Europianët betohen në Romë për një ardhmëri të përbashkët

Ndonëse Bashkimi Europian po kalon krizën më të madhe që nga themelimi para 60 vitesh, në kryeqytetin e Italisë kryetarë dhe kryeministra të shteteve anëtare kanë nënshkruar një deklaratë për të ardhmen e përbashkët.

Foto: Shutterstock



Krerët e 27 vendeve të BE-së u takuan të shtunën në Romë për të shënuar 60 vjetorin e themelimit, me ç’rast theksuan rëndësinë e ardhmërisë së përbashkët. Në një ceremoni solemne ata nënshkruan «Deklaratën e Romës», në të cilën shprehin vullnetin për bashkëpunim përballë sfidave si asnjëherë të mëdha. Politikanët e nivelit të lartë shprehën dëshirën që BE-në ta bëjnë më të fuqishme dhe më rezistuese përmes unitetit dhe solidaritetit mes shteteve dhe respektimit të rregullave të përbashkëta. SI qëllime thelbësore u përmendën mbrojtja e qytetarëve, mirëqenia, siguria sociale dhe aftësia për të vepruar përballë zhvillime të ndryshme në botë. Në takimin e Romës nuk ishte e pranishme kryeministrja britanike Theresa May, e cila ka paralajmëruar se javën që vjen do të dorëzojë kërkesën formale për daljen e vendit të saj nga BE.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk kundërshtoi idetë e Berlinit dhe Parisit mbi një Europë të shpejtësive të ndryshme. Kjo nënkupton që vendet kryesore si Franca dhe Gjermania, por edhe Holanda, Luksemburgu, Belgjika mund të thellojnë bashkëpunimin, ndërsa vendet skeptike si Polonia dhe shtetet e Europës jugore mund të ecin më ngadalë në procesin e bashkëpunimit të ngushtë brenda BE-së. Tusk tha se Europa e shpejtësive të ndryshme ka ekzistuar gjatë Luftës së Ftohtë. «Si krijesë politike Europa ose do të jetë e bashkuar ose nuk do të ekzistojë fare», tha Tusk.

Duke mos përmendur shprehimisht shtetin e tij, Poloninë, ku qeveria konservatore po përpiqet të kontrollojë institucionet e pavarura, Tusk tha se sot nuk mjafton të bëhet thirrje për unitet: «Shumë më e rëndësishme është që ne t’i respektojmë të gjitha rregullat tona të përbashkëta, të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, lirinë e shprehjes dhe të tubimit, kontrollin e pushteteve dhe shtetin ligjor». Vitin e kaluar BE ka filluar një proces të verifikimit të shtetit ligjor në Poloni.

Disa pjesëmarrës të takimit të Romës theksuan domosdoshmërinë që Europa të bëjë më shumë për fushën e mbrojtjes. Me këtë ide u pajtua edhe Hungaria, e cila përndryshe kundërshton transferimin e kompetencave në Bruksel. Shefi i diplomacisë hungareze Péter Szijjrt i tha gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» se vendi i tij është ndër mbështetësit këmbëngulës të një armate të përbashkët europiane.

Të shtunën në shumë qytete europiane demonstruan mijëra njerëz për një Europë të bashkuar. Në Londër rreth 25 mijë njerëz vërshuan rrugët e qytetit. Në Berlin së paku 6 mijë. Lëvizja qytetare «Pulse of Europe” ka paralajmëruar tubime edhe të dielën. Kjo lëvizje – e themeluar para 4 muajsh në Frankfurt të Gjermanisë – ditëve të fundit ka organizuar një sërë tubimesh në mbështetje të një Europe të bashkuar. Mbështetësit e saj po takohen çdo javë në 60 qytete europiane. (dp)