ash do të nderohet për meritat e tij për bashkimin e Europës me Çmimin Ndërkombëtar të Karlit të Madh në Aachen të Gjermanisë. Juria e Çmimit vlerëson veprën e një shkencëtari të angazhuar për një Europë të lirë. Ash shpërblehet si «europian anglez», i cili me ngulm kërkon që Britania e Madhe të ruajë lidhjet e ngushta me BE-në përkundër Brexitit. Në ceremoninë e ndarjes së Çmimit fjalimin kryesor për nder të Timothy Garton Ash do ta mbajë presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Çmimin e Karlit të Madh deri më tani e kanë marrë burra shteti, Papa Gjon Pali i Dytë, Papa Françesku dhe shumë personalitete të rëndësishme botërore.

Pak biografi: Timothy Garton Ash, i lindur më 1955, është profesor i historisë në St. Antony’s College në Oxford dhe njëri prej publicistëve më të famshëm globalë. Shkruan rregullisht për gazetat dhe revistat më të rëndësishme në Amerikën veriore, Britaninë e Madhe, Gjermani dhe vende të tjera. Është autor i disa veprave publicistike. Në fund të viteve ’90 ka qenë vëzhgues i afërt i zhvillimeve në Kosovë dhe ka botuar edhe reportazhe, ku përshkruan pasojat e luftës dhe problemet me të cilat ballafaqohej Kosova pas konfliktit me shumë pasoja.

Në një reportazh të botuar në korrik të vitit 1999 në gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Ash shkruante: «Në fillim të viteve tetëdhjetë unë erdha për herë të dytë në Kosovë. Protestat e studentëve shqiptarë sapo ishin shtypur brutalisht dhe atmosfera ishte mbytëse. Shkrova një artikull me titullin <Belfasti në Jugosllavi>. Ushtarët britanikë, të cilët atëbotë patrullonin në rrugët e Belfastit, sot me të vërtetë janë në Kosovë. Gjithkund dëgjon zëra në anglisht me aksent të Londrës, Leedsit apo Glasgow. Befas dhe me efekt surrealist e kanë takuar njëra-tjetrën bota dikur aq e largët, ekzotike e Europës tjetër dhe bota e mirënjohur e Britanisë së Madhe».

Në vazhdim të shkrimit të tij Ash dëshmohet si vëzhgues mendjemprehtë, si në çdo shkrim të tij. «Udhëtimin tjetër në Kosovë e ndërmora në vitin 1997. Për tetë vite kosovarët kishin organizuar rezistencë paqësore kundër regjimit të Millosheviqit, i cili më 1989 ia kishte grabitur autonominë krahinës. Tani durimit të tyre po i vinte fundi. Në raporte bëhej fjalë për një organizatë të dyshimtë, e cila e quante veten Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në malet e rajonit qendror përreth Drenicës vriste policë serbë. Por, miqtë në Prishtinë që atëherë tërhiqnin vërejtjen: <Janë 600 fshatra të pastra shqiptare, serbët mund t’i shkatërrojnë të gjitha>. Kur isha së fundi këtu, nëntorin e kaluar, kryengritja e UÇK-së tashmë shtypej me ashpërsi joproporcionalisht brutale. Atëbotë kishte treva, ku gjerë e gjatë shihje vetëm shtëpi të shkatërruara, kishte qindra-mijëra refugjatë dhe shumë gjak në borë».

Pastaj Timothy Garton Ash shkruan për përshtypjet e tij nga Kosova e çliruar nga sundimi serb. «Tani jam kthyer, dua të shkoj te vendet dhe njerëzit, të cilët i kam njohur atëherë. Ndërkohë ata kanë qenë në ferr dhe janë kthyer. Ose kanë qenë në Maqedoni apo Shqipëri dhe janë kthyer nga atje. Të kthyerit shihen në çdo rrugë. Në rimorkio i kanë bërë grumbull dyshekët dhe fëmijët, dhe përpara mbi traktor valëvitet flamuri shqiptar kuq e zi. Secilin që e takoj ka për të treguar një histori, në të cilën bëhet fjalë për vuajtje të pashembullt dhe mundime. Material për 10 mijë romane. Mjerimi i njerëzve – për shkrimtarin një minierë floriri».

Më vonë Ash do të mbetet i interesuar mbi zhvillimet në Kosovë dhe do të shkruajë herë pas here në gazetat kryesore europiane për këtë temë, kryesisht në «Guardian». Në shkurt të vitit 2007 ai shkruante se pasi ka kaluar nëpër ferr Kosova tani duhet të bëhet e pavarur dhe pastaj të anëtarësohet në BE si vendi i ’33 anëtar, ndërsa Serbia do të bëhej vendi i ’34 anëtar. Kështu do t’i pamundësohej Serbisë që të bllokojë hyrjen e Kosovës në BE. Por, propozimet e mençura të historianit anglez nuk kanë gjetur përkrahje nga burokratët e BE-së, të cilët prej vitesh shoqërojnë një proces negociatash mes «Beogradit dhe Prishtinës», pa e pasur të qartë se kur marrin fund këto negociata dhe cili duhet të jetë rezultati i qartë i tyre. Njohja e Kosovës nuk përmendet si kusht për Serbinë, ndërkohë që frustrimi me një BE të paralizuar po rritet në Kosovë.

Muajve të fundit 61-vjeçari Ash ka pasur pak arsye të jetë i gëzuar për zhvillimet politike në botën perëndimore. Britania e tij u largua nga BE, në SHBA fitoi zgjedhjet një kandidat antiintelektual, në Hungari një ish-bursist i Sorosit (Viktor Orban) ka bërë hapa të rrezikshëm për ta mbyllur Universitetin e Sorosit, në shumë vende të Europës lindore po dëgjohet zhurma e politikanëve që s’merakosen për vlerat europiane dhe shfaqin simpati për kursin autoritar të Vladimir Putinit. Megjithatë, fitorja e Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë tregoi se shpirti europian ende është robust. Pas triumfit të Macron Ash shkroi në «Guardian» se Europa duhet të ngre dolli si një njeri që për pak e ka mbijetuar infarktin.

Në esetë e tij, të cilat janë një bashkim mjeshtëror i gazetarisë, historiografisë dhe letërsisë, Ash i kthehet shpesh Europës lindore, ku në vitet ’80 u njoh me shumë disidentë, përfshirë edhe Vlaclav Havelin. Në librin «Koha e lirisë» gjendet një portret i polakes Helena Luczywo, e cila në vitet ’80 në kuzhinën e saj botonte gazetën «Robotnik», ndërsa më vonë u bë zevendëskryeredaktore e gazetës së dytë polake për nga tirazhi. Ash përshkruan rrugën e Helena Luczywo prej gazetares polake në sipërmarrëse. Me rrëfime si këto bëhet qartë si u bashkua Europa, si e fituan njerëzit lirinë – dhe përse ideja e një Europe të bashkuara është më e rëndësishme se kurrë më parë. Për këtë sot nderohet Timothy Garton Ash.