«Europës po i mungon uria për diçka të re»

Mario Vargas Llosa është tregimtar, intelektual, liberal dhe laureat i Nobelit për Letërsi. Në një intervisitë për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» ai flet për krizën e Europës, globalizmin dhe utopitë e majta dhe të djathta.

Mario Vargas llosa. Foto: Shutterstock

Mario Vargas Llosa është njëri prej shkrimtarëve më të njohur në botë. Ai prej dekadash bën jetën e një nomadi modern – mes Europës dhe Amerikës Latine. Romanet e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, mes tyre edhe në shqip. Në vitin 2010 Llosa, i cili është lindur në Peru, u nderua me çmimin Nobel për Letërsi. Llosa nuk është vetëm shkrimtar, por edhe intelektual liberal dhe aktivist. Në vitin 1990 ai kandidoi për postin e kryetarit të Perusë.

Në një intervistë të gjatë dhënë gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» ai flet për krizën e Europës,  globalizmin dhe utopitë. «Europa», thotë Llosa, «gjendet në një kurth dëshpërimi, i cili nuk ka ndikim aq pozitiv në kreativitet. Momentalisht këtu mungon uria për diçka të re. Pas rënies së Perdes së Hekurt ka ndodhur një nivelizim dhe ngopje e madhe politike dhe artistike. Por kjo s’domethënë se nuk ka probleme! Shkrimtarët europianë thjeshtë nuk kanë të drejtë të thotë se po mbretëron monotoni: kontinenti i tyre po lufton me probleme të mëdha, me probleme krejtësisht të reja – ose me probleme të dimensioneve të reja! Unitet Europian! Imigrim!».

Në shumë vende të Europës vërehet një kthim nga shteti nacional, nga ruajtja e asaj që tashmë është krijuar. Njëkohësisht po shtohet disponimi negativ ndaj të huajve. Llosa këto zhvillime i sheh si pjesë të pandashme të globalizmit: «Gjithkund ku priten ndryshime, krijohet frika e humbjes. Karl Popper e quante këtë afekt kthim në <shpirtin e humbur grupor të fisit> – dhe pikërisht kjo e përshkruan gjendjen aktuale në Europë. (…) Njerëz të kampeve krejtësisht të ndryshme politike me motive krejt të ndryshme kundërshtojnë atë që atyre u duket e  paqartë, e pakalkulueshme, kundër globalizmit dhe kapitalizmit – dhe këtë e bëjnë me ide të Kohës së Gurit».

Ndonëse është intelektual liberal Llosa nuk është i verbër ndaj eksceseve të kapitalizimit: «Besoj se kush thotë se tregu i zgjidh të gjitha problemet, ai na ofron pavullnetshëm një karikaturë të liberalizmit». Sipas Llosas mendimtarët liberalë si Raymond Aron apo Isaiah Berlin janë ende aktualë, sepse ata janë marrë edhe me botën e ekonomisë, por s’kanë thënë kurrë se vetëm kjo botë jep përgjigje se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, çka është e vlefshme dhe çka e pavlefshme.

Llosa ka përmendur librin «Rruga drejt skllavërisë» të Friedrich August von Hayek si vepër kyçe të liberalizmit modern. «Mësimi qendror pas leximit të këtij libri për mua ishte se fashizmi dhe komunizimi funksionojnë ngjashëm, sepse nuk janë ideologji të kundërta, por me kolektivizmin dhe etatizmin e tyre prodhojnë të njëjtën gjë: shoqëri në të cilat zhduket individualja dhe ku individi është i pavlefshëm».

Megjithatë, në shekullin e ’20 shumë intelektualë kanë mbështetur verbër ideologji të majta apo të djathta. Për këtë Llosa ka një shpjegim: «Ata kundërshtojnë botën mesatare, pëlqejnë përsosurinë. Për këtë arsye shumë prej tyre mendojnë në mënyrë utopike – disa veprojnë me mision të utopistit, sepse utopia e bën të përfytyrueshme <përsosurinë>, për shembull në komunizëm apo në ngrehinën mendore të anarkisë».

Llosa angazhohet për një shoqëri të hapur ashtu siç e përshkruante Karl Popper. Në një botë të ndryshimeve të përheshme, thoshte Popper, ne kurrë s’mund të kthehemi te «gjoja pafajësia dhe bukuria e shoqërisë së mbyllur». Se ku çon një qasje e tillë politike tregon shembulli i Venezuelës . Para 20 vitesh, nënvizon Llosa, Venezuale u shkëput nga pjesa tjetër e Amerikës Latine dhe lideri Hugo Chávez instaloi një sistem, i cili është dëshmuar si i papërshtatshëm gjatë historisë. Ky sistem quhet socializëm i përzier me nacionalizim të degëve të ekonomisë dhe industrisë dhe me nacionalizëm obskur, i cili helmoi marrëdhëniet me fqinjtë. «Sot Venezuela është e korruptuar, ndër vendet më të varfra të botës, Caracasi është qyteti me nivelin më të lartë të krimit, paratë s’kanë më vlerë, njerëzit vuajnë nga uria – krejt kjo ka ndodhur përkundër faktit se Venezuela mund të ishte e pasur». (-lli)